Ndërlidhjet

logo-print

SHKALLA E NDOTJES TEK UJI I PISHËM DHE PISHINAT SHKAKTUAN MENINGJITIN SEROZ


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Numri i rasteve të prekura nga tashmë epidemia e meningjitit seroz në Kosovë ka kaluar 400-shin, thonë zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, sipas të cilëve kalimi i sezonit të verës jep shpresë për zvogëlimin e infektimeve dhe riinfektimeve të reja me këtë virus, që sivjet është shfaqur në fillim të korrikut.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Ilir Begolli, tha se situata është nën kontroll, dhe kjo nuk është hera e parë që Kosova po përballet me epideminë e meningjitit.
"Në vitin 2000 janë regjistruar 645 raste të meningjitit seroz, në vitin 2001- 509 raste, në vitin 2002- 478 raste, në vitin 2003- 350 raste, në vitin 2004- 508 dhe në vitin 2005- 298", tha zoti Begolli.

Ilir Begolli tha se burimi kryesor i kësaj sëmundjeje janë pishinat dhe vendet e tjera ku qytetarët kërkojnë freski këto ditë vere, meqë këto pishina nuk i përmbushin kërkesat e kërkuara higjienike, ndërkohë që sipas tij vetëm 40 përqind e qytetarëve të Kosovës shfrytëzojnë ujë për pije nga ujësjellësit.

"Arsyeja e dytë që mund të jetë e rrezikshme për qytetarët e Kosovës është edhe uji i pijshëm. Vetëm 40 përqind e qytetarëve përdorin për të pirë ujin nga ujësjellësit. Pjesa tjetër furnizohet nga burime shumë të dyshimta, të cilat duke i kontrolluar kohë pas kohe, kemi konstatuar kontaminime fekale të larta të këtyre burimeve", tha zoti Begolli.

Doktor Begolli tha se meningjitet seroze shfaqen më së shumti gjatë sezonit të verës, prandaj me kalimin e këtij sezoni dhe me zvogëlimin gradual të numrit të pushuesve dhe përdoruesve të pishinave, shpresojmë se do të zvogëlohet edhe numri aktual i ri i infektimeve.

Ndër rajonet më të goditura është komuna e Vushtrisë, ku deri më tash janë regjistruar mëse 50 raste të meningjitit.
Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi në komunën e Vushtrisë Hamit Xhaferri, tha se sipas analizave që kanë bërë, shkaktari më i shpeshtë i kësaj sëmundjeje në këtë komunë është uji i pijshëm.
"Numri një që shkakton këtë sëmundje është tek ne uji nëpër vendet rurale, nëpër puse. Gjithashtu janë edhe disa pishina," tha zoti Xhaferri.

Megjithatë ai tha se të gjithë janë të mobilizuar dhe situata është nën kontroll.
"Situata është nën mbikqyrje. Mjekësia familjare, gjegjësisht urgjenca dhe reparti pediatrik janë duke e përfillur gjendjen. Rastet që nuk mund të menaxhohen këtu dërgohen në Mitrovicë", pohoi zoti Xhaferri.

Ndër komunat e goditura janë dhe Gllogovci, Skënderaj, Malisheva dhe Prishtina, mirëpo përgjegjësit thonë se nuk ka vend për panik, edhe pse qytetarët duhet të kenë kujdes lidhur me ujin që pijnë dhe lidhur me pishinat që shfrytëzojnë gjatë ditës së verës, kur temperaturat tropikale kanë përfshirë edhe Kosovën.

XS
SM
MD
LG