Ndërlidhjet

BDI ME PLANE TË REJA PËR BLLOKIMIN E INSTITUCIONEVE


Sefer Tahiri, Shkup

Bashkimi Demokratik për Integrim ka paralajmëruar se në kuadër të aktiviteteve për deligjitimimin e qeverisë së re, do ta bllokojë edhe mekanizmin e bllokimit të institucioneve, për konstituimin e të cilave, nevojitet votimi në parlament në bazë të parimit të Badinterit.

Nënkryetari i BDI-së Rafiz Haliti tha për radion Evropa e Lirë se nëse vjen deri tek kjo situatë, përgjegjës është kryeministri Nikolla Gruevski, i cili duke mospërfshirë partinë e Ahmetit në qeveri, ka shkelur mbi vullnetin e shumicës së shqiptarëve në Maqedoni.

"Do të përdorim të gjithë mjetet demokratike, që ta luftojmë këtë qeveri. Një prej tyre është edhe mekanizmi që do të përdoret për bllokimin e institucioneve", tha Haliti, duke shtuar se vendimet për të gjitha veprimet e ardhshme të BDI-së do t'i marrë kryesia qëndrore e saj.

Në bazë të kushtetutës së Maqedonisë, të gjitha ligjet, vendimet juridike, apo zgjedhja e drejtuesve të institucioneve shtetërore, të cilat kanë lidhshmëri me interesat e shqiptarëve, merren me respektimin e parimit të Badinterit, që do të thotë se duhet të votojnë më shumë se gjysma e deputetëve që u takojnë bashkësive etnike.

Haliti edhe njëherë nënvizoi se për BDI-në qeveria Gruevski është jolegjitime.
"Reagimi tek elektorati jonë është i madh dhe gjërat mund të dalin jashtë kontrollit. Propozimet janë nga më të ndryshmet. T'u them të drejtën një ndër opsionet është edhe kjo që ne si deputetë t'i kthejmë mandatet kryesisë qëndrore që do të thotë që BDI-ja t'ja kthejë mandatet popullit", tha zoti Haliti.

Bashkimi Demokratik për Integrim, si fituese e zgjedhjeve parlamentare në bllokun politik shqiptar vlerëson se duhet të jetë pjesë e qeverisë, e jo Partia Demokratike Shqiptare.





XS
SM
MD
LG