Ndërlidhjet

SI E SHOHIN BANORËT SERBË TË ARDHMEN E KOSOVËS?


Zijadin Gashi, Prishtinë

Çka do të ndodhë pas statusit, është pyetja kryesore që shtjellohet tek banorët serbë të Kosovës. Ndonëse ende besojnë se Kosova mund të mbetet pjesë e Serbisë, pjesëtarët e pakicës serbe të Kosovës, megjithatë thonë se realiteti tregon diçka tjetër, duke dyshuar se Kosova po shkon kah pavarësia.
Për këtë arsye, banorët serbë të Kosovës thonë se e ardhmja e tyre në Kosovë nuk është krejt e sigurt.

Nenad Xhorgjeviq nga Livazhdi, thotë se nuk pret asgjë nga rezultati i bisedimeve, pasi rezultati,sipas tij, dihet qysh tash:
“Mendoj se Kosova do bëhet e pavarur dhe se opinionet ndërkombëtare shpien në ato drejtime. Këto bisedime më shumë kanë të bëjnë me pakicat, se çka do të ndodhë dhe si të trajtohen ato. Nëse Kosova do të bëhet e pavarur, mendoj se shumë pak serbë do mbesin në Kosovë”, thotë Xhorgjeviq.

Kurse Planka Laziq nga Çagllavica, thotë se tashmë i di të gjitha dhe nuk pret befasi nga procesi negociues:
“Me mënyrën se si po bëhet politika tash, kurrë farë shprese nuk ka”, thotë Laziq, e bindur se Kosova po shkon kah pavarësia.

Ndërkaq Vesko Stankoviq nga Graçanica, thotë se është më se i sigurt që Kosova po bëhet në një formë e pavarur, por nuk është i sigurt se si do të jetonin serbët në këtë shtet të pavarur:

“Së pari nuk e dimë se cili do të jetë ky status, kurse bisedimet do të zgjasin dhe do të jenë të mundimshme, si për palën shqiptare ashtu dhe atë serbe. Mendoj se do gjendet ndonjë kompromis, ndonjë zgjidhje e pavarësisë së kushtëzuar, e kjo pavarësi e kushtëzuar serbëve të Kosovës nuk u përgjigjet. Sidoqoftë, unë do të qëndroj në Kosovë, vetëm nëse ndodhë që dikush të na largojë”, thekson Stankoviq.

Në anën tjetër, politikanë shqiptarë dhe ata serbë të Kosovës tashmë deklarojnë se zgjidhjet më të vështira që mund të arrihen gjatë procesit negociues, kanë të bëjnë me përcaktimin e pozitës së serbëve të Kosovës.
Ndërsa udhëheqësit kosovarë, përkatësisht ata të partive shqiptare, thonë se pavarësia e Kosovës nuk e dëmton pozitën e serbëve në anën tjetër, politikanë serbë thonë se janë të shqetësuar me rrjedhat e procesit.

Oliver Ivanoviq angazhohet që zgjidhja e problemeve të serbëve garantojnë në rend të parë ekzistencën e serbëve:
“Për ne është me rëndësi që të mos ketë dhunë, që të mos ketë zgjidhje të imponuara apo të njëanshme, që do të ishin shkak për një jostabilitet të serbëve të Kosovës. Tash për tash, Grupi i Kontaktit, NATO dhe Kombet e Bashkuara besojnë se dhunë nuk do të ketë”, thekson Ivanoviq.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të tilla të serbëve, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, tha këto ditë gjatë një vizite që i bëri Novobërdës se serbët duhet të besojnë në institucionet e Kosovës dhe të mos kenë frikë për të ardhmen e tyre:

“Kemi gatishmëri, vullnet që vërtetë t’i ndihmojmë të gjithë ata që tregojnë vullnet të mirë për të bashkëpunuar, vullnet të mirë për t’i bashkuar komunitetet, për të ndërtuar mirëbesim mes komuniteteve dhe që të tregojmë kujdes për të gjitha komunitetet, pa marrë parasysh a i përkasin këtij apo atij komuniteti”, tha kryeministri Agim Çeku, ndërkohë që të njëjtën ditë, zëvendës shefi i UNMIK-ut, Steeven Shuck, tha se zgjidhja e statusit, nuk krijon, por i zgjidh shumë probleme:

“Statusi përfundimtar i Kosovës do të thotë zhvillim ekonomik, më shumë të drejta për pakicat,”, tha Shuck.

Ndërkohë që i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari ka deklaruar këto ditë se zgjidhja e statusit duhet të sigurojë që më askush të mos detyrohet ta lëshojë Kosovën.

XS
SM
MD
LG