Ndërlidhjet

logo-print

GJENERALI WARD: TË GJITHË QYTETARËT E KOSOVËS TË NDIHEN TË SIGURTË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështetin Kosovën në përparimet e arritura dhe rrugën e saj drejt integrimeve evropiane, ka thënë sot në Prishtinë gjenerali William Ward, zëvendëskomandant i Komandës evropiane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë një vizite që gjenerali Ward dhe një delegacion 7 anëtarësh nga kjo komandë i kanë bërë Prishtinës, ata janë takuar me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës.
"Ne jemi këtu për të vazhduar të inkurajojmë progresin, i cili është duke ndodhur në Kosovë dhe hapat seriozë që po ndërmerren drejt statusit përfundimtar," ka thënë zoti Ward, kurse për KFOR-in tha se do të angazhohet që të gjithë qytetarët e Kosovës të ndihen të sigurtë dhe të qetë se kanë një perspektivë për jetë dhe zhvillim ekonomik.

Duke u ndërlidhur në gjendjen në veri të Kosovës dhe në Mitrovicë, gjenerali amerikan tha se KFOR-i është atje që të garantojë paqe dhe mjedis të sigurtë për të gjithë.
"KFOR-i është duke i kushtuar rëndësi kësaj çështjeje, duke i bërë të gjitha, në mënyrë që situata e sigurisë atje të jetë e mirë. Por kërkohet edhe nga qytetarët që të bëjnë pjesën e tyre të punës dhe respektimin e të drejtave të njëri tjetrit. Kjo është garanca më e madhe për sigurinë anembanë vendit", theksoi gjenerali William Ward.

Ndërkohë presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se e ka falenderuar zotin Ward për angazhimet e përgjithshme që kanë patur dhe kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën dhe të ardhmen e saj.
"Unë po ashtu falenderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës për angazhimin e tyre dhe besoj se do të kenë thjesht një gjithëpërfshirje të tyre në të gjitha aspektet e sigurisë së mëtejshme, të pranisë së NATO-s në Kosovë. Po kështu themi për mbështetjen e vullnetit të shumicës së popullit të Kosovës për të ardhmen e vet. Në Kosovë ne e kemi opsion të gjithmonshëm dhe do të kemi një kujdes të vazhdueshëm për pakicat që janë në Kosovë duke u mbështetur në standardet ndërkombëtare", tha presidenti Sejdiu.

Delegacioni i lartë ushtarak amerikan nga Komanda evropiane ka takuar dhe kryeministrin Agim Çeku. Gjenerali William Ward tha se Kosova do të ketë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara në mënyrë që të arrihen synimet kosovare për integrim në komunitetin evropian. Po ashtu tha ai, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë të qartë se në Kosovë duhet të vazhdohet prezenca ushtarake e Aleancës Veriatlantike edhe në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG