Ndërlidhjet

ANTONIJEVIQ: NDARJA NUK DUHET TË PËRJASHTOHET NGA NEGOCIATAT


Vuk Antonijeviq, kryetar i komunës së Leposaviqit

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Antonijeviq, si është situata aktuale në komunën tuaj?

VUK ANTONIJEVIQ
Unë jetoj në komunën e Leposaviqit, që është krejt në veri dhe deri më tash nuk ka kurrfarë ndryshimesh dhe problemesh, pos numrit të shtuar të KFOR-it dhe policisë, dhe së fundi ka ardhur edhe një kontigjent amerikan. Kështu që situata është shumë më ndryshe sesa në pjesët e tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryetar para disa muajsh përfaqësuesit e komunave veriore kanë paralajmëruar disa masa të vetorganizimit dhe ndërprerje të bashkëpunimit me institucionet e Kosovës dhe UNMIK-un. Si i komentoni ju këto dhe a ka pasur lëvizje të tilla?

VUK ANTONIJEVIQ
Në të vërtetë askush nuk ka paralajmëruar ndërprerje bashkëpunimi me UNMIK-un, ndërsa sa i përket bashkëpunimit me institucionet e Kosovës, këto paralajmërime janë bërë pas një serie sulmesh terroriste, për shkak të sigurisë së rrezikuar dhe për shkak të faktit që përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës flasin për pavarësinë e Kosovës si zgjidhje e vetme. Nëse janë negociata, atëherë duhet të ketë kompromis dhe nuk mund të nisesh vetëm nga një pozicion, ose Kosovë e pavarur ose gjakderdhje, kështu që kjo i shqetëson serbët, jo vetëm në veri, por edhe në enklavat e tjera. Kjo ndërprerje pra është bërë për shkak të vrasjes së dy-tre të rinjve serbë në veri, përpjekjet e plaçkitjeve në rrugë të pambrojtura e kështu me radhë. Sa i përket formimit të forcave të sigurisë, kjo nuk ka të bëjë me realitetin, por më shumë kemi menduar për vetorganizim për të forcuar kontrollin. Por nuk janë formuar forca të sigurisë dhe askush nuk ka menduar për këtë, pasi ka mjaft pjesëtarë të forcave ndërkombëtare, të cilët edhe me rezolutën 1244 kanë marrë obligim të madh për të siguruar jetë dinjitoze për të gjithë qytetarët. Pra, për të siguruar jetë të dinjitetshme dhe jo si gjatë këtyre shtatë vjetëve si jetojnë serbët në enklavat që janë geto moderne.

RADIO EVROPA E LIRË
Forcat ndërkombëtare të KFOR-it dhe të policisë e kanë shtuar praninë e tyre në veri, që do të thotë edhe në territorin e komunës suaj. Si e shihni ju këtë dhe a ka pasur ndonjë efekt deri më tash?

VUK ANTONIJEVIQ
Sa i përket pranisë së madhe dhe nëse ata e kryejnë profesionalisht punën e tyre, vërtet askush nuk ka asgjë kundër kësaj dhe të gjithë e duan këtë. Mirëpo, janë të papranueshme deklaratat e disa zyrtarëve të UNMIK-ut dhe KFOR-it, që thonë se kanë ardhur për të disiplinuar serbët në veri dhe t’i detyrojnë të futen në institucionet e Kosovës. Tek e fundit ky nuk është mandati i tyre sipas rezolutës 1244, por kanë mandat për të ofruar sigurinë, për të penguar krimin e organizuar dhe këtë të gjithë e përshëndesin.


RADIO EVROPA E LIRË
Ditët e fundit ka pasur edhe propozimet për ndarjen e Kosovës, siç ishte deklarata e zonjës Sanda Rashkoviq Iviq. Cili është qëndrimi juaj për këtë?

VUK ANTONIJEVIQ
Nëse bëhet fjalë për negociata vërtet edhe për njërën, edhe për palën tjetër, është i dhimbshëm rrëfimi për çfarëdo ndarjeje, mirëpo Kosova është antagonizëm i tmerrshëm në kërkesat e shqiptarëve dhe të serbëve. Kompromisi duhet të përfshijë të gjitha opsionet, prandaj se çka do të mbizotërojë, asgjë nuk mund të përjashtohet dhe nuk mund të thuhet asgjë më pak se pavarësia, asgjë më pak se kjo. Nëse janë negociata, të gjitha duhet të jenë në qarkullim dhe duhet të gjendet një kompromis. Nëse kompromisi nënkupton ndëronjëherë edhe ndarjet territoriale, unë nuk do ta përjashtoja asnjë opcion. Nuk është zonja Rashkoviq-Iviq e para që e ka hapur këtë temë, pasi për ndarjen kanë folur edhe kryeministri i ndjerë Gjingjiq, edhe shkrimtari i njohur serb Qosiq. Kështu që nuk është kjo hera e parë që thuhet, por për herë të parë ka ndodhur një përqëndrim në këtë çështje. Unë mendoj se zonja Rashkoviq ka menduar se nëse shqiptarët nuk duan që të jenë nën pushtin e Beogradit, atëherë serbët e Kosovës nuk duan të jenë nën pushtetin e Prishtinës, por njëfarë autonomie në një autonomi substanciale siç thotë edhe rezoluta 1244, pasi askund në rezolutë nuk përmendet zgjidhja e statusit. Serbia ka potencial demokratik dhe Serbia është një shtet shumë më ndryshe seç ishte më 1999. Prandaj, nuk shoh arsye që të mos mund të gjendet kompromisi për një jetë të përbashkët dhe ndoshta edhe rrëfimet për bashkëjetesë paqësore, pasi secila zgjidhje e shpejtë është fuçi baruti.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i vlerësoni bisedimet e deritashme për decentralizimin dhe çështjet e tjera teknike që janë zhvilluar në Vjenë?

VUK ANTONIJEVIQ
Mendoj se nuk është lëvizur shumë, por bisedimet janë të domosdoshme, pasi më mirë të bisedohet dhjetë vjet sesa të luftohet një ditë dhe kështu mendon secili njeri normal. Pavarësisht nga fakti se nuk ka rezultat të dukshëm dhe pavarësisht nga fakti se qëndrimet janë diametralisht të kundërta dhe të gjithë mendojnë se kanë arsyet e veta për këto qëndrime, duhet të realizohet ai që ka qenë mandat i misionit ndërkombëtar, ndërtimi i Kosovës multietnike. Ju e dini se deri më tash më se 200 mijë serbë nuk janë kthyer në Kosovë. Më vjen keq që në këto bisedime nuk ka më shumë mirëkuptim, por mendoj se kjo është sërish pjesë e fajit të bashkësisë ndërkombëtare që e kanë mandatin për t’i zgjidhur këto probleme që nuk i kanë zgjidhur deri më tash, si dhe institucionet e Kosovës që kanë treguar papjekuri, pasi institucionet e Kosovës është dashur të bëjnë më shumë për kthimin dhe jo të bëjnë obstruksione, pasi bëhet fjalë për fqinjët e tyre të dikurshëm dhe miqtë e tyre, që është e pakuptimtë të mos mund të jetojnë bashkë.
Këtu bëhet fjalë për kërkesa radikale që nuk do ta kënaqin askënd, pasi nuk do të ketë zgjidhje të imponuara. Kjo do të ishte e keqja më e madhe, sepse do të mbetet një vatër krize. Të gjithë ne që jetojmë në Kosovë duam zgjidhje të arsyeshme, pasi deri dje kemi qenë fqinjë, kolegë dhe kemi ndarë të njëjtat vende të punës.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi


XS
SM
MD
LG