Ndërlidhjet

E. HOXHAJ: NË VJENË DISKUTUAM PËR KOMPETENCAT E KOMUNAVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Takimi i djeshëm nëVjenë ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë për reformën e pushtetit lokal është përqendruar në kompetencat që duhet të kenë komunat dhe jo në numrin apo kufijtë komunalë, tha sot në Prishtinë Enver Hoxhaj, anëtar i delegacionit të Kosovës që sot është kthyer nga Vjena në aeroportin e Prishtinës.

Zoti Hoxhaj tha se në këtë takim është biseduar për kompetencat në disa fusha, përfshirë policinë, shëndetësinë dhe arsimin, por nuk është folur për numrin e komunave të reja:
"Ajo për të cilën nuk kemi biseduar ka qenë numri i komunave ose kufijtë komunalë, meqë qëllimi i takimit ka qenë që të diskutohen parimet mbi të cilat duhet të zhvillohet reforma e pushtetit lokal dhe kompetencat që duhet të kenë komunat në Kosovën e passtatusit final", tha Enver Hoxhaj.

Zoti Enver Hoxhaj tha se në çështje të arsimit ka pasur dallim ndërmjet Prishtinës dhe zyrës së kryenegociatorit Ahtisari rreth hartimit të planprogrameve dhe teksteve shkollore, pasi qëndrimi i Kosovës është që Ministria e Arsimit e Kosovës dhe ajo e Serbisë duhet të harmonizojnë planprogramet dhe tekstet shkollore.
Hoxhaj tha se sa i përket universitetit në veri që njihet nga UNMIK-u, delegacioni i Kosovës mendon se autoriteti qendror i Prishtinës duhet të jetë i pranueshëm në punë të akreditimit edhe të këtij universiteti.

Përderisa për kompetecat komunale në fushë të gjyqësisë nuk ka pasur diskutime, Hoxhaj tha se është folur për mënyrën e zgjedhjes së shefave të stacioneve të policisë nëpër komuna:
"Kësaj radhe kemi gjetur një zgjidhje kompromisi ku pas tre raundesh të propozimeve, Ministria e Punëve të Brendshme mund ta aprovojë një vendim të komunës dhe afati kohor është brenda 45 ditësh", tha Enver Hoxhaj.

Çështja më e ndjeshme, sipas zotit Enver Hoxhaj, është ajo e bashkëpunimit të komunave me komuna të tjera jashtë Kosovës, për çka pala kosovare ofron zgjidhje që parashihen me konventa ndërkombëtare:
"Qëndrimi Prishtinës është konform Konventës së Madridit, e cila parasheh se çdo komunë në Evropë mund të bashkëpunojë me komuna të shteteve të tjera, duke e respektuar sovranitetin e shtetit me të cilin bashkëpunon", deklaroi Hoxhaj.

Zoti Enver Hoxhaj, tha se në fund të gushtit pritet të mbahet një takim po në Vjenë në të cilin do të diskutohet për numrin e komunave, por pavarësisht nga kjo, ai përsëriti qëndrimin e zyrës së Ahtisarit se, nuk do të ketë marrëveshje për çështje të veçanta, nëse nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare.



XS
SM
MD
LG