Ndërlidhjet

MARTI AHTISARI MBËRRIN NË PRISHTINË


Zijadin Gashi, Prishtinë

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, ka mbërritur sot në Prishtinë në përpjekje të harmonizimit të qëndrimeve me palën kosovare për sa i përket gjetjes së zgjidhjeve për decentralizimin dhe pozitën e pakicave pas përcaktimit të statusit. Me të mbërritur në aeroportin e Prishtinës, Ahtisari tha se po realizonte një pjesë të agjendës së tij, që ka për qëllim përmbylljen e çështjeve praktike në kuadër të pakos për statusin Kosovës:

“Në bisedimet për statusin në Vjenë unë e kam prezantuar një plan punues për muajin gusht dhe shtator, pra udhëtimi im këtu është pjesë e këtij plani”, pohoi kryendërmjetësi ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Ahtisari.

Ai tha se gjatë qëndrimit në Kosovë fillimisht do t’i takojë ekspertët e zyrës së tij, të cilët për dy ditë rresht kanë bërë përpjekje t’i harmonizojnë qëndrimet me palën kosovare lidhur me decentralizimin dhe të drejtat e pakicave. Kurse nesër paradite, Ahtisari tha se planifikon t’i takojë udhëheqësit kosovarë dhe ekipin e unitetit.

Në anën tjetër, delegacioni i Kosovës për statusin, ka rikonfirmuar sot sërish pozicionet e veta të shprehura lidhur me decentralizimin dhe pozitën e pakicave në Kosovë.
Zëdhënësi i ekipit negociues, Skënder Hyseni, tha se pala kosovare është e përgatitur për takimin e nesërm me Ahtisarin:

“Ekipi negociues së bashku me grupin politik strategjik përvijoi nëpër çështjet që presin të shtrohen në takimin me presidentin Ahtisari dhe delegacioni ka qëndrime dhe është shumë i përgatitur për këtë takim”, tha zëdhënësi i ekipit negociues, Skënder Hyseni.

Sipas zëdhënësit Hyseni, ndonëse pala kosovare konsideron se shumica e çështjeve të diskutuara dy ditët e fundit në Prishtinë lidhur me decentralizimin dhe pakicat janë të përmbyllura, ekipi i Ahtisarit konsideron se për disa çështje ende duhet të diskutohet. Hyseni tha po ashtu se pala kosovare i ka bërë me dije UNOSEK-ut për vijat e kuqe, të cilat Prishtina nuk do t’i kalojë gjatë negociatave dhe këto qëndrime do t’ia paraqesë dhe nesër ndërmjetësit Ahtisari:

“Ta zëmë, ne fuqimisht dhe me këmbëngulje e kundërshtojmë çfarëdo varianti që e bashkon Mitrovicën e veriut me Zveçanin apo shkrirjen e tyre në një komunë. Ka shumë çështje, ta zëmë nuk jemi pajtuar rreth numrit të zonave kadastrale që duhet t’i bashkëngjiten një komune a një tjetre, dhe ka ende çështje të hapura. Por po them se qëndrimet janë shumë të afërta dhe ajo që është me rëndësi është që vijat e kuqe që ne i kemi përcaktuar, tash për tash nuk rrezikohen dhe nuk kërcënohen”, tha Hyseni.

Ndonëse përcaktimi i “vijave të kuqe” nënkupton se Prishtina nuk do të lëshojë pe për zgjidhjen tashmë të ofruar për Mitrovicën, si një qytet me dy komuna si dhe për kompetenca që Prishtina mëton t’u jap komunave në polici, gjyqësi, shëndetësi e arsim, Hyseni tha se procesi nuk është në krizë dhe pritet që gjatë takimit me Ahtisarin, të shënohet përparim i mëtejmë në procesin negociator, duke dëshmuar se pala kosovare ka paraqitur pozicione që ofrojnë zgjidhje konkrete dhe funksionale.

XS
SM
MD
LG