Ndërlidhjet

PËRFUNDON TAKIMI I RADHËS NË VJENË PËR DECENTRALIZIMIN


Enver Robelli, Vjenë

Në Vjenë sapo kanë përfunduar negociatat mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit mbi çështjen e decentralizimit.
Diplomati gjerman Bernard Schlageck, i cili e ka drejtuar takimin e sotëm ka pranuar se bisedat kanë qenë tepër të vështira. Sipas tij palët kanë ofruar qëndrimet vetëm sa i përket emërimit të komandantëve të policisë nëpër komuna, përfshirë dhe komunat serbe, të cilat do të themelohen në të ardhmen.

Bernard Schlageck nuk ka dhënë ndonjë hollësi, por nga radhët e delegacionit të Kosovës është bërë e ditur se koncepti për policinë i afrohet Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, ku Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me pushtetin lokal, emëron shefin e policisë.

Ndërkaq nga delegacioni serb theksohet se nuk është arritur pajtim në asnjë fushë. Përfaqësuesit serbë akuzojnë në mënyrë të përgjithësuar delegacionin e Prishtinës, se nuk është i gatshëm të bisedojë për të drejtat e serbëve të Kosovës dhe për arsimimin e të rinjve serbë.
Anëtarë të delegacionit serb kërkuan madje autonomi për pakicën serbe në Kosovë. Udhëheqësi i delegacionit serb Leon Cohen tha se Beogradi nuk është i gatshëm të bëjë kompromise në çështjet thelbësore.

Në pjesën më të madhe të konferencës gazetarët u detyruan të dëgjojnë një fjalim të Marko Jakshiçit, njërit prej liderëve më radikalë të serbëve të Kosovës. Jakshiç lexoi një listë të gjatë, siç tha ai, të sulmeve kundër pakicës serbe që nga fillimi i bisedimeve. Jakshiç njoftoi se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nuk do të marrin pjesë në takimin e nesërm me delegacionin e Prishtinës, ku do të flitet për të drejtat e pakicave.

Në emër të delegacionit të Kosovës zëvendëskryeministri Lutfi Haziri, i hodhi poshtë akuzat e palës serbe. Ai tha se Prishtina është e gatshme që bazuar në Konventën Evropiane për të drejtat e pakicave, të garantojë arsimimin e serbëve në të gjitha nivelet. Por, shtoi Haziri, ne nuk mund të lejojmë që universiteti në gjuhën serbe të manaxhohet nga politikanët dhe nga Kisha Ortodokse.

Zyra e Marti Ahtisarit ka paralajmëruar mbajtjen edhe të dy takimeve gjatë gushtit, ku do të diskutohet mbi decentralizimin, konkretisht për financimin dhe numrin e komunave të reja.



XS
SM
MD
LG