Ndërlidhjet

SING: URA MBI LUMIN IBËR ENDE E MBYLLUR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Në përpjekje të nxjerrjes para drejtësisë të përgjegjësve për ngjarjet e dhunshme të marsit të vitit 2004, administrata e UNMIK-ut ka konfirmuar sot se që nga e shtuna e kaluar, policia po mban në arrest katër persona, të cilët dyshohen për përfshirje në këto trazira dhe vënie zjarri të disa objekteve në Fushë Kosovë, të cilat shfrytëzoheshin nga serbët.

Zëdhënësi i administratës së UNMIK-ut, Neeraj Sing tha se përveç faktit që përgjegjësit për trazirat e marsit duhet të sillen para drejtësisë, sanimi i plotë i dëmeve të këtyre ngjarjeve, paraqet një prej standardeve parësore të përcaktuara në planin 13 pikësh të Gruipit të Kontaktit, ku së fundit është evidentuar se ka më së paku përparime:

“Hetimet e suksesshme dhe ndjekja e përgjegjësve të trazirave të dhunshme të marsit 2004 është standard parësor për Kosovën. Departamenti i Drejtësisë së UNMIK-ut dhe Policia e UNMIK-ut janë të përkushtuar që të bashkëpunojnë ngushtë me prokurorët dhe gjykatësit, që ky standardet të zbatohet”, thotë zëdhënësi Sing.

Deri më sot, shtoi Sing, 240 persona janë gjykuar apo dënuar për krime të bëra dhe për kundërvajtje të shkaktuara gjatë trazirave të marsit. Përderisa shumica e rasteve janë trajtuar nga gjykatës dhe prokurorë kosovarë, gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë janë marrë me rastet më serioze.

Po në lidhje me ngjarjet e marsit, në qeverinë e Kosovës tashmë është konstatuar se aty ka më pak të arritura. Mirëpo, burimet qeveritare thonë se ky standard bie më tepër në përgjegjësi të policisë e drejtësisë, si dhe në autorizimet e UNMIK-ut, pasi që administrata ndërkombëtare mban ende kompetencat kryesore në drejtësi e siguri. Sidoqoftë, Grupi i Kontaktit ka kërkuar që krahas 12 pikave të tjera, edhe sanimi i dëmeve të marsit, si pika me më së paku të arritura të shënoj përparime para se të konkludohet rrumbullaksimi i planit 13 pikësh.

Po në lidhje me gjendjen e sigurisë, përkatësisht situatës që po mbretëron në Mitrovicë dhe veriun e Kosovës, pas incidentit të së shtunës, nga i cili qenë lënduar disa persona, zëdhënësi Neeraj Sing tha se ura mbi Ibër që ndan qytetin në jug e veri, ende po mbahet e mbyllur. Ai tha se një person vazhdon të mbahet nën arrest si