Ndërlidhjet

LIMAJ: KOSOVA ËSHTË E GATSHME PËR GARANTIMIN KUSHTETUES TË TË DREJTAVE TË PAKICAVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Të drejtat dhe interesat e pakicave në fushën e përfaqësimit në Kuvendin e Kosovës dhe në qeveri do të jenë të mbrojtura me kushtetutë, tha sot Fatmir Limaj anëtar i grupit politik-strategjik të ekipit të Kosovës, pas një takimi që ekipi kosovar ka pasur me ekipin e ekspertëve të zyrës së presidentit Ahtisari.

Zoti Limaj tha se pala kosovare ka ofruar një varg mekanizmash për të siguruar përfaqësim të drejtë dhe funksional të pakicave dhe sidomos të komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës:

"Mendoj se kemi bërë përparim të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve. Dua t’ju njoftoj se ne kemi futur një mekanizëm të rëndësishëm dhe qenësor, që quhet mekanizmi për mbrojtjen e interesave vitale, që nënkupton njohjen e të drejtës së shumicës së dyfishtë në institucionet e Kosovës, domethënë votimi me shumicën e dyfishtë në parlamentin e Kosovës," tha Limaj, sipas të cilit ky mekanizëm do të aplikohet me rastin e ligjeve që konsiderohen të rëndësishme lidhur me interesat e komuniteteve.

Zoti Limaj tha se po përgatitet një listë e ligjeve që hyjnë në këtë fushë, ndërsa garancitë do të jenë kushtetuese:
"Mekanizmi i interesit vital është një mekanizëm kushtetues dhe ashtu duhet të parashihet edhe në Kushtetutën e re të Kosovës", tha Fatmir Limaj.

Zoti Limaj tha se qëllimi i delegacionit të Kosovës është integrimi funksional i serbëve dhe komuniteteve të tjera në ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës:

"Qasja e delegacionit të Kosovës ka qenë që ne nuk jemi këtu për t’u dhuruar të drejta të tjerëve, pasi nuk duam të jemi në ato pozita, por ne jemi këtu për të ndërtuar një shtëpi të përbashkët dhe në ndërtimin e saj duhet të marrin pjesë të gjithë komunitetet. Nuk ka pozicione kush po jep e kush po merr, kush po fiton më shumë e kush më pak, por ideja është që ta bëjmë shtetin dhe ta bëjmë atë funksional dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve", tha Fatmir Limaj.

Një çështje e rëndësishme e diskutuar në takimin e sotëm të grupit politik strategjik të Kosovës me ekipin e ekspertëve të Ahtisarit, sipas zotit Limaj ishte edhe çështja e garantimit të pjesëmarrjes së serbëve në Kuvend:

"Kemi propozuar që ata të kenë dhjetë vende të garantuara dhe jo të rezervuara, që do të thotë se nëse komunitetet në zgjedhjet parlamentare do të fitonin pesë vende, ata i kanë të garantuar plus pesë, tha Limaj, sipas të cilit nëse serbët fitojnë njëmbëdhjetë vende në zgjedhje të lira, nuk kanë vende të tjera shtesë", tha Fatmir Limaj.

Zoti Limaj tha se sa i përket pjesëmarrjes së serbëve në qeverisje, propozimi kosovar është që serbët të trajtohen si partner qeveritar dhe jo si t’u dhurohet një vend në qeveri vetëm sa për të qenë.

Ekipi i ekspertëve ka biseduar dje me palën kosovare për çështjen e decentralizimit dhe pritet të jenë në Kosovë deri të premten kur përfundon vizita që pritet të fillojë sot e kryenegociatorit Marti Ahtisari.

XS
SM
MD
LG