Ndërlidhjet

GASHI: PRISHTINA GABOI QË PARAQITI OFERTA MAKSIMALE NË VJENË


Arben Gashi, ekspert i decentralizimit dhe reformave të pushtetit lokal

RADIO EVROPA E LIRË
Javën e ardhshme zoti Marti Ahtisari do të vizitojë Kosovën. Bazuar në takimet e deritanishme për decentralizimin ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Vjenë, cilat janë mendimet tuaja se çka në fakt do të sjellë, çfarë propozimesh do të sjellë Ahtisari në Prishtinë dhe sa mund të përafrohen qëndrimet e Prishtinës dhe zyrës së tij?

ARBEN GASHI
Në qoftë se i bëjmë një rishikim në retrospektivë të gjithë asaj që ka ndodhur në të gjitha takimet në Vjenë deri në ditët e sotme, mund të themi se zoti Ahtisari ka krijuar përshtypjen e tij për situatën e cila ndodhet në Kosovë në aspektin e përgjithshëm. Më tej ka bërë një studim, duke dërguar ekspertë në terren, në Kosovë dhe në bazë të kësaj, ne mund të konkludojmë se zoti Ahtisari ndoshta do të ketë një propozim konkret, i cili do të ishte një formë afrimi i qëndrimeve mes palëve. Këtu kam parasysh edhe palën ndërkombëtare si ndërmjetësuese. Mirëpo kjo, jo domosdoshmërisht garanton se do të kemi një propozim nga zoti Ahtisari. Kjo, duke patur parasysh që qëndrimet janë diametralisht të kundërta, masa e riorganizimit territorial që kërkohet është relativisht jo e përputhshme dhe nuk pritet që të ketë një pajtueshmëri mes palëve sepse numrat janë shumë larg njëri tjetrit. Kur flas këtu, kam parasysh palën serbe dhe palën kosovare. Realitetet janë të papranueshme në terren dhe struktura e organizimit është e papërcaktuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Bazuar në pozicionet e deritashme të Prishtinës dhe Beogradit, duket se theksi i bisedimeve është përqëndruar edhe në numrin e komunave. Sa është e rëndësishme kjo krahasuar me vetë kompetencat dhe organizimin e pushtetit lokal në të ardhmen në Kosovë?

ARBEN GASHI
Manipulimi me numra është bërë si modë këto vitet e fundit në Kosovë. Kur them për numra, kam parasysh me numrin e komunave, edhe pse nuk është e qartë se çfarë lloj statusi do të kenë këto njësi që do të krijohen; a do të jenë njësi nënkomunale, do të jenë komuna apo do të kenë një nivel më të lartë se sa komunat.
Dihet që propozimet janë asimetrike; kemi propozime ku flitet për dy njësi nënkomunale në Mitrovicë, kemi propozime ku flitet për organizim të komunave, bashkim të tyre dhe prodhimin e një diçkaje tjetër që është nivel më i lartë sesa komuna,i cili nuk është i pranueshëm për sistemin ligjor kosovar, si dhe kemi propozimin tjetër, ku niveli është më i ulët sesa komuna dhe përsëri i papërcaktuar në sistem.
Ky konfuzion dhe ky organizim asimetrik nuk jep predispozitë për të patur të qartë se çfarë është komuna, cilat do të jenë komunat dhe sa do të jetë numri pastaj. Manipulimi me numra është diçka që ka shkaktuar një qasje jo të mirë nga qytetarët ndaj procesit.
Njerëzit në Kosovë duke dëgjuar gjithë këto numra, dhjetë numra, pesëmbëdhjetë numra, apo pesë plus një dhe deklaratat në vazhdimësi të grupit negociues kosovar, i cili në mbyllje të çdo takimi në Vjenë, ka deklaruar se pala kosovare ka ofruar shumë qëndrimet me palën ndërkombëtare, se ky është një hap i madh, hap i afrimit drejt pavarësisë së Kosovës dhe deklaratat demagogjike, kanë krijuar një aversitet ndaj procesit. Kjo për arsye se deklaratat u përkthyen në atë formën, ku thuhej pas çdo takimi se pala kosovare ka ofruar ofertën maksimale, gjë që nuk duhej thënë në asnjë formë, sepse pala kosovare nuk guxon dhe nuk do duhej të ofronte oferta, as maksimale as minimale, mirëpo do duhej të ofronte oferta reale të studjuara dhe të bazuara në fakte dhe predispozita për zhvillim.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të flitet atëhere këtu për një decentralizim i cili do të jetë i njëjtë në gjithë territorin e Kosovës, duke patur parasysh gjendjen aktuale në veriun e Kosovës?

