Ndërlidhjet

UNDP: DALLIMET MES SHQIPTARËVE DHE SERBËVE PËR STATUSIN E KOSOVËS VAZHDOJNË TË JENË TË SKAJSHME


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Shqiptarët dhe serbët e Kosovës vazhdojnë të kenë mendime të skajshme rreth zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. Në raportin e paralajmërimit të hershëm i cili është publikuar sot nga Programi për Zhvillim i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNDP, thuhet se pavarësia e Kosovës brenda kufijve të tanishëm mbetet preferenca kryesore në mesin e 95 përqind të shqiptarëve dhe 74 përqind të pakicave jo serbe.

Ndërkaq, pjesëtarët e komunitetit serb janë të ndarë në mes atyre që pëlqejnë ndarjen e Kosovës në 46 përqind dhe atyre që dëshirojnë që Kosova të jetë krahinë autonome e Serbisë në 35 përqind.
Martins Hildebrants nga UNDP, pohon se sipas të anketuarve, faktorë kryesorë që kërcënojnë stabilitetin e Kosovës, mbetet çështja e pazgjidhur e statusit të Kosovës dhe papunësia. Të dy këta faktorë, thuhet në raport, kanë ndikuar edhe në gatishmërinë e njerëzve për të protestuar.

“Niveli i gjithëmbarshëm i gatishmërisë për të protestuar qoftë për arsye politike apo ekonomike është ende shumë i lartë," tha zoti Hildebrants, për të shtuar se 35 përqind e të anketuarve kanë deklaruar se do të marrin pjesë në protesta për arsye politike, ndërkaq 62 përqind për çështje ekonomike. Megjithatë, përqindja e gatishmërisë për të protestuar është më e vogël se ajo që ka qenë në fund të vitit të kaluar.

Zoti Hildebrants, ndërkaq thotë se në raport është përfshirë edhe toleranca ndëretnike dhe sipas hulumtimeve, numri i serbëve që mendojnë se marrëdhëniet ndëretnike janë të tensionuara ka rënë nga 83 përqind sa ka qenë në fund të vitit të kaluar, në 41 përqind.
“Numri i të anketuarve nga radhët e serbëve të Kosovës, të cilët mendojnë se marrëdhëniet ndëretnike janë të tensionuara dhe se do mbesin të tilla, tashmë është më i ulët në krahasim me fundin e vitit të kaluar”, tha zoti Hildenbrants.

Në raport gjithashtu thuhet se toleranca ndëretnike është duke shënuar rritje të vazhdueshme, me vetë faktin se 52 përqind e të anketuarve shqiptarë kanë deklaruar se do të pajtoheshin të punonin së bashku me serbë dhe një përgjigje të ngjashme kanë dhënë edhe pjesëtarët e komunitetit serb. Ajo që është cilësuar si faktor kryesor që ndikon në tensionimin e marrëdhënieve ndëretnike është ndikimi i Beogradit në zhvillimet politike të Kosovës dhe përqindja në këtë drejtim është në rritje e sipër.
Raporti i publikuar sot është i 13-ti me radhë dhe në të janë përfshirë 1 200 qytetarë.
XS
SM
MD
LG