Ndërlidhjet

logo-print

SI DO TË ZGJIDHET ÇËSHTJA E UNIVERSITETIT SERB NË VERI TË KOSOVËS?


Albana Isufi, Prishtinë

Universiteti serb në veriun e Kosovës ka qenë njëra ndër temat, për të cilën delegacioni shqiptar dhe serb në takimin e djeshëm në Vjenë nuk kanë arritur të merren vesh.
Pala kosovare ka kërkuar që universiteti në gjuhën serbe të funksionojë në mënyrë autonome si çdo universitet publik, pala serbe ka kërkuar që universiteti të jetë nën kontroll të Ministrisë së Arsimit të Serbisë. Ndërkaq, njoftohet se zyra e Ahtisarit ka propozuar që funksionimi i Universitetit në veri të monitorohet nga 3 përfaqësues serbë, tre shqiptarë dhe grupi të kryesohet nga një ndërkombëtar.

Drejtori i Qendrës për Arsim të Kosovës Dukagjin Pupovci, mendon se zgjidhja e problemit të universitetit në veri, është integrimi i tij në sistemin e lartë arsimor të Kosovës.

“Infrastruktura ligjore e arsimit të lartë në Kosovë, ofron bazë për autonomi të mjaftueshme të çdo institucioni të arsimit të lartë dhe integrimi i këtij universiteti në sistemin kosovar të arsimit të lartë, jo vetëm që do të kishte efekte pozitive për integrimin e komunitetit serb në Kosovë, por edhe nga aspekti material do të ishte shumë më e përshtatshme për Universitetin e Mitrovicës, sepse atëhere ky universitet do të mund të merrte mjete nga buxheti i Kosovës", tha zoti Pupovci.

Ndërsa ish rektori i Universitetit në veri të Mitrovicës, Gojko Saviq, thotë se propozimi ndërkombëtar do të ishte i zbatueshëm, vetëm nëse Universiteti i Veriut do të zhvendosej në Prishtinë.
“Duke gjykuar se ku funksionon universiteti serb, mund të themi se një zgjidhje e tillë nuk është e pranueshme. Por, nëse flasim për kthimin e universitetit, kthimin e njerëzve në një mjedis të urbanizuar siç është Prishtina, ku dikur ka ekzistuar një universitet i vetëm, nëse mund të krijohet një opsion i tillë atëherë mund të flitet për këtë opsionin e paritetit; 3 përfaqësues shqiptarë, 3 serbë dhe një ndërkombëtar, “ thotë Saviq, duke shfaqur shqetësimin se nëse nuk krijohet ambienti i sigurt për lëvizje të lirë, serbë do kenë barriera fizike për të vijuar mësimet në Prishtinë.

Por, Dukagjin Pupovci mendon se ardhja e studentëve serbë në Prishtinë nuk është e pamundur.
“Shembulli më i mirë është Universiteti veror i Prishtinës, ku kanë marrë pjesë edhe një numër i konsiderueshëm i studentëve serbë. Po ashtu ekzistojnë disa bashkëpunime në mes të disa njësive akademike të Universitetit të Prishtinës dhe të universiteteve në Serbi, që vërtet zhvillohen edhe me pjesëmarrjen e institucioneve ndërkombëtare, por ato vazhdojnë të zhvillohen. Prandaj nuk është e pabesueshme që të ketë edhe këmbim studentësh, edhe këmbim mësimdhënësish në mes të dy universiteteve kosovare. Por parakusht për këtë është që Universiteti i Mitrovicës të integrohet në sistemin kosovar të arsimit të lartë", tha Pupovci.

Integrimi i universiteti të veriut në sistemin e arsimit të lartë, sipas Pupovcit pengohet nga faktorë politikë.
“Nuk ka asnjë arsye që ky universitet të mos bëhet pjesë i sistemit të arsimit të lartë, sepse sistemi kosovar i arsimit të lartë në asnjë mënyrë nuk do t'ja diktojë atij universiteti çfarë programesh studimi do të ketë, kush do të jenë mësimdhënësit, kush do të jenë studentët e kështu me radhë", tha Dukagjin Pupovci.

Që nga vitet e 90-ta sistemi arsimor i Kosovës funksionon i ndarë. Shqiptarët mësojnë me planprogramet e hartuara nga Ministria e Arsimit të Kosovës, ndërsa serbët me ato të Ministrisë së Arsimit të Serbisë.

Rektori i Universitetit të Prishtinës Enver Hasani, ditë më parë ka deklaruar se është duke shikuar modalitetet e ristrukturimit të arsimit të lartë publik, i cili do të ishte unik për të gjitha komunitetet. Hasani pati nënkuptuar me këtë integrimin e universitetit serb në gjirin e arsimit të lartë të Kosovës.
Për këtë ai pati marrë përkrahjen e Ministrit serb të Kthimit Sllavisha Petkoviq.
XS
SM
MD
LG