Ndërlidhjet

ÇFARË E BËN HEZBOLLAHUN KUNDËRSHTAR TË VËSHTIRË?


Charles Recknagel

Hezbollahu tashmë 4 javë po u reziston sulmeve ajrore dhe operacioneve tokësore izraelite, kështu që shumë analistë filluan ta quajnë forca më efektive arabe, me të cilën Izraeli është përballur deri më sot.

Milicia ka grumbulluar raketa dhe armë të lehta, dhe ç'është më e rëndësishmja, ka një strukturë të lehtë komanduese, që i mundëson të kryejë luftë klasike guerrile. Rreth 2 mijë deri 4 mijë ushtarë të Hezbollahut po luftojnë kundër 10 mijë ushtarëve izraelitë. Megjithatë, rezistenca efektive e tyre duket sikur po zgjat. Çfarë e bën të vështirë punën e ushtrisë izraelite për të mundur milicinë e Hezbollahut?

Timur Goksel, është ish zëdhënës i forcave të Kombeve të Bashkuara në Libanin jugor dhe aktualisht ligjërues në Universitetin Amerikan në Bejrut thotë:

"Këta njerëz tashmë 18 vjet po luftojnë me Izraelin në Libanin jugor. Të huajt këtë e harrojnë. Ata tashmë i njohin izraelitët, kanë luftuar kundër tyre kur armata izraelite e pushtoi Libanin më 1982, kështu që prej atëherë përgatiten për luftë guerrile. Kanë mjaft përvojë dhe janë të pajisur mirë. Gjithashtu kanë mbështetjen e popullatës. Me një fjalë, janë një armatë guerrile", thotë Goksel.

Strategji e zakonshme në luftërat është të dëmtohet komandimi dhe aftësia e armikut. Por Hezbollahu duket sikur një muaj po u reziston bombardimeve të rënda izraelite. Shtrohet pyetja sa është kjo milici efektive në fushëbetejë?

"Ata nuk punojnë me hierarki ushtarake apo nivele komanduese. Është një udhëheqës në Bejrut dhe të gjitha njësitet në fushëbetejë janë autonome. Atyre nuk u duhen komunikime, ato nuk raportojnë gjithçka, nuk pyesin për urdhëra, thjesht e dinë çka bëjnë. Ato operojnë vetë, nuk u duhen furnizime, janë shumë të pavarura, ndaj është vështirë për t'i kapur" thotë Goksel.

Sipas tij, kjo strukturë organizative ka ngjashmëri me lëvizjen guerrile, edhe pse Hezbollahu është një organizatë publike që madje bën pjesë në qeveri.

"Krahu politik dhe shoqëror i Hezbollahut është shumë publik, por ushtria e Hezbollahut është një organizatë shumë sekrete. Madje edhe vetë pjesëtarët e Hezbollahut nuk dijnë për anëtarët e tjerë. Janë tejet të kujdesshëm, deri në shkallën e paranojës. Nuk kanë uniforma, nuk kanë baza apo depo të furnizimit, prandaj shërbimi izraelit i zbulimit e ka vështirë t'i gjejë", thotë Goksel, për të vazhduar.

"Struktura e tyre është e atillë që vetëm Sheiku Hasan Nasrallah është komandant i përgjithshëm. Nuk është askush tjetër ndërmjet tij dhe udhëheqësve në terren. Ata e bënë këtë që të mos identifikohen lehtë nga izraelitët", thotë ai.

Por a thua sistemi i këtillë ka mangësi kur përballet me operacione të koordinuara në fushëbetejë. Sa ndihet mungesa e mosplanifikimit qendror?

Për këtë, Goksel pohon:
"Ka disa operacione të paracaktuara. Ata kanë mjaft autonomi në nivelin lokal, por nuk ndërmarrin asnjë operacion nëse ai nuk është pjesë e ndonjë plani. Ka udhëheqës lokalë, ka sistem të udhëheqjes rajonale, por ata nuk raportojnë në qendrën në Bejrut. Nuk është një organizatë me hierarki piramidale", thotë Goksel, duke shtuar se këto veçori të Hezbollahut ia vështirësojnë punën armatës izraelite.


XS
SM
MD
LG