Ndërlidhjet

ULRICH: KFOR NUK KA SHENJA TË PRANISË PARAUSHTARAKE SERBE NË VERI


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Forcat paqeruajtëse në NATO-s nuk kanë arritur deri më tash të sigurojnë ndonjë dëshmi për ekzistimin e grupeve paramilitare serbe që veprojnë në veriun e Kosovës, tha sot në Zveçan komandanti i krahut jugor të NATO-s për Evropën, admirali Harri Ulrich.
Ai i bëri këto komente pasi, i shoqëruar nga komandanti i sektorit verior të KFOR-it gjenerali Jean Jacques Bart, kishte takuar zyrtarë të komunave veriore të Kosovës të banuara nga shumicë serbe.

Admirali Ulrich tha se kishte pasur një takim konstruktiv me liderët e komunave veriore të Kosovës dhe situatën në veri e cilësoi të qetë dhe të qëndrueshme, duke mohuar pohimet se grupe paramilitare serbe veprojnë në pjesën veriore të Kosovës:

"Ne KFOR-i, gjenerali Bart dhe forcat e tij kanë hulumtuar hollësisht për dëshmi lidhur me indikacionet për ekzistimin e grupeve paramilitare, por nuk kemi gjetur kurrfarë indikacionesh," tha admirali Ulrich, komandant i krahut jugor të NATO-s.

Në muajin e fundit në pjesën veriore të Kosovës janë përforcuar trupat paqeruajtëse të NATO-s, ndërkohë që edhe policia ndërkombëtare ka dërguar atje rreth 500 policë për të ndihmuar Shërbimin Policor të Kosovës.

Përforcimet e tilla janë bërë në kohën kur pritet zgjidhja e statusit të Kosovës dhe kur përfaqësues të komunave veriore patën paralajmëruar mundësinë e organizimit të grupeve për vetëmbrojtje, pasi disa incidenteve të pasqaruara që patën ndodhur në veri.

Edhe kryeministri i Kosovës Agim Çeku, rreth një muaj më parë pati kërkuar përforcim të trupave për ruajtjen e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të penguar hyrjen e mjeteve dhe parave të pakontrolluara që, sipas kryeministrit Çeku, vijnë nga Serbia për të financuar strukturat paralele në Kosovë.

Kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq edhe para admiralit Ulrich ka përsëritur pakënaqësinë e tij lidhur me punën e Shërbimit Policor të Kosovës dhe të gjyqësisë kosovare:

"Fatkeqësisht mendojmë se policia dhe gjyqësia kosovare nuk po bëjnë mjaft që të zbulohen dhe dënohen kryesit e krimeve në Kosovë dhe në komunën e Zveçanit", tha kryetari i komunës së Zveçanit Dragisha Miloviq, duke shprehur edhe qëndrimet e tij lidhur me decentralizimin dhe zhvillime të tjera në Kosovë.

Në anën tjetër, admirali Ulrich tha se KFOR-i është plotësisht i gatshëm të përballet edhe me situata si marsi i vitit 2004:
"Unë mund t’ju siguroj se ne e kemi marrë një mësim nga ngjarjet e marsit dhe ne bashkë me gjeneralin Valotto kemi ndryshuar taktikat dhe jemi të bindur se KFOR-i është i gatshëm që të përballet me veprime të këqija të njerëzve në Kosovë," tha admirali Ulrich, duke ftuar liderët e Kosovës dhe njerëzit e vullnetit të mirë që të mos i dërgojnë në rrugën ku do të testohej ky premtim i KFOR-it.

Komandanti i krahut jugor të NATO-s, të cilit i përgjigjet edhe komanda e forcave paqeruajtëse të NATO-s, KFOR, kohët e fundit ka shpeshtuar vizitat në pjesën veriore të Kosovës.
XS
SM
MD
LG