Ndërlidhjet

logo-print

SELMANAJ: 300 MIJË FAMILJE NË KOSOVË PËRFITOJNË NGA SKEMAT SOCIALE


Ibrahim Selmanaj, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Selmanaj, sipas vlerësimeve të fundit varfëria ekstreme në Kosovë është rritur nga 15 në 18 përqind. Cilët janë shkaktarët e rritjes së kësaj varfërie?

IBRAHIM SELMANAJ
Duke pasur parasysh zhvillimin ekonomik që është në Kosovë edhe privatizimin, por dhe format e tjera, Kosovës nuk i është krijuar mundësia që të ketë kontrata valide të importit ose eksportit. Është edhe pamundësia e hapjes së vendeve të punës. Gjithë herë duke u bazuar në këtë shkallë të rritjes së zhvillimit ekonomik, padyshim ky është faktori kryesor pse varfëria në Kosovë po rritet.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër po rritet edhe për qindja e të papunëve në Kosovë, ku pjesën më të madhe e përbën rinia. Ndërkaq, përveç ndihmave sociale që jepni, keni ndonjë projekt që mundëson aftësimin e të rinjve për punë?

IBRAHIM SELMANAJ
Në vazhdimësi ne shfrytëzojmë një projekt që kemi me Bankën Botërore dhe Organizatën Ndërkombëtare të Punës ILO, përmes qendrave të aftësimeve profesionale për të papunët që përgatisim për tregun e punës. Gjithë herë mbështetur në nevojat ose në harmonizim me tregun e Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër konsideroj se është arritur një shkallë e aftësimeve për një numër të caktuar që shfaqin interesim dhe janë të papunë, por e bëjmë njëkohësisht një kompensim të vogël për të papunët në Kosovë. Ky është njëri prej projekteve që përgatisim për një gjeneratë e cila ka mbetur e pakualifikuar dhe shërben si paraprirje apo udhërrëfim ta gjejë veten dhe të përgatitet për tregun e punës. Por, edhe me UNDP-në e kemi një projekt që e bëjmë zbutjen e papunësisë apo regjenerimin e vendeve të reja të punës në bashkëpunim me zonat komunale, do të thotë e kemi shtrirë nga niveli lokal deri të niveli qëndror. Dhe këtu gjatë vitit 2006 janë mbi 3 000 persona që kanë punuar në kohë të shkurtër. Kjo është një formë që përdorim, duke mos anashkaluar edhe një formë tjetër, duke llogaritur që viti 2007 do të na gjejë në situatë pak më të përshtatshme dhe pak më të volitshme, gjithë herë duke menduar për zhvillimet që janë për zgjidhjen e statusit final, bisedimet që i kemi me zyrat e përfaqësimit të shteteve që janë në Kosovë për punësim sezonal. Ngase do të jetë e nevojshme që të kultivojmë këtë si formë.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni statistika se sa është numri i të papunëve aktualisht në Kosovë?

IBRAHIM SELMANAJ
Në bazë të statistikave që i kemi, numri i të papunëve arrin shkallën 43 përqind. Nuk mund te jemi shumë të bindur se ekziston saktë kjo shkallë, duke marrë parasysh edhe punët që i kryejnë në sektorin privat, dhe nuk janë të lajmëruar që janë të angazhuar në punë ose në blegtori dhe bujqësi. Mirëpo, prapë se prapë ka edhe shumë të tjerë të papunë dhe nuk janë të lajmëruar Do të thotë nuk mund të bazohemi në këtë numër, në këtë shkallë. Kur bëhen disa krahasime, ka disa komuna të vogla ku shkalla e papunësisë mund të arrijë deri në 70 përqind, sikur që është Skënderaj, Istogu, Deçani, Vitia dhe komuna të tjera të vogla, që janë më në periferi të Kosovës.

RADI EVROPA E LIRË
Fund vitin e kaluar ju keni deklaruar se ky vit do të jetë një sfidë për të gjitha kategoritë që gjenden në asistencë sociale. Ka ndonjë përmirësim në këtë fushë?

IBRAHIM SELMANAJ
Realisht ne jemi zbatues të një programi qeveritar që kemi këto skema para vetes. Dhe në Kosovë janë diku 300 mijë familje që përfitojnë në kuadër të skemave sociale. Llogaris që duhet të ndërrojmë konceptin dhe formën si të tillë, ngase buxhetin të cilin e ka Kosova, por edhe të hyrat pas zgjidhjes së statusit, nuk kanë mundësi që të përballojë këtë formë të ndihmave sociale. Sado që janë shumë simbolike këto ndihma, po i kushtojnë jashtëzakonisht shumë buxhetit të konsoliduar të Kosovës. Dhe duhet të kemi një program nacional, që vetëm sa kemi filluar të hartojmë një strategji se cilët persona do të kyçen, pasi duhet të kemi një plan se si e shohim Kosovën deri në vitin 2015. Dhe këtu nuk do të jenë vetëm punëtorët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, por duhet të kyçen edhe bizneset që kanë një qëndrueshmëri, një stabilitet ekonomik, profesor, ligjërues dhe do të marrim edhe kuadro nga jashtë Kosova, pasi do të jetë e nevojshme, pasi vërtet të kemi një strategji një plan dhe të veprojmë në bazë të planit.

RADI EVROPA E LIRË
Në anën tjetër sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, buxheti i Kosovës humb 7 milion euro në vit për shkak se ministria juaj paguan pensione për pensionistët e vdekur. Është zgjidhur tashmë ky problem?

IBRAHIM SELMANAJ
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka keqpërdorur një informacion që ka rrjedhur nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale. Ne kemi kushtëzuar që pensionistët, së paku dy herë në vit të lajmërohen në qendrat sociale të cilat janë në komunat e Kosovës, në mënyrë që të bëjmë verifikimin e pensionistëve. Dhe kemi zbuluar një numër të madh të pensionistëve të cilët kanë vdekur dhe këtë e kemi bërë publike. Kemi marrë masa shumë të rrepta në këtë kuadër. Kemi edhe vërejtje të shumta nga një numër i konsiderueshëm i pensionistëve pse është përdorur kjo formë. Mirëpo kjo ka qenë e vetmja mënyrë që të bëjmë verifikimin dhe të bëjmë parandalimin e kësaj forme, nga se nuk është e moralshme, pasi dihet që personi i cili ka vdekur, pavarësisht se mund të marrë një ose dy muaj, një kompensim si formë, prapë se prapë kjo nuk është e drejtë. FMN e ka bërë këtë si vërejtje pasi që ne e kemi njoftuar se në masat e rrepta dhe formën që ne e aplikojmë për kujdesin që e kemi ndaj buxhetit, e kemi zbuluar edhe këtë si fenomen.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur e shihni një përmirësim të gjendjes së përgjithshme sociale në Kosovë?

IBRAHIM SELMANAJ
Realisht, gjendja sociale në Kosovë do të përmirësohet vetëm atëherë kur kemi zhvillim ekonomik. Pa një zhvillim ekonomik, pa zgjidhjen e statusit të Kosovës, gjendja sociale në Kosovë do të jetë kjo gjendje me tendenca gjithmonë jo të pëmirësimit, por më tendenca të rritjes së varfërisë në Kosovë, pasi pa zhvillim ekonomik, nuk përmirësohet gjendja sociale.

INTERVISTOI NADIE AHMETI
XS
SM
MD
LG