Ndërlidhjet

logo-print

VJENË


Sot në Vjenë u mbajt takimi mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë për pakicat. Ky ishte takimi i parë mbi këtë temë, dhe pasoi atë të djeshmin mbi decentralizimin.
Kryesuesi i takimit, diplomati gjerman Bernhard Schlagheck, e ka lëvduar delegacionin e Prishtinës se ka ardhur me propozime konkrete dhe të kompletuara mbi përdorimin e gjuhëve, lëvizjen e lirë dhe pjesëmarrjen e komuniteteve në qeveri dhe parlament.
Udhëheqësi i delegacionit kosovar Veton Surroi tha se ka dallime thelbësore në qëndrimet midis dy palëve. Surroi tha se delegacioni i Beogradit, në të cilin nuk marrin pjesë përfaqësues të serbëve të Kosovës, nuk i është përmbajtur agjendës së bisedimeve dhe më tepër flet për të kaluarën.
Surroi tha se Prishtina ka propozuar platformën për mbrojtjen e komuniteteve, e cila parasheh një një sërë masash duke filluar nga procedurat që pengojnë majorizimin dhe format e reja të përdorimit të gjuhëve.
Sipas tij, është paraparë që përveç serbishtes, gjuhë zyrtare të jenë turqishtja dhe gjuha rome, ndërkohë që planifikohet krijimi i një dhome të veçantë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, e cila do të merrej vetëm me çështjen e pakicave.
Pala serbe i ka quajtur propozimet kosovare si jorealiste. Dushan Batakoviç, këshilltar i presidentit të Serbisë Boris Tadiq, deklaroi se kur të merret parasysh gjendja në Kosovë, propozimet e Prishtinës nuk mund të implementohen as pas 20 vjetësh.
Duke arsyetuar mospjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në takimin e Vjenës, Batakoviç tha se ata nuk e shohin veten si pakicë, por si popull konstituiv me të drejta të tjera nga pakicat klasike.
XS
SM
MD
LG