Ndërlidhjet

AHTISARI: PROCESI PËR STATUSIN DUHET TË MBYLLET DERI NË FUND TË VITIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Bisedimet për statusin e Kosovës kanë shënuar disa përparime, por ende mbeten shumë çështje të hapura, ka thënë sot në mbyllje të vizitës katër ditëshe në Kosovë, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari. Ai nuk ka dhënë detaje se cilat janë këto çështje të hapura, edhe pse në vazhdim potencoi se zgjidhja e problemit të Mitrovicës mbetet çështja më delikate e tërë procesit negociues:

“Unë jam ai që është në kërkim të zgjidhjes për këtë problem. Por, ne ende nuk kemi arritur deri te marrëveshja dhe për këtë duhet vazhduar edhe më tutje me bisedimet”, tha Ahtisari, duke pranuar se gjetja e zgjidhjes për Mitrovicën është pjesa më e vështirë e negociatave.

Ahtisari u ka bërë thirrje si Prishtinës ashtu edhe Beogradit që të tregohen të gatshme për koncesione dhe të arrijnë deri te marrëveshjet. Para se të kalohet në vetë përcaktimin e statusit, ai tha se duhet gjetur zgjidhje për decentralizimin, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare, të drejtat e komuniteteve e çështje të tjera që ai i ka përcaktuar si praktike.

Posaçërisht, përparimet në procesin e decentralizimit, sipas Ahtisarit janë të domosdoshme, pasi me këtë proces, shtoi ai, jo vetëm se bëhet decentralizimi i pushtetit, por edhe krijohen kushte më të mira jetese për të gjithë, në rend të parë për pakicat.

“Për të arritur qëllimin në mënyrë që të konkludohet çështja e statusit përfundimtar të Kosovës, nga të gjitha palët, përfshirë edhe Prishtinën, pres që të bëjnë koncesione. Në të njëjtën kohë e përsëris thirrjen time për serbët e Kosovës që të përfshihen në institucionet kosovare, ndërsa, për komunat veriore serbe të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet e Kosovës dhe të mos e vështirësojnë jetën e serbëve të Kosovës”, tha presidenti Ahtisari.

Ai pohoi se nuk ka një datë të prerë kohore se kur do të përfundojnë bisedimet, por si tha ai, ky proces duhet të mbyllet deri në fund të vitit. Ahtisari i ka përgënjeshtruar disa pohime se ai gjatë tetorit do të prezantojë një pako për statusin. Mendoj se kjo është shumë herët të thuhet tani në këtë fazë, theksoi kryendërmjetësi ndërkombëtar për statusin e Kosovës.

Përveç vazhdimit të takimeve në Vjenë gjatë ditëve të para të shtatorit, për decentralizimin dhe çështjet e tjera të cilësuara si praktike, Ahtisari tha se do të përgatisë dhe raportin për Këshillin e Sigurimit, të cilin do ta prezantojë gjatë mesit të muajit shtator. Procesi negociues, tha ai, do të vazhdojë të bazohet dhe mbi parimet e përcaktuara dhe nga Grupi i Kontaktit.

Por, sidoqoftë, procesi i statusit të Kosovës nuk mund të vazhdojë në pafundësi dhe se do vij koha kur palët në bisedime duhet t’i zbusin qëndrimet dhe afrojnë pozicionet, ka thënë Ahtisari në mbyllje të kësaj vizite katër ditore që i bëri Kosovës, me ç’rast ai ka takuar udhëheqësit më të lartë vendorë e ndërkombëtarë në Kosovë si dhe përfaqësuesit e pakicave.

Prishtina zyrtare i ka ofruar Ahtisarit formulën 5 plus 1, lidhur me formimin e komunave të reja serbe, kurse për Mitrovicën ka ofruar zgjidhjen që konsiston në krijimin e dy komunave në qytetin unik të Mitrovicës. Sidoqoftë, Ahtisari nuk ka thënë në asnjë rast se është pajtuar me këto oferta të Prishtinës, por ka vazhduar të kërkojë koncesione të mëtutjeshme, të cilat ai beson se do t’i ketë në takimet e radhës në Vjenë.




XS
SM
MD
LG