Ndërlidhjet

logo-print

ÇEKU: DIALOGU ME SERBËT E KOSOVËS I DOMOSDOSHËM PËR ZGJIDHJEN E PROBLEMEVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Zëvendës shefi i UNMIK-ut, Joakim Rycker, aktualisht drejtues i shtyllës së katërt të administratës ndërkombëtare që ka të bëjë me ekonominë, është shprehur sot i gatshëm të marrë postin e shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Ai tha se pret që nga fillimi i javës tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan të emërojë shefin e ri të UNMIK-ut, duke shtuar se është i gatshëm që ta marrë këtë post.
Joakim Rycker është kthyer këto ditë nga Nju Jorku, ku ai i është nënshkruar intervistimit dhe tani pret që Anan ta emërojë atë në detyrën e re:

“Kam paralajmërime se Nju Jorku do të marrë vendim nga fillimi i javës së ardhshme, apo më mirë thënë do ta deklaroj këtë vendim lidhur me shefin e ri të UNMIK-ut”, tha Joakim Rycker, pas një takimi që zhvilloi sot me kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku.

Në këtë takim, Çeku dhe Rycker kanë biseduar dhe në lidhje me përgatitjen e raportit teknik dhe politik lidhur me standardet, i cili do të kalojë si zakonisht përmes vlerësimeve finale në Këshillin e Sigurimit.
Të dy bashkëbiseduesit janë shprehur optimistë se edhe kësaj radhe, Këshilli i Sigurimit do të vlerësojë pozitivisht të arriturat në Kosovë. Kryeministri Agim Çeku tha se Kosova po i respekton afatet për përmbushjen e standardeve, sidomos atyre të përcaktuara nga Grupi i Kontaktit:

“Këto ditë do të bëhet vlerësimi teknik i përmbushjes së të gjitha pikave të standardeve, përfshirë dhe 13 prioritetet e Grupit të Kontaktit, ne jemi të bindur se vlerësimi do të jetë pozitiv, po besojmë që rezultate më të mëdha do të arrijmë gjatë muajit shtator dhe presim që diku kah fillimi i tetorit Këshilli i Sigurimit do të diskutojë prap për përmbushjen e standardeve në Kosovë”, tha Çeku.

Po sot, kryeministri Çeku ka pritur në një takim dhe kryesuesin e Listës Serbe, Oliver Ivanoviq. Ndërsa Çeku tha se e ka ftuar Ivanoviqin dhe përfaqësuesit e tjerë politik serbë që të përfshihen në institucione dhe të ndihmojnë me këto veprime dhe integrimin e komunitetit serb në jetën institucionale në Kosovë, Ivanoviq tha se është evidente që interesat e serbëve mbrohen më mirë nëse ata përfaqësohen në institucione, por ai nuk mundi ta parashikojë se kur do të mund të pritet vendimi për përfaqësimin e tyre në institucionet e Kosovës.

Ivanoviq ka vënë theksin sidomos në çështjen e decentralizimit, duke kërkuar nga kryeministri Çeku që t’i marrë parasysh kërkesat e serbëve të Kosovës lidhur me këtë proces:

“Mendoj se do të ishte mirë që ekipi negociues nga Prishtina ta përkrahë propozimin tonë ngase ai është një plan mjaft real “, tha Ivanoviq, sipas të cilit, ky plan i serbëve të Kosovës ka gjetur një mbështetje të konsiderueshme dhe nga Grupi i Kontaktit.

Në anën tjetër, Çeku tha se agjenda e bisedimeve për statusin dhe çështjet praktike përcaktohet nga Marti Ahtisari, kurse problemet dhe brengat e serbëve të Kosovës, shtoi ai, duhet të zgjidhen përmes dialogut me institucionet e Kosovës:

“Agjendën, ritmin, dinamikën dhe palët në bisedime i cakton zoti Ahtisari dhe ne i përgjigjemi. Por, personalisht mendoj se shumë çështje ne duhet t’i zgjidhim me ata të cilëve këto projekte u dedikohen, do të thotë serbëve të Kosovës, dhe ne duhet të gjejmë mënyra që të bisedojmë me serbët e Kosovës se çka ne si shumicë dhe institucione u ofrojmë, u garantojmë. Gjithashtu duhet t’i dëgjojmë se çka ata kërkojnë nga ne dhe unë mendoj që një dialog, një takim lidhur me këtë është i domosdoshëm”, tha kryeministri i Kosovës, Agim Çeku.

Ivanoviq, në anën tjetër, si kryesuesi i subjektit më të madh politik të serbëve të Kosovës, tha se nuk e konsideron si hap të mençur politik mospjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në takimin për pakicat në Vjenë. Edhe pse serbët, tha ai, nuk mund të trajtohen si pakicë, mospjesëmarrja, shtoi ai, vetëm mund ta dëmtojë pozitën e këtij komuniteti në Kosovë.

XS
SM
MD
LG