Ndërlidhjet

I. DUGOLLI: BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE KONCESIONET I PRET NGA PALA KOSOVARE, PASI NUK PRET BASHKËPUNIM NGA BEOGRADI


Ilir Dugolli, analist nga instituti KIPRED

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dugolli, si e vlerësoni qëndrimin aktual të ekipit negociues të Kosovës lidhur me decentralizimin dhe të drejtat e komuniteteve, sidomos pas takimit të fundit të ekipit negociues me zotin Ahtisari?

ILIR DUGOLLI
Unë mund të vlerësoj në bazë të asaj që ka dalë në media, do të thotë çfarë njihet botërisht nga opinioni i gjërë, dhe nga ajo që shihet dhe dihet, fitohet përshtypja se grupi i unitetit përpiqet maksimalisht që t'i qëndrojë besnik atyre që i ka përcaktuar si vija të kuqe.
Kuptohet kjo bëhet goxha problematike tani, kur ka presion gjithnjë e më të madh nga ana e zotit Ahtisari ndaj palës kosovare që të bëhen koncesione shtesë, koncesione të cilat në masë të konsiderueshme i tejkalojnë ato vija. Kështu që përderisa në njërën anë ka një lloj konsistence, një njëtrajtshmëri nga ana e qëndrimit të palës kosovare, duhet të shihet se deri sa do mund të vazhdojë kjo njëtrajtshmëri, si karshi zotit Ahtisari, si nga ana tjetër karshi opinionit të gjerë dhe asaj se për çfarë është përgatitur opinioni i gjerë gjatë gjithë kësaj kohe.

RADIO EVROPA E LIRË
Është paralajmëruar edhe një raund diskutimesh në Vjenë për decentralizimin. Pas qëndrimeve të mëparshme të palëve sa mund të pritet një marrëveshje për këtë çështje si dhe për çështjen e pakicave?

ILIR DUGOLLI
Shumë pak. Në aspektin e decentralizimit ndonëse ka patur një varg, një seri të tërë të takimeve, megjithatë nuk besoj se mund të pritet ndonjë marrëveshje. Për çështjen e të drejtave të pakicave, siç dihet pala serbe, përfaqësuesit kosovarë në atë takimin e parë të vetëm që deri më tani është mbajtur në Vjenë, as që kanë marrë pjesë fare. Kështu që ata kanë dilema konceptuale për atë nëse duhet të marrin pjesë në bisedime për statusin e tyre si pakicë e tanishme dhe e ardhshme në Kosovë.
Kështu që si në njërën, si në planin tjetër, vërtet është shumë shumë me gjasa të vogla që të pritet përafrim i qëndrimit të palëve për të dyja çështjet.

RADIO EVROPA E LIRË
Tashmë është mbushur muaji që nga takimi i nivelit të lartë që është mbajtur në Vjenë ndërmjet ekipeve negociuese të Kosovës dhe Serbisë. Cila është perspektiva e takimeve të tilla në procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës?

ILIR DUGOLLI
Nuk është perspektivë e mirë si në aspektin e gjasave që të ketë shumë më tepër takime, nuk është as perspektivë e mirë në aspektin e gjasave që të ketë përafrim të qëndrimeve dhe rezultate të prekshme në temat, të cilat janë shtruar për diskutim, të cilat janë në tavolinë deri më tani.
Kështu që vërtet, siç ka paralajmëruar edhe zoti Ahtisari, sipas të gjitha gjasave, do të pasojë pas këtij takimi, angazhimi i tij me vendet e Grupit të Kontaktit, me kryeqëndrat dhe me Këshillin e Sigurimit, shumë më tepër sesa me takimet që do të mbahen në Vjenë. Kështu që kjo është ajo faza e cila pritet dhe nuk besoj se ka perspektivë të mirë seria e takimeve të Vjenës, në aspektin e mundësisë që takime të tilla të vazhdojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por në një situatë të tillë, cilat do të jenë mundësitë e palëve për të ndërhyrë në propozimin përfundimtar të zotit Ahtisari?

