Ndërlidhjet

logo-print

LOJA JASHTË INSTITUCIONEVE


Lutfi Dervishi

Partitë kanë filluar pushimet e gushtit me premtimin se temperatura politike në shtator do të arrijë maksimumin. Në këtë periudhë normalisht pjesë e debatit politik duhet të ishte ecuria e sezonit turistik dhe buxheti suplementar që paraqiti qeveria për gjashtë mujorin e dytë të këtij viti.

Si asnjëherë tjetër zëra nga opozita kanë paralajmëruar se punimet normale në parlament do të zëvendësohen me protesta në rrugë, bojkotim institucionesh, bojkotim të punës të të zgjedhurve lokalë dhe deri edhe mospjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme, në shenjë proteste ndaj asaj që ajo e konsideron si "sulm ndaj institucioneve" nga ana e pozitës.

Artikulimi i një politike të tillë dëshmon se skenat e dhunës të shfaqura në Parlamentin e Shqipërisë më 28 korrik, nuk kanë qenë episod, por rezultante e një mentaliteti që ka ngërthyer klasën politike në Tiranë prej 15 vjetësh, - mentalitet që kërkon pushtetin me çdo kusht dhe fitoren më shumë se te politikat e veta dhe votave e votuesve, e kërkon me makinacione në institucion, legjislacion e deri në dyert e gjykatave. Kulmi i sherrit në Parlament u bë për zgjedhjen e një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në mënyrë ciklike në Shqipëri që prej vitit 1992, partia që humb zgjedhjet, në vend që të urojë fituesin dhe të përgatitet për rolin e ri që i kanë dhënë votuesit, deklaron se do t'i shkurtojë ditët pushtetit të ri dhe do të punojë për zgjedhjet e parakohshme. Edhe kalimi paqësor i pushtetit vitin e kaluar nuk i shpëtoi kësaj sindrome.

Politikanë të opozitës deklaruan si kufi 2007-tën, vit kur mbaron mandati i presidentit- si mundësi për të hedhur vendin në zgjedhje të parakohshme. Kjo opozitë ka qëndruar 8 vjet në pushtet dhe tashmë po dëshmon mungesë qetësie për të përballuar gjendjen e re. Partia më e madhe ndërroi kryetarin, ndërsa bashkimi formal i partive të tjera po shoqërohet me një rritje të luftës për lidershipin e grupimit.

Opozita deri më tani i ka parë zhvillimet nën optikën bardhë e zi. Çdo gjë që ka ardhur nga qeveria është e zezë dhe çdo veprim i saj është i bardhë. Ajo do të fitonte më shumë, nëse krahas kritikave për veprimet e ekzekutivit, do të shprehte vlerësimin për gjithshka pozitive që ka bërë qeveria gjatë një viti.

Lista e premtimeve që ka bërë kjo qeveri në fushatë elektorale është e gjatë, por përqëndrimi vetëm tek mosrealizimet apo paragjykimi se çdo gjë që bëhet, po bëhet keq është kundërproduktiv. Opozita ka hapësirë për të bërë kritika ndaj qeverisë për situata të vjetra dhe të reja monopol në ekonomi.
Një opozitë e vërtetë e ngre zërin fort aty ku hesht qeveria, dhe jo t'i bashkohet korit të heshtjes, si për shembull në rastin e situatës oligopol të krijuar me telefoninë celulare apo probleme të tjera të ndjeshme politike.

Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësimin për situatën dhe ka bërë thirrje për dialog. Është krijuar një traditë tashmë që opozita pret shumë nga komuniteti ndërkombëtar dhe kur kjo "ndihmë" vonon të vijë, një prej aleatëve të vegjël fillon sulmet. Në qendër të kritikave të brendshme tashmë është vënë OSBE.

Në një anë prej vitesh është kërkuar që roli, vendi dhe hapësira e organizatës të dimensionoheshin në harmoni me zhvillimet e kohës, që nënkupton zvogëlim të rolit të OSBE-së, në anën tjetër veçanërisht në momente krizash, ngre kokë – sindromi i Bosnjës- varësia e politikanëve lokalë nga ndërkombëtarët.

Çdo qeveri e re, para se të gjykohet ka nevojë për një periudhë pritje dhe në varësi të sukseseve e dështimeve, formulohet një politikë apo qëndrim i cakuar. Dhe komuniteti ndërkombëtar po bën atë që nuk po bën opozita- po i jep kohë qeverisë.

Sfida e opozitës sotme nuk është brenda apo jashtë institucioneve!
Me taktikat bllokuese në parlament, ajo nuk fitoi ndonjë simpati në publik. Sfida e opozitës është të bërit opozitë, një opozitë ashtu sikundërse ka premtuar kryetari i partisë më të madhe të saj: opozitë alternativash, opozitë që jep konsensus dhe mbështet reformat, një opozitë që mendon për ata që përfaqëson dhe jo për protagonizëm individual, një opozitë e organizuar dhe jo kaotike, në opozitë që mirëpret sugjerime nga komuniteti ndërkombëtar dhe jo t'i kundërvihet asaj.

XS
SM
MD
LG