Ndërlidhjet

AHTISARI TAKON LIDERËT E INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pas një orë bisedimesh me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës dhe dy orë bisedime me ekipin negociues, i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari ka përfunduar këto takime, pa dhënë asnjë deklaratë lidhur me rrjedhën e takimeve, ku theks i veçantë i është kushtuar decentralizimit.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se pala kosovare ka shprehur qëndrimet e veta, tashmë të deklaruara lidhur me statusin, për Kosovën shtet të pavarur e sovran, pacenueshmërinë e territorit të saj, si dhe lidhur me decentralizimin, duke ofruar sërish formulën 5 plus 1, që do të thotë formimin e gjashtë komunave me shumicë serbe.

Sejdiu nuk foli lidhur me formulën që kishte paraqitur në anën tjetër Ahtisari, por tha se delegacioni i Kosovës ka paraqitur pozicionin e vet të bazuar në mandatin që ka, duke qenë i gatshëm dhe të bashkëpunojë ngushtë me Ahtisarin dhe Grupin e Kontaktit gjatë procesit negociues, tha Sejdiu:

“Mund të them se ne kemi shprehur ato qëndrime që kemi pasur si delegacion, me dëshirën që të kuptohemi drejt në mandatin që kemi. Natyrisht do të punojmë edhe më tej në kuptim të bashkëpunimit me zotin Ahtisari dhe ekipin e tij, si dhe me Grupin e Kontaktit, duke patur parasysh dhe vlerësuar lart qëndrimet që ai ka patur rreth Kosovës, rreth ndihmës së gjithë proceseve dhe konceptit të tërësisë territoriale të Kosovës si të pacenueshme, duke pasur parasysh edhe mos kthimin në gjendjen e mëparshme dhe elemente të tjera që ju i dini shumë mirë. Mund të them që ne do të bëjmë punën tonë për të ecur në vizionin që kemi për pavarësinë e Kosovës”, tha Sejdiu.

Sejdiu tha se nuk është përjashtuar mundësia që të bëhet dhe një rishikim i kufijve të disa prej komunave të reja që do të formohen. Ai tha se oferta e Prishtinës bazohet në standardet ndërkombëtare dhe se një ofertë e tillë vlen edhe për pikat e tjera të diskutuara në agjendën e Ahtisarit:

“Për pjesën tjetër që ka të bëjë me trashëgiminë kulturore dhe me elementet e tjera, ne do t’i përfillim standardet ndërkombëtare që janë për to. Jashtë standardeve ndërkombëtare nuk mund të dalim. Për ne është shumë me rëndësi që edhe ajo pjesë që parashihet si pjesë e zonifikimit ,edhe sipas projektit tonë të zonave mbrojtëse të monumenteve të tilla, të jetë një pjesë që nuk cënon pronën e qytetarëve të Kosovës, por të rregullohet me ligj forma e shfrytëzimit”, theksoi presidenti i Kosovës.

Sejdiu tha se pala kosovare po jep kontributin e vet maksimal që të arrihet një marrëveshje në interes të qytetarëve të Kosovës.
Ndërkohë, Ahtisaari ka takuar dhe liderin e Listës Serbe, Oliver Ivanoviq. Pas takimit Ivanoviq tha se përveç rëndësisë që ka formimi i komunave të reja, decentralizimi dhe kompetencat e komunave kanë rëndësi të njëjtë.

“Është me rëndësi që autorizimet që komunat e reja do t’i kenë t’i përfshijnë të gjitha fushat, për të cilat serbët janë të interesuar, e ku bëjnë pjesë arsimi në të dy nivelet, shëndetësia, çështjet sociale, si dhe roli i caktuar në privatizimin e ndërmarrjeve publike”, tha Ivanoviq. Ai kërkoi që edhe komuna e Lipjanit t’i nënshtrohet decentralizimit urban, si edhe të formohet komuna e Prilluzhës.

Gjatë gjithë kohës sa mbaheshin bisedimet, para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës kanë protestuar disa aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje, duke kundërshtuar formën e negocimit dhe kërkuar të drejtën e vetëvendosjes për Kosovën. Për t’i larguar nga dyert e Kuvendit, policia është detyruar t’i arrestojë 65 persona, kryesisht aktivistë të kësaj lëvizjeje.

Marti Ahtisari ka filluar dje vizitën e tij në Kosovë. Përveç liderëve vendorë, Ahtisari ka në agjendë dhe zhvillimin e takimeve të shumta me përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë. Nesër ai do të vizitojë veriun e Kosovës ku do të takohet me përfaqësues të atjeshëm serb. Kurse të premten, para largimit nga Kosova, Ahtisari do t’u drejtohet mediave lidhur me rezultatet e vizitës së tij.



XS
SM
MD
LG