Ndërlidhjet

logo-print

QEVERIA VLERËSON POZITIVISHT PËRMBUSHJEN E STANDARDEVE PËR KTHIM DHE LËVIZJE TË LIRË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Krijimi i kushteve për një kthim të qëndrueshëm të personave të zhvendosur dhe përparimet në lirinë e lëvizjes, janë standarde që po shënojnë përparime çdo ditë e më tepër, ka vlerësuar sot qeveria e Kosovës, përkatësisht grupi qeveritar për zbatimin e këtyre standardeve. Zëvendësi i Ministrit të Pushtetit Lokal, Aziz Lila, tha se ndërtimi i shtëpive të dëmtuara si pasojë e trazirave të marsit të vitit 2004 dhe plotësimi i disa kritereve të tjera të parapara me planin e standardeve, janë të arriturat kryesore të evidentuara së fundit:

"Si përparime të evidentuara në periudhën ndërmjet dy takimeve, janë vazhdimi i ndërtimit të shtëpive të dëmtuara si pasojë e ngjarjeve të marsit. Kemi si të arritur kthimin e të zhvendosurve, pastaj e arritur është dhe përfundimi i udhëzimit administrativ për ndarjen e drejtë financiare, ku me qëllim që ky udhëzim të implementohet sa më shpejt, më 15 gusht është mbajtur trajnimi i gjithë zyrtarëve komunalë. Po ashtu si të arritur kemi dhe përcjelljen e të gjitha akteve nënligjore nëpër komuna, e cila ka qenë si pikë e tetë nga plani 13 pikësh i Grupit të Kontaktit”, tha Lila.

Ndërsa nuk është folur për shifrat e personave të kthyer, zëvendësministri Lila tha se projektet e shumta parashohin kthimin e të zhvendosurve nëpër zona të ndryshme. Zëvendësministri Lila veçoi komunën e Klinës, si vendin ku më së tepërmi ka kthim të qëndrueshëm. Pas saj, vjen rajoni i Pejës dhe komuna të tjera. Ai shprehu bindjen e tij se në standardin e kthimit të të zhvendosurve dhe lirisë së lëvizjes, nuk do të ketë vështirësi për të konstatuar plotësimin e tyre:

“Sa i përket çështjes së të kthyerve është duke vazhduar nëpër zona të ndryshme. Unë mendoj se në këto dy standarde nuk do të kemi pengesa, si edhe në standardet e tjera. Mund të kemi ndoshta pengesa për shkak të mungesës së provave, fakteve, te çështja e standardeve të ngjarjeve të marsit, por ato nuk i përkasin kthimit dhe lirisë së lëvizjes, kurse këto të tjerat besoj se do t’i plotësojmë plotësisht”, theksoi Lila.

Sipas një doracaku të botuar më herët, thuhet se gjatë muajit korrik janë shënuar përparime të dukshme në kthimin e qëndrueshëm, duke arritur kthimin e 306 qytetarëve, ku 53 prej tyre janë serbë, 107 romë, 123 ashkali dhe egjiptas, e kështu me radhë.

Ndërsa qeveria e Kosovës mëton që duke filluar nga muaji tetor, planin e standardeve ta inkorporojë në atë të partneritetit evropian, Grupi i Kontaktit në vlerësimin e fundit të bërë këtë javë, ka konstatuar ngecje në përmbushjen e standardit lidhur me sanimin e dëmeve të shkaktuara gjatë trazirave të marsit të vitit 2004. Gjatë muajit tetor, Këshilli i Sigurimit do të bëjë dhe një vlerësim teknik dhe politik të përmbushjes së standardeve. Nga ai vlerësim do të varet shumë nëse qeveria me të vërtetë do t’ia dalë që ta shpallë të përmbyllur kapitullin e standardeve për Kosovën.



XS
SM
MD
LG