Ndërlidhjet

PËRKUFIZIMI I RI RRIT NUMRIN E PLANETEVE NË SISTEMIN DIELLOR


Sistemi ynë Diellor së shpejti mund të ketë 12 në vend të 9 planeteve, thanë astronomët në një takim në Pragë. Dekada me radhë, shkencëtarët kanë diskutuar shumë mbi pyetjen nëse Plutoni vërtetë është planet.

Në një tubim që po mbahet në kryeqytetin e Çekisë, shoqata e astronomëve nga mbarë bota ka propozuar një përkufizim të ri, sipas të cilit, numri i planeteve në sistemin tonë Diellor, nga 9 do të rritet në 12.

Fjala planet rrjedh nga greqishtja, që do të thotë endacak. Kjo nënkupton se planetet fillimisht janë përkufizuar si objekte që lëvizin nëpër hapësirë, krahasuar me pozitën e yjeve.
Por sot janë zbuluar qindra objekte të tjera në zonën e sistemit tonë Diellor, gjë që ka sfiduar përkufizimin e vjetër për planetet.
Madhësia e këtyre objekteve shpesh herë ia kalon edhe Plutonit, i cili historikisht njihet si "planeti i nëntë". Por, a mundet që këto zbulime të reja të konsiderohen planete?

Shoqata Ndërkombëtare e Astronomëve ka hartuar një përkufizim të ri për planetet, duke shfrytëzuar të arriturat moderne për matjen e përmasave të objekteve që gjenden në natyrë. Duke e paraqitur propozimin në konferencën në Pragë, kryetari i shoqatës Roland Ekers, tha se komuniteti i astronomëve ka nevojë të bëjë sqarime plotësuese për terminologjinë që përdor.

"Sa më shumë objekte që zbulohen, mungesa e një përkufizimi për planetet po shkakton gjithnjë e më shumë konfuzion", tha Ekers.
Owen Gingerich, i cili e kryeson komitetin për përkufizimin planetar, tha se për t'u quajtur planet, objekti duhet të rrotullohet në orbitën rreth ndonjë dielli, vetë të mos jetë diell, por të jetë mjaft i madh dhe të ketë formën sferike.

"Duket se do të ketë një rishqyrtim të rëndësishëm shkenco, dhe kjo do të jetë natyra fizike e vetë objektit. Pra, a është objekti mjaft i madh sa të ketë gravitacion për të tërhequr planetet tjera rreth vetes", thotë Gingerich.

Tashmë 70 vjet Plutoni njihet si planet, edhe pse nuk i ka përmasat dhe gravitetin si planetet e tjera në sistemin Diellor. Astronomët tani duan të bëjnë dallime mes objekteve të ngjashme me Plutonin dhe planeteve të tjera, por duke mos i lënë anash veçoritë e Plutonit.
Gingerich shpjegon se shkencëtarët tani kanë dalë me një emër të ri për objektet e tilla: ato do të quhen Plutonë.

"Ne flasim për 8 planetet klasike-Merkuri, Venusi, Toka, Marsi, Jupiteri, Saturni, Urani dhe Neptuni, si dhe për kategorinë e plutonëve, e cila përfundimisht do të jetë një kategori në rritje", tha Gingerich.

Plutonët dallohen nga planetet klasike për faktin se u nevojiten mbi 200 vjet për ta bërë një rrotullim rreth Diellit. Në këtë kategori tani pritet të hyjnë edhe 3 objektet e tjera në sistemin diellor, të quajtura Xena, Cheron dhe Ceres, kështu që numri i planeteve në sistemin Diellor do të shkojë në 12.

Gingerich, tha se dhjetra kandidatë të tjerë mund t'i bashkangjiten listës së planeteve në të ardhmen. Propozimi do të votohet më 24 gusht nga anëtarët e Shoqatës Ndërkombëtare të Astronomëve.


XS
SM
MD
LG