ARBEN GASHI
Lufta me koncepte dhe me fjalë është një luftë, e cila krijon një ngatërresë të madhe, sepse kur kemi parasysh me decentralizim është një pjesë e reformës së pushtetit. Kur themi pushtet kam parasysh të gjitha nivelet e pushtetit. Decentralizimi për atë se çfarë ka ndodhur deri tani në Kosovë, ne në konceptin e decentralizimit nuk kemi patur kurrgjë, kemi patur në konceptin e riorganizimit territorial, kryesisht me tendenca monoetnike, të cilat faktikisht janë riorganizime territoriale mbi baza monoetnike. Kjo, sepse këto riorganizime asimetrike në kuadër të administratës publike dhe në kuadër të financave publike, nuk kanë ndodhur në formë të decentralizimit, por kanë ndodhur në formën e riorganizimit.
Kjo krijon atë përshtypje se opinioni publik në përgjithësi mashtrohet, apo i thuhen koncepte që janë më pak të kuptueshme për të, fjalë të mëdhaja.
Decentralizimi duhet të bëhet me qëllim që të arrihet statusi përfundimtar i Kosovës, i cili është pavarësia e Kosovës dhe deklarata të tilla, të cilat janë përdorur në kontinuitet, mirëpo që e kanë patur një devolvim të vazhdueshëm në kuadër të asaj se ku dëshiron pala kosovare të arrijë. Pala kosovare nuk e ka patur një pikë finale se ku dëshiron të arrijë.

RADIO EVROPA E LIRË
Rrjedhimisht nga kjo, atëhere sa në fakt decentralizimi po e mban peng vetë zgjidhjen e statusit të Kosovës?

ARBEN GASHI
Po këtu varet nga qasja, sepse mund të themi se sa statusi i Kosovës po mban peng decentralizimin dhe sa decentralizimi po mban peng statusin e Kosovës. Këto janë pika, që janë shumë të lidhura me njëra tjetrën, mirëpo që janë rritur në mënyrë artificiale.
Decentralizimi është bërë si problem kryesor në mënyrë artificiale, si rezultat i luftës për territore, kryesisht e imponuar nga pala serbe.
Mirëpo kur kemi parasysh për decentralizimin, është bërë gabim që në fillim sepse pala kosovare është deklaruar me fjalë të mëdha se nuk do të pranojë asnjë formë të decentralizimit, riorganizimit apo gjëra të tilla.
Konsumi politik dhe interesi strategjik janë dy gjëra që shpesh përballen me njëra tjetrën, por pala kosovare nuk e ka patur asnjëherë kapitalin politik të konsoliduar që ta përdorë decentralizimin si një element që do të përkthehej në kredit për statusin e Kosovës; ka patur mungesë të kapitalit intelektual që të ketë një vizion të qartë se ku duan të arrijnë dhe mungesë të një kapitali diplomatik, i cili do të siguronte një qëndrueshmëri para bashkësisë ndërkombëtare.
Me gërshetimin e këtyre tre lloj kapitalesh, në momentin vendimtar do të mund të ishin në gjendje të thonin se kjo është oferta përfundimtare e palës kosovare, ofertë reale, e cila i kënaq interesat e të gjitha bashkësive etnike në Kosovë, garanton një shtet të qëndrueshëm, garanton një kontinuitet, një vazhdueshmëri të mbrojtjes së interesave të pakicave dhe garanton një tendencë në rritje të zhvillimit demokratik të Kosovës dhe garanton që Kosova do të jetë një shtet, i cili do të jetë në mënyrë të barabartë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe do të ketë tendenca gjithmonë që të shkojë me hapat e zhvillimit drejt Bashkimit Evropian.

Intervistoi: Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG