Ndërlidhjet

FAMILJARËT KËRKOJNË PËRSHPEJTIMIN E ZBARDHJES SË FATIT TË TË ZHDUKURVE


Albana Isufi, Prishtinë

Me fotografi të të afërmve të tyre të pagjetur, familjarë nga anë të ndryshme të Kosovës kanë manifestuar sot në qendër të Prishtinës, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur.
Ata kanë kërkuar sërish nga institucionet e Kosovës, që të punojnë më shumë për zbardhjen e fatit të më se 2 000 mijë personave që konsiderohen të zhdukur.
Kreu i Asociacionit të familjarëve të të pagjeturve të Kosovës Haki Kasumi, ka thënë se me këtë manifestim, duan që të ngrenë vetëdijen e pushtetarëve që ta marrin me më shumë seriozitet këtë çështje.

“Duam që ta sensibilizojmë opinionin publik ndërkombëtar dhe vendor se kjo është plagë e madhe e jona, pa shërimin e të cilës nuk ka qetësi ma merr mendja. Pastaj duam që përmes këtij manifestimi të prekim pak edhe ndërgjegjen e pushtetatëve tanë dhe të atyre ndërkombëtarë që janë instaluar në Kosovë dhe që kanë marrë përsipër ta zgjidhin këtë problem", tha zoti Kasumi.

Të mbledhur para objektit të qeverisë së Kosovës, familjarët kanë kritikuar ashpër institucionet dhe kanë kërkuar nga ato, që në kuadër të plotësimit të standardeve, të futet si pikë e veçantë zgjidhja e çështjes së të zhdukurve.

Njëra nga familjaret e personave të pagjetur Myrvete Hoti Kasumi, ka kërkuar nga qeveritarët që të mos japin më premtime boshe.
“Të gjithë me fjalë të mëdha, me fjalë të mira, me ledhatime, me çdo gjë e kanë tepruar. Duam argumente, duam fakte, duam punë. S'duam më fjalë, boll më me fjalë, nuk e di ku do të shkojmë me to", tha zonja Hoti Kasumi.

Këshilltari i kryeministrit Arif Muçolli, duke iu përgjigjur akuzave të zonjës Kasumi, ka thënë se qeveria po bën krejt atë çka mund të bëjë, ndërkohë që kompetencat rreth të zhdukurve vazhdojnë të mbesin në duart e bashkësisë ndërkombëtare.

“Do ta bëjmë atë çfarë është e mundur. Nuk mund ta bëjmë atë që është e pamundur", tha zoti Muçolli.

Ushtruesi i detyrës së kryeadministratorit të Kosovës Steven Shook ka kërkuar sot solidaritet me familjet e personave të zhdukur. Në një komunikatë për media, Shook ka thënë se në ditën kur familjarët e personave të zhdukur të Kosovës po i bashkohen mijëra zërave të familjarëve të tjerë në botë, prioritet kryesor i UNMIK-ut mbetet çështja e të zhdukurve.

UNMIK-u sipas Shook do të bëjë krejt çka është e mundur që në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës, të sigurojë se e drejta e familjeve për të ditur është respektuar dhe realizuar.
Ai e ka quajtur turp faktin se edhe 7 vjet pas, kjo tragjedi e së kaluarës vazhdon të qëllojë të ardhmen e familjeve dhe të vetë Kosovës.

Ndërkohë, anëtari i komisionit qeveritar për të zhdukurit Arif Muçolli, u ka thënë familjarëve se qeveria serbe ka penguar më së shumti zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Mundësitë tona po e përsërit janë të kufizuara, sepse adresa është në Beograd. Depërtimi në Beograd është i vështirë. Presioni jonë është i pamundur. Presioni ndërkombëtar faktikisht ka arritur deri diku të bëhet, duke ju falenderuar juve familjarëve, kërkesave tuaja të pandërprera. Ky është ai suksesi jonë, më i madhi që kemi arritur. Duhet të llogaritni se po të mos kishin qenë këto kërkesa kësisoj, ndoshta nuk do të ishim dhe sot ku jemi këtu", tha zoti Muçolli.

Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, institucionet vendore dhe organizatat joqeveritare kanë organizuar debate të ndryshme për të parë mundësitë dhe veprimet që duhen ndërmarrë në të ardhmen, për të zbardhur fatin e më shumë se 2 000 personave, të cilët janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Autoritetet thonë se gjasat për zgjidhjen e shpejtë të kësaj çështjeje janë gjithnjë e më të zbehta.

Prishtina dhe Beogradi kanë mbajtur një sërë takimesh me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, në përpjekje për të zbardhur fatin e të zhdukurve, por rezultatet kanë qenë të mangëta. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe institucionet e tjera që merren me këtë çështje, tash janë duke punuar në grumbullimin e informacioneve të reja mbi lokacionet e mundshme që mund të përmbajnë varreza masive.

Në këtë frymë pritet të mbahet edhe takimi i radhës midis Prishtinës dhe Beogradit më 1 shtator, gjatë të cilit pritet të prezantohen informacionet e grumbulluara.
XS
SM
MD
LG