Ndërlidhjet

SURROI: PËRKUFIZIMI PËR KOMUNITETET MBI BAZA PRAKTIKE, JO POLITIKE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Të drejtat e komuniteteve në Kosovë duhen adresuar në formë realiste dhe jo në format e përcaktimit të kombeve dhe komuniteteve shtetformuese dhe atyre jo shtetformuese në anën tjetër, ka thënë sot Veton Surroi, shef i delegacionit të Prishtinës në takimin e mbajtur dje në Vjenë, lidhur me pozitën e komuniteteve pas përcaktimit të statusit të Kosovës.

Veton Surroi me t'u kthyer në Prishtinë tha se pala kosovare ka paraqitur kornizën e vet lidhur me komunitetet dhe tani pret që mendimet e veta t'i japë dhe një ekip ekspertësh nga zyra e Ahtisarit, të cilët ditët në vijim do të vijnë në Prishtinë.
Përcaktimi i kornizës lidhur me të drejtat e komuniteteve është një çështje që do të marrë disa javë, ka thënë Veton Surroi, por sipas tij me rëndësi do të jetë që dokumenti i Prishtinës do të shërbejë si dokument bazë sa i përket përcaktimit të pozitës së komuniteteve në Kosovë.

"Qëndrimet tona janë të ndërtuara me konsensus, janë të ndërtuara në bazë të bisedimeve që kemi patur edhe për komunitetet, kështu që shpresoj se po hyjmë në një fazë realiste. Pra që të diskutojmë për çështjen e komuniteteve jo në bazë të formulimeve kombe shtetformuese kombe joshtetformuese, por për nevoja praktike që kanë komunitetet," tha Veton Surroi.

Ndërkohë që tek përfaqësuesit e Serbëve të Kosovës mbizotëron mendimi se pozita e tyre në Kosovë pas statusit, duhet të rregullohet në formën e përcaktimit të tyre si komunitet konstituiv dhe jo si pakicë.
Rangjel Nojkiq, nga lista serbe thotë se në Kosovë duhen krijuar mekanizma për mbrojtjen e të drejtave të serbëve. Ai mendon se serbët duhet të jenë element konstituiv që duhet të përcaktohet në këtë fazë, përderisa bisedimet për statusin janë në proces s sipër.

"Popujt duhet t'i mbrojnë të drejtat e tyre përmes institucioneve, që do të thotë që secila bashkësi etnike duhet të ketë mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të veta, ka thënë Nojkiq, duke vlerësuar se mekanizmat aktuale nuk janë treguar efikase në këtë fushë. Duke krijuar mekanizma mbrojtës serbët do të siguronin mbrojtjen e të drejtave të tyre, por nuk do të kishin të drejtën e vetos me çështje që kanë të bëjnë me interesat e Kosovës, apo popullatës shumicë, ka thënë ai.

Në anën tjetër kërkesat e pakicës serbe që të jenë elementë konstituivë në Kosovë pas përcaktimit të statusit, nuk janë reale, thotë profesori i të drejtës kushtetuese Fatmir Fehmiu.
Ai thotë se përkundër faktit që kohët e fundit në evropë ka një evaluim të të drejtave të pakicave, numri i popullatës serbe që jeton në Kosovë nuk i jep të drejtën dhe nuk i krijon kushte këtij komuniteti që të jetë element konstituiv.

"Ka ardhur deri tek një evoluim i konceptit të të drejtës kolektive të pakicave, duke patur parasysh teoritë e ndryshme që janë paraqitur, megjithëse edhe të drejtat kolektive të pakicave, ende nuk janë definuar për shkak se ekzistojnë mendime dhe teori të ndryshme. Dikush e lidh me territorin, kompaktësinë dhe qëndrimin. Dikush e lidh me çështjen e territorializimit në hapësirë më të gjerë. Por gjithnjë duke u menduar si pakica", tha profesor Fehmiu.

Një mendim tjetër nga profesori Fatmir Fehmiu ka Rangjel Nojkiq, i cili merr si shembull Bosnjen dhe Hercegovinën, ku ai thotë se janë aplikuar mekanizma të tillë mbrojtës kushtetues për komunitetet që jetojnë atje.

"Në Bosnje Hercegovinë, përkatësisht republikën serbe, jetojnë 4 përqind kroatë por ata i kanë këto mekanizma mbrojtëse dhe i gëzojnë të drejtat e barabarta me serbët dhe boshnjakët, thotë Nojkiq, duke besuar se një praktikë e tillë do të mund të aplikohej edhe në Kosovë.
Mirëpo profesori Fatmir Fehmiu, thotë se serbët e Kosovës, madje edhe me ligjin e ish-Jugosllavisë, nuk do t'i plotësonin kushtet që të jenë pakicë, e lëre më element konstituiv.

"Me këtë ligj përcaktohet për shembull si e drejtë kolektive që duhet të rrinë në një territor të caktuar rreth 15 përqind, sipas rezultateve të regjistrimit të fundit. Një fenomen i tillë po ashtu ju e dini sigurisht që gjatë periudhës së Marrëveshjes së Ohrit, ka qenë po ashtu formula që duhet të jetë 20 përqind. Prandaj këtu nuk mund të flitet për elementë konstitutivë, për arsye se elementi konstitutiv kërkon për nga kuantiteti përafërsisht me qënë i barabartë për nga numri i popullsisë shumicë", thotë Fatmir Fehmiu.

Përndryshe dje në Vjenë, Prishtina dhe Beogradi zhvilluan raundin e parë të bisedimeve për të drejtat e komuniteteve në Kosovë, pas përcaktimit të statusit.
Sipas palës shqiptare serbët janë pakicë dhe atyre do t'u garantohen të drejtat në bazë të standardeve ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG