Ndërlidhjet

GJENDJA NË MITROVICË E QETË, URA MBETET E MBYLLUR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ura mbi lumin Ibër që e ndan qytetin e Mitrovicës në pjesë jugore të banuar nga shqiptarët dhe pjesën jugore të banuar nga serbët mund të mbetet e mbyllur deri në fund të kësaj jave, ndërsa hapja e saj varet nga gjendja e sigurisë, thanë autoritetet e policisë ndërkombëtare.

Kjo masë sigurie është ndërmarrë nga policia e Kosovës dhe ajo e UNMIK-ut pas sulmit me bombë në një kafene në pjesën veriore, me ç’rast qenë plagosur nëntë civilë. Përfaqësuesi i policisë së UNMIK-ut, Tomas Lee tha se hetimet për incidentin, për të cilin është arrestuar një person i moshës 16 vjeçare janë duke vazhduar, ndërkohë që gjendja në terren është stabile, prandaj policia nuk planifikon masa të tjera:

"Gjendja në veri të Mitrovicës është stabile, ndërsa ne po punojmë që të vërtetojmë se çka saktësisht ka ndodhur dhe që të gjejmë mënyrat për të penguar incidentet e tilla në të ardhmen," tha zoti Lee.

Mursel Ibrahimi, kryetar i komunës së Mitrovicës tha sot për radion Evropa e Lirë se incidenti që ka ndodhur dëmton imazhin e qytetit:
"Pas incidentit situata është e qetë dhe me faktorët relevantë, me SHPK dhe me ndërkombëtarët kemi pasur një takim dhe është konstatuar se nuk ka shenja për ndonjë përkeqësim. Me keqardhje e kemi dënuar këtë rast, pasi ato e dëmtojnë imazhin e qytetit dhe të gjithë qytetarëve pa dallim", tha zoti Ibrahimi.

Ndërkaq, përfaqësues të Këshillit Nacional të Serbëve për veriun e Kosovës kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare që ura të mbetet e mbyllur, tha Nebojsha Joviq, përfaqësues për siguri:
"Jam i bindur se është më së miri që ura të mbyllet gjithnjë deri sa zgjasin bisedat për statusin, përkatësisht deri sa të zgjidhet statusi," tha Joviq.

Mirëpo, Mursel Ibrahimi, kryatr i komunës së Mitrovicës tha se mbyllja e urës nuk i ndihmon situatës:
"Çështja është se Ura e Ibrit është e mbyllur dhe ne si autoritete komunale kemi biseduar dhe mendojmë të ndikojmë që ura në të ardhmen të mos mbyllet", tha zoti Ibrahimi.

Sidoqoftë, përfaqësuesit e policisë së UNMIK-ut, Tomas Lee tha se vendimi për urën do të varet nga gjendja e sigurisë:
"Tash për tash ura është e mbyllur. Ne duam që ajo të hapet pasi është e domosdoshme për kalimin e njerëzve, por ajo do të jetë e mbyllur sigurisht deri në fund të javës," tha Lee sipas të cilit para se të hapet, do të vlerësohet gjendja e sigurisë.

Sot ekipi negociues i Kosovës e ka dënuar sulmin e të shtunës mbrëma, duke kërkuar nga autoritetet përkatëse që ta ndriçojnë rastin. Ekipi negociues fton të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbajtur në kohën kur po zhvillohen diskutimet përfundimtare për statusin e Kosovës, thuhet ndër të tjera në reagimin e ekipit negociues.


XS
SM
MD
LG