Ndërlidhjet

MOORE: BISEDIMET PRISHTINË-BEOGRAD NUK DO TË ÇOJNË NË ASNJË DREJTIM


Patrick Moore, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Javën e ardhshme do të kemi edhe një rund tjetër të bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara. E dimë se në çështjen e decentralizimit të dy palët kanë pasur krejtësisht qëndrime të kundërta. Sipas jush, a mund të pritet ndonjë lloj rezultati nga këto bisedime?

PATRICK MOORE
Jo. Ende ka qëndrime totalisht të kundërta dhe këto qëndrime krejtësisht të kundërta janë pothuajse për çdo çështje. Kjo gjë ndodh sepse të dyja palët e dinë që janë çështje shumë të rëndësishme që diskutohen dhe në lojë është një çmim shumë i madh për t'u fituar. Secila palë po mban qëndrimin e vet dhe ajo që kemi është një dialog i të shurdhëve ose një dialog me murin. Arsyeja pse njerëzit janë aty për këtë shfaqje është sepse e dinë që duhet të jenë aty, ndryshe të jashtmit apo komuniteti ndërkombëtar do ta përdorte mospjesëmarrjen kundër tyre në aspektin diplomatik. Pra të dyja palët ndodhen në këto bisedime sepse duhet të jenë, dhe jo sepse dëshirojnë të jenë apo se kanë synime reale për të zgjidhur ndonjë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Tjetër çështje që do të diskutohet do të jetë të drejtat e minoriteteve. Autoritetet në Kosovë thonë se aktualisht të drejtat e minoriteteve janë në harmoni me standardet ndërkombëtare, por serbët nuk janë të kënaqur me situatën e tashme. Si e komentoni ju këtë çështje?

PATRICK MOORE
E gjithë kjo ka qenë e pritur, pavarësisht se cila mund të jetë gjendja reale e gjërave. Komuniteti ndërkombëtar ka arritur të pranojë që nëse serbët do të largohen pas pavarësimit të Kosovës, kjo nuk do të jetë për shkak të mungesës së standardeve. Mendoj që çështja e ekzistencës së standardeve është e qartë për shqiptarët e Kosovës dhe për komunitetin ndërkombëtar. Pse atëherë, nëse standardet janë të garantuara, mund të ndodhë që serbët të largohen, ose të paktën disa prej tyre? Një arsye e dimë - janë frikësuar nga Beogradi, i cili i ka dekurajuar që të marrin pjesë në ndonjë institucion qeveritar dhe ka bërë propagandë që gjërat do të vështirësohen shumë nëse Kosova bëhet e pavarur. Nga ana tjetër, disa prej serbëve kanë kujtime të këqija të gjërave që ata vetë kanë kryer në Kosovë, kur ishte në pushtet Millosheviqi dhe do të largohen kur të mos ketë më asnjë shpresë kthimi nën pushtetin e Serbisë.


RADIO EVROPA E LIRË
Pra, nga këndëvështrimi juaj, a mund të presim ndonjë rezultat nga negociatat në tërësi ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë për çështjen e statusit, që po mbahen, siç thamë, me ndërmjetësuesit e Kombeve të Bashkuara?

PATRICK MOORE
Jo, sepse të gjithë e dinë që këto bisedime nuk do të çojnë në asnjë drejtim. Siç sugjerova më parë, këto bisedime janë thjesht një shfaqje apo prova teatrale për përfitimin e Bashkësisë ndërkombëtare. Ajo që do të ndodhë është ajo që pamë para disa kohësh dhe që mendoj se është e qartë tashmë që zgjidhja do të imponohet. Ndoshta do të quhet si pavarësi e kushtëzuar, e cila do të nënkuptojë në thelb një pavarësi të vërtetë por me një prani ndërkombëtare, e cila do të garantonte të drejtat e pakicave. Mund ta shohim dhe të themi që çështja ka ecur shumë përpara drejt rrugës së pavarësisë, sepse ditët kur të ndërkombëtarët do të jenë të pranishëm që të manaxhojnë të gjitha detajet e jetës ekonomike, të mediave, apo qoftë dhe pamjen e pullave postale, kanë filluar që të jenë një pjesë e historisë.

Intervistoi: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG