Ndërlidhjet

logo-print

EKIPI NEGOCIATOR DISKUTON DY TAKIMET E FUNDIT NË VJENË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Institucionet e Kosovës dhe ekipi negociues i Kosovës synojnë që kushtetuta e Kosovës të trajtojë në mënyrën e duhur të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nëse ata janë shumicë apo pakicë, tha sot në Prishtinë presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, pas një takimi të ekipit negociues të Kosovës, me ç’rast ka përsëritur qëndrimin e ekipit kosovar për trajtimin e Kosovës si njësi unike dhe mosndarjen e veriut si çështje e veçantë.

Presidenti Sejdiu tha se për ekipin negociues është me rëndësi që të punohet shpejt dhe me kualitet për të përmbyllur çështjet e filluara e sidomos ato që kanë të bëjnë me reformën e pushtetit lokal dhe me temën e filluar për të drejtat e komuniteteve:

"Për ne është shumë me rëndësi që të ofrojmë qasje serioze dhe dokumente serioze, që mbështeten në standarde ndërkombëtare dhe që përputhen me vizionin e përbashkët të kësaj kahjeje dhe me zyrën e Ahtisarit, ne nuk do të shkojmë me asgjë që do të jetë në kundërshtim me atë që është frymë e konventave ndërkombëtare dhe që rregullojnë materie të caktuara edhe në trajtimin e pakicave në këtë kah dhe me zyrën e presidentit Ahtisari, por edhe në çështjen e reformës së pushtetit lokal dhe për ne është me rëndësi që ky proces të shkojë shpejt dhe të përfundojë me kualitetin e vet," tha presidenti Sejdiu.

Sejdiu tha se ekipi negociues shpreson që kjo frymë ta përcjellë procesin edhe në të ardhmen me qëllim që të gjejmë zgjidhje sa më të mira edhe kushtetuese për pozitën e pakicave në Kosovë. Sidoqoftë, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu nuk deshi të komentojë deklaratave e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës lidhur me trajtimin e serbëve të Kosovës si pakicë apo si popull konstituiv:

"Ne do të nxjerrim dhe finalizojmë qëndrimin tonë në takimet e ardhshme dhe me rëndësi të madhe është që pozita e secilit qytetar të Kosovës të jetë e trajtuar mirë në kushtetutën e Kosovës e kanë këtë aspekt edhe pozita e minoriteteve", tha presidenti Sejdiu.

Në anën tjetër, ai tha se në asnjë rast nuk do të diskutohet për pjesë të veçanta të Kosovës, por për Kosovën si tërësi përfshirë edhe veriun:
"Ne nuk kemi ndarje të pjesës veriore dhe jugore për trajtimin e tyre por e kemi çështjen e zgjidhjeve të përgjithshme që duhet të jenë në interes të Kosovës dhe popullit të saj," tha presidenti Sejdiu, duke përkujtuar se pala kosovare ka prezantuar qëndrimin që Mitrovica të jetë një qytet i integruar me dy komuna dhe kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për qytetarët e asaj pjese të Kosovës, tha Sejdiu, sipas të cilit stabiliteti i përgjithshëm edhe në veriun e Kosovës është shumë i rëndësishëm.


XS
SM
MD
LG