Ndërlidhjet

SERBËT E KOSOVËS TË PAKËNAQUR NGA ZGJIDHJET E OFRUARA PËR PAKICAT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës mendojnë se garancitë që u janë ofruar në dokumentin për të drejtat e komuniteteve, janë të pamjaftueshme në mënyrën siç janë paraqitur dje, pas takimit të grupit politik strategjik të Kosovë me ekspertët e zyrës së Ahtisarit në Prishtinë.

Njëri nga udhëheqësit e Listë Serbe për Kosovën e Metohinë, Rangjel Nojkiq tha për radion Evropa e Lirë, se qëndrimi i prezantuar dje për dhjetë vende të garantuara për serbët në parlamentin e Kosovës është i papranueshëm. Nojkiq tha se përfaqësuesit serbë insistojnë që të ruhet zgjidhja e tashme e përfshirë në Kornizën Kushtetuese, sipas të cilës dhjetë vende janë të rezervuara për bashkësinë serbe, pavarësisht nga numri i deputetëve që i fitojnë në zgjedhje:

"Mendoj se një qëndrim i tillë do të thotë se duan që brenda institucioneve të kenë një numër të caktuar të serbëve, me të cilët do të mund të manipulonin lehtë," tha Nojkiq, sipas të cilit një zgjidhje e tillë nuk do të ishte e pranueshme, por kërkohet që të jenë dhjetë vende të rezervuara e krahas tyre edhe vendet që fitohen në zgjedhje.

Sipas asaj që është prezantuar dje, kur bëhet fjalë për mekanizmat e mbrojtjes së interesave të komuniteteve, ka ende paqartësi, sidomos lidhur me shumicën e dyfishtë. Domethënë aktualisht nuk është e qartë nëse kërkohet shumica e dyfishtë e të gjithë deputetëve apo e deputetëve të bashkësisë etnike me të cilën ka të bëjë ligji që votohet.

Zoti Nojkiq mendon se mekanizmat e tilla duhen siguruar përmes gjyqësisë, policisë dhe institucioneve:
"Për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me komunitetin e caktuar duhet të votohet me shumicën e votave dhe nëse nuk deklarohet komuniteti për atë ligj me shumicën e votave të deputetëve të atij komuniteti, ligji duhet t’i nënshtrohet rishqyrtimit," tha Nojkiq.

Ndërkaq, kur është fjala për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj Supreme, sipas zotit Nojkiq, këtu duhet të sigurohet përfaqësim i të gjitha bashkësive dhe konsensus i vendimmarrjes:

"Të gjithë përfaqësuesit e komuniteve duhet të jenë të përfshirë dhe ky është problemi kryesor ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Vendimet duhet të merren me konsensus dhe nëse nuk ka konsensus, nuk duhet të ketë as vendim," tha Nojkiq.

Përfaqësuesit e Listës Serbe për Kosovën e Metohinë kanë marrë pjesë në punën e grupit konsultativ për komunitetet pakicë në Durrës dhe në Selanik dhe kanë insistuar që të sigurohen mekanizma kushtetuese dhe ligjore për mbrojtjen e interesave vitale kombëtare, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare. Përfaqësuesit e grupit negociues të Kosovës thonë se në zgjidhjet e ofruara kanë pasur parasysh pikërisht standardet dhe praktikat më të larta ndërkombëtare.



XS
SM
MD
LG