Ndërlidhjet

DREJTIMI I ARDHMËRISË SË KOSOVËS


NEW YORK TIMES

Lufta e vitit 1999 e la Kosovën në një amulli politike, duke e shtyrë për ndonjë ditë tjetër çështjen e pavarësisë së mundshme. Kjo ditë tash është pranë dorës, dhe pyetja kryesore me të cilën përballet bashkësia ndërkombëtare është jo nëse Kosova do të bëhet e pavarur, por kur dhe si? Bisedimet për statusin pritet të përmbyllen në disa muajt e ardhshëm, ndërsa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të vendosë për çështjen nga fundi i vitit.
Plani fillestar ishte që udhëheqësit politikë të Kosovës ta demonstronin aftësinë e tyre për të qeverisur me përgjegjësi, përpara se të mund të fillonin diskutimet formale për sovranitetin. Ata nuk e kanë bërë këtë sa duhet, ndonëse me ngurrim kanë bërë disa hapa nën presionin ndërkombëtar.
Sidoqoftë, nga pikëpamja praktike, kujdestaria ndërkombëtare e Kosovës nuk mund të zgjatet në pakufi. Mënyra më premtuese për ta inkurajuar progresin e mëtejmë është që të ecet përpara me kujdes drejt një forme të kushtëzuar të pavarësisë së kufizuar.
Tash si asnjëherë më parë, çështja më kritike është garantimi i të drejtave të pakicës etnike serbe. Çdo marrëveshje për pavarësinë do të duhej t'u sigurojë pakicave rol të konsiderueshëm në qeveri, veçanërisht në fushat e ndjeshme si Ministria e Drejtësisë.
Të paktën për disa vitet e para, pushteti i qeverisë së Kosovës duhet të jetë saktësisht i kufizuar. Autoriteti ndërkombëtar do të duhet të mbikqyrë qeverinë në plotësimin e konditave të dakorduara ndërkombëtarisht, duke i kushtuar kujdes të posaçëm çështjeve si sundimi i ligjit dhe të drejtat e minoriteteve. Disa mijë trupa të udhëhequr nga NATO-ja duhet të mbeten në Kosovë, me kompetenca për të ndërhyrë në rastet e nevojshme për të imponuar pajtimin.
Shumica e vendeve që kanë trupa në Kosovë, do të parapëlqenin që ato trupa tash t'i sjellin në shtëpi. Por marshi i Kosovës drejt pavarësisë do të mbetet i vështirë dhe i rrezikshëm për vite me radhë. Nevoja për një prani të armatosur të vazhdueshme duhet të jetë e panegociueshme.

XS
SM
MD
LG