Ndërlidhjet

IVANOVIQ: SERBËT NUK DUHET TË TRAJTOHEN SI PAKICË, POR SI BASHKËSIA E DYTË ETNIKE NË KOSOVË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Serbët e Kosovës janë bashkësi etnike dhe nuk janë pakicë, thotë kryesuesi i Listës Serbe, Oliver Ivanoviq, duke i komentuar bisedimet e nesërme në Vjenë ndërmjet Prishtinës e Beogradit, lidhur me të drejtat e pakicave pas përcaktimit të statusit.
Ivanoviq thotë se vetë fjala pakicë nuk është e përshtatshme dhe kufizon të drejtat që serbët e Kosovës, si komuniteti i dytë në numër duhet t’i fitojë gjatë procesit të përcaktimit të statusit. Çështja e dytë, sipas tij është që përmes ndryshimeve kushtetuese, të garantohet pozita e serbëve në Kosovë, në mënyrë që edhe ata të jenë pjesë e vendimmarrjes, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e tyre:

“Pozita jonë kushtetuese duhet të garantohet me disa instrumente plotësuese, ose përmes të drejtës së vetos në çështjet e ndryshimeve kushtetuese në fushat që kanë të bëjnë me të drejtat e serbëve apo me instrumente të tjera, siç është shumica e dyfishtë në mënyrë që serbët të kenë mundësi që krahas shumicës shqiptare në Kuvend, ta kenë të drejtën e vet të vendosjes për çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e tyre”, thotë Ivanoviq.

E drejta e vetos sipas tij, do të duhej të vlente vetëm për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me pozitën e serbëve në Kosovë. Ndërkohë që duke u ndërlidhur me deklarimet e Beogradit se serbët e Kosovës nuk mund të trajtohen si pakicë, pasi Kosova ende është pjesë e Serbisë, Ivanoviq thotë se në shikim të parë ashtu edhe është, por shton ai, megjithatë është më rëndësi që të shkohet në bisedime në mënyrë që aty të vendosen edhe mekanizmat për mbrojtjen e serbëve në Kosovë:

“Mendoj se në këtë kohë duhet të bisedohet për mekanizmat mbrojtës kushtetuese për bashkësinë serbe ne Kosovë. Se a do të quhen këto të drejtat e pakicave apo të drejtat e bashkësisë serbe si komunitet i rrezikuar në këtë moment, kjo tani nuk është me rëndësi”, thekson Ivanoviq, duke besuar se mekanizmat mbrojtës duhet të caktohen tani, kurse pozita e komunitetit serb do të përcaktohej në kohën e nxjerrjes së kushtetutës së re.

Ivanoviq thotë se të drejtat e komuniteteve do të mund të përcaktohen përmes ligjit kushtetues, por tha ai, është me rëndësi që korniza e këtij ligji të përcaktohet që tani, në kuadër të procesit të Vjenës.
Përndryshe, takimi i nesërm Prishtinë – Beograd në Vjenë për të drejtat e komuniteteve pakicë, paraqet takimin e parë të këtij lloji, ndërkohë që Prishtina ka udhëtuar atje me platformën e miratuar se si e sheh ajo pozitën e komuniteteve pakicë pas përcaktimit të statusit.





XS
SM
MD
LG