Ndërlidhjet

logo-print

VITI I RI SHKOLLOR FILLON PA GREVA


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Ky vit shkollor, për dallim nga vitet e mëparshme duket se do të fillojë në mënyrë të rregullt dhe pa paralajmërime për grevë të mësimdhënësve. Edhe pse pagat e punëtorëve në sistemin e arsimit publik nuk kanë ndryshuar fare, Ali Shabani, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, tha se kjo sindikatë do të angazhohet në bisedime për të mundësuar fillimin e vitit shkollor në kohë të caktuar.

"Nuk mund të them se do të fillojë me grevë. Së bashku me organet që ka brenda sipas statutit, do të analizojmë vazhdimisht situatën në sistemin e arsimit publik dhe normalisht do të marrim veprime konkrete nëse ato janë të domosdoshme", tha zoti Shabani.

Për këtë qëllim bisedimet me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kanë filluar dhe zoti Shabani thotë se ministri i Arsimit ka premtuar angazhim të përhershëm në ndryshimin e gjendjes aktuale të mësimdhënësve kosovarë.

"Sipas premtimeve të tij ministri i arsimit do të angazhohet maksimalisht që të korrigjohen edhe çështjet në lëminë e shpenzimeve materiale për punëtorët e arsimit, por edhe në realizimin e kontratës kolektive, nene të saja të cilat derimë tani nuk janë realizuar", tha Ali Shabani.

Zoti Shabani ndërkaq tha se në sistemin e arsimit nuk do të ketë zvogëlim të numrit të të punësuarve për dhjetë përqind, siç është paralajmëruar në ndërmarrje të tjera publike.
"Sa i përket zvogëlimit të punëtorëve të arsimit në Kosovë, që ishte paraparë për dhjetë përqind të shërbimeve publike, ministri i Arsimit deklaroi që nuk do të zvogëlohet numri, përkundrazi ai do të shtohet", theksoi Ali Shabani.

Ismet Osdautaj, zyrtar për informim në Ministrinë e Arsimit, ndërkaq tha se kjo ministri ka kërkuar nga Ministria e Financave, rritjen e numrit të mësimdhënësve në arsim, pas vendimit për të futur lëndën e gjuhës angleze.

"Sivjet kemi risi fillimin e mësimit të gjuhës angleze, për nxënësit e klasës së tretë të arsimit fillor. Për t'u bërë kjo punë sa më mirë, ministria paraprakisht ka përgatitur 160 mësimdhënës, të cilët duhet të jenë të përgatitur për këtë lëndë në mënyrë të veçantë", tha zoti Osdautaj.

Pavarësisht nga kjo zoti Shabani, nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë pohon se trysnia mbi Ministrinë e Arsimit dhe qeverinë e Kosovës në përgjithësi do të jetë e vazhdueshme në kuadër të përpjekjeve për të rritur buxhetin në sistemin e arsimit.

"Ne do të bëjmë vazhdimisht trysni në këtë plan edhe në Ministrinë e Arsimit, edhe në kabinetin qeveritar, i cili duhet të merret në mënyrë më aktive me sistemin e arsimit publik në Kosovë", tha zoti Shabani.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit vitin e kaluar ka mbajtur një grevë 26 ditëshe, me qëllim të rritjes së pagave të punëtorëve në këtë fushë. Kjo krevë kishte përfunduar pas një marrëveshjeje me Ministrinë e Arsimit, nga e cila mësimdhënësit kanë përfituar rritje pagash prej 7 eurosh në muaj dhe nënshkrimin e Kontratës Kolektive.
Paga e mësimdhënësve sillet rreth 200 euro në muaj, ndërsa Kontrata Kolektive fillon të zbatohet pjesërisht nga 1 shtatori.

XS
SM
MD
LG