ILIR DUGOLLI
Mundësitë veç sa vijnë dhe zvogëlohen. Kjo pa pikë dyshimi se është kështu, pasi në këtë fazë pritet të fillojë negocimi më i madh i zotit Ahtisari që pritet të bëhet me vendet e Grupit të Kontaktit, që do të bëhet me kryeqëndrat e tjera.
Madje për këtë arsye mund të kuptohet insistimi i tij që sa më tepër tani të ketë fleksibilitet nga palët, e kryesisht nga pala kosovare, se nga kjo mund të pritet një farë fleksibiliteti dhe lëshimi pe, e kam fjalën nga këndvështrimi i zotit Ahtisari, pasi qëndrimi i palës serbe veç po shihet dhe nuk është se mund të presë ai bashkëpunim të madh prej tyre.
Por kjo na vë neve në një pozitë shumë të padrejtë sepse pritet nga ne që të lëshojmë pe, të bëjmë koncesione dhe të japim, në mënyrë që puna e tij në negocim pastaj me vendet e ndryshme të Grupit të Kontaktit të lehtësohet, pasi atëhere fillon faza jashtëzakonisht e vështirë, kur mendoj se mund të ketë modifikime nga ndërhyrjet, modifikime në pakon që zoti Ahtisari e prezanton nga ana e vendeve të ndryshme. Dhe atëhere mundësia që palët, e kam fjalën në rradhë të parë ajo kosovare, të ndërhyjnë do të jetë shumë më e vogël.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dugolli, duke ju kthyer edhe njëherë decentralizimit, si e vlerësoni planin e palës kosovare për Mitrovicën si qytet me dy komuna. A çon kjo drejt integrimit, apo drejt ndarjes së qytetit?

ILIR DUGOLLI
Varësisht se cili është këndvështrimi, cila është pika fillestare. Nëse e marrim pikë fillestare gjendjen faktike që është atje që prej 7 viteve, atëhere pa pikë dyshimi se çon drejt normalizimit dhe drejt integrimit të qytetit. Nëse marrim si pikë fillestare atë se si do duhej të ishte, se si ne kemi dëshirë të jetë, atëhere kuptohet që mund të mos jetë zgjidhja më optimale.
Mirëpo duhet ditur se de fakto atje, një pjesë e konsiderueshme e territorit është jashtë ndikimit, jashtë pushtetit të qeverisë së Kosovës dhe të institucioneve të qendrës. Kështu që krejt sfida që shtrohet është se si të riintegrohet dhe të kthehet nën qeverisjen e institucioneve dhe se si kjo zgjidhje të jetë e pranueshme, si për palën kosovare, e në të njëjtën kohë edhe të mos shkaktojë ndonjë eskalim shumë shumë të madh, i cili mandje gjendjen aktuale faktike vetëm sa do e çimentonte dhe më shumë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dugolli, tensionet në Mitrovicë janë rritur tashmë pas incidentit të të shtunës, ndërkohë që forcat ndërkombëtare e kanë shtuar praninë e tyre në veri. Si e shihni ju situatën e sigurisë posaçërisht në veri, në kohën kur thuhet se po afrohen zgjidhja e statusit?

ILIR DUGOLLI
Është vështirë të spekulohet në atë se çfarë mund të pritet, por sipas të gjitha gjasave aktet e tilla nuk duhet të na befasojnë. Dihet se çfarë është prania e forcave, nga e atyre të fshehtave dhe deri tek e atyre të tjera të sigurisë të shtetit serb në atë pjesë të territorit.
Kështu që në kohën kur pala serbe, delegacioni i Serbisë është goxha nervoz dhe i ç'orientuar në strategjinë e vet, si karshi udhëheqësve të ndryshëm të serbëve vendorë, si në aspektin e qasjes ndaj zotit Ahtisari, si në ato çfarë pritet se do të ndodhin gjatë muajve të tjerë, atëhere një hapësirë manovrimi të cilën e ka dhe një lëmi ku ka mundësi që të tregojë gjithë atë çfarë mendon se duhet ta tregojë, është pjesa e strukturave paralele të cilat i ka nën kontroll, të sigurisë në radhë të parë.
Kështu që destabilizimet e kohë pas kohshme, të cilat duket se çojnë ujë nën mullirin e Serbisë, pa pikë dyshimi se kanë rrezik të madh të ndodhin gjatë kësaj kohe kur pritet njëfarë përmbyllje e gjithë procesit.

Intervistoi Rrahman Paçarizi


XS
SM
MD
LG