Ndërlidhjet

KAIDANOW: INCIDENTET SI AI I MITROVICËS NUK DO TË NDIKOJNË NË PROCESIN NEGOCIATOR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Incidenti i fundit në Mitrovicë nuk do të ketë pasoja për procesin negociues ka thënë sot shefja e zyrës amerikane në Prishtinë Tina Kaidanow.

Pas takimeve që Kaidanow zhvilloi me kryetarin e Kuvendit Kolë Berisha, shefat e grupeve parlamentare, si dhe një takim të ndarë me kryetarin e PDK-së Hashim Thaçin, ajo ofroi mbështetjen e vazhdueshme amerikane për procesin e zgjidhjes së statusit, duke besuar në mbylljen e suksesshme të negociatave.

Incidenti i fundit në Mitrovicë, si pasojë e të cilit qenë lënduar dhe disa veta, sipas diplomates amerikane nuk do të ketë reflektime në bisedime, duke patur parasysh reagimet e shpejta që janë bërë për ndriçimin e rastit.

"Gjendja e sigurisë është stabilizuar dhe shpresoj se mund të lëvizim përpara me bisedimet. Ka qenë i rëndësishëm dhe fakti që qeveria dënoi incidentin", tha Kaidanow.

Ajo tha po ashtu se nuk mund të paragjykojë procesin negociues, por sipas saj është me rëndësi që palët t'i marrin me seriozitet këto bisedime.

Zhvillimet e fundit në Mitrovicë dhe në veriun e Kosovës kanë qenë tema diskutimi dhe në takimet lamtumirëse që komandanti i KFOR-it Giuseppe Valotto, zhvilloi me presidentin dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

Gjenerali Valotto, i cili më 1 shtator i dorëzon komandën e KFOR-it gjermanit Ronald Kater, tha se trupat e KFOR-it i kryejnë detyrat me përgjegjësi edhe në pjesën veriore të Kosovës, por atje ka një problem politik që ka nevojë për zgjidhje politike, ka thënë ai.

"Duhet të ndahet aspekti ushtarak nga ai politik. Nuk mund të pritet nga komandantët të gjejnë zgjidhje për problemet të cilat janë politike, por ne mund të kontribuojmë që të gjendet një zgjidhje nga ata që janë përgjegjës, një zgjidhje që i përgjigjet të gjithëve," ka thënë gjenerali Valotto.

Ndërkaq kryeparlamentari Kolë Berisha tha se në Kosovë është përmirësuar dukshëm gjendja e sigurisë, kurse një kontribut në këtë aspekt ka dhe gjenerali Valotto. Edhe Berisha u shpreh optimist edhe në lidhje me zgjidhjen e problemit të Mitrovicës.

"Komandantët është e vërtetë që vijnë dhe shkojnë, por është e vërtetë dhe ajo që i japin shanc dhe patjetër se do i gjejnë zgjidhje dhe problemit të Mitrovicës dhe veriut të Kosovës", tha kryeparlamentari Kolë Berisha.

Ndërkaq duke iu referuar procesit aktual negociues, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, ka deklaruar sot pas takimit me zonjën Tina Kaidanow, se kosovarët do t'i marrin përgjegjësitë por edhe do t'i respektojnë të drejtat e komuniteteve.

"Unë besoj se edhe politika kosovare, edhe qytetarët e Kosovës do të jenë mjaft të përgjegjshëm, në marrjen e vendimeve të drejta, do të thotë të respektojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, të kemi një Kosovë unike, të pandarë, por në të njëjtën kohë t'i marrim përgjegjësitë për zbatimin e kritereve demokratike, dhe natyrisht në këtë drejtim të ecim përpara bashkarisht me komunitetin ndërkombëtar", tha kryetari i PDK-së.

Për një mbarëvajtje të proceseve në Kosovë dhe atij të zgjidhjes së statusit, lideri i partisë më të madhe opozitare Hashim Thaçi, ka krëkuar nga shefja e zyrës amerikane, vazhdimin e ndihmës amerikane për Kosovën.




XS
SM
MD
LG