Ndërlidhjet

AHTISARI BISEDIMET PËR STATUSIN NUK KANË SHËNUAR PËRPARIME


Zijadin Gashi, Prishtinë

Bisedimet për statusin e Kosovës deri më tash nuk kanë shënuar përparime, ngase palët nuk kanë lëvizur nga pozicionet. Por, ajo që ne tani po mundohemi të arrijmë, është gjetja e zgjidhjeve për çështjet praktike, ku bëjnë pjesë decentralizimi, të drejtat e pakicave, mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe çështjet ekonomike, ka thënë sot në Zveçan, kryendërmjetësi i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari.

Këto komente, Ahtisari i ka bërë pas një takimi që zhvilloi me kryetarët e tre komunave veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Ahtisari tha se i ka njoftuar përfaqësuesit lokal serb me ecurinë e deritanishme të bisedimeve dhe përpjekjet e tij dhe bashkësisë ndërkombëtare që të dinamizohet procesi dhe të gjenden zgjidhje për çështjet praktike, pasi për vetë statusin e Kosovës, nënvizoi Ahtisari, nuk ka lëvizje nga pozicionet fillestare:

“Mendoj se ne duhet t’i dallojmë dy format e negociatave. E para ka të bëjë me statusin, ku qëndrimet e palëve janë mirë të njohura dhe nuk ka lëvizje. Kosovarët kërkojnë pavarësi, kurse Beogradi ofron autonominë si zgjidhje. Por, ne tani jemi duke i diskutuar çështjet e tjera që duhet të zgjidhen paraprakisht, ku bëjnë pjesë decentralizimi dhe të drejtat e pakicave”, tha Ahtisari.

Në interesimin e gazetarëve nëse pret ai që në takimin me delegacionin e Kosovës, sot pasdite të marrë përgjigje pozitive për kërkesat e tij lidhur me decentralizimin, Ahtisari nuk mundi të parashikojë asgjë:

“Asgjë nuk është harmonizuar përderisa të mos merremi vesh. Ju nuk duhet të prisni që unë të dal e të them se Prishtina është pajtuar me të gjitha kërkesat e mia, por tani më duhet t’u them se janë arritur përparime të vogla”, tha Ahtisari, duke shtuar se megjithatë procesi po vazhdon dhe ai duhet të intensifikohet gjatë javëve të ardhshme.

Në anën tjetër, në emër të komunave të veriut, përkatësisht Zubin Potokut, Leposaviqit e Zveçanit, foli kryetari i komunës së Zveçanit, Sllavisha Ristiq, i cili kërkoi nga Ahtisari t’i shfrytëzojë autorizimet e veta që ka dhe të marrë vendime nëse pala kosovare nuk lëshon pe për çështje të caktuara:

“Përfaqësuesi i posaçëm të Kombeve të Bashkuara ka mandat që të marrë vendime për formimin e komunave të reja, njësoj siç është vepruar dikur për komunat me shumicë shqiptare”, tha Ristiq. Ai tha se kërkesat e serbëve kanë të bëjnë me më shumë përgjegjësi për komunat në sferat e arsimit, shëndetësisë, çështjeve ekonomike dhe fusha të tjera të sigurisë e drejtësisë.

Pasdite, Ahtisari në Prishtinë takon delegacionin e Kosovës për statusin. Ai pret të marrë disa përgjigje në kërkesat e tij për komunat e reja, zgjidhjen e problemit të Mitrovicës si dhe kompetencat që do t’i kenë komunat.
Dje, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se pala kosovare nuk ka lëvizur nga pozicioni i mëhershëm dhe ka ofruar formulën 5 plus 1 komuna për serbët dhe kompetenca të caktuara në fushat të cilat i ka nënvizuar dhe Ahtisari.



XS
SM
MD
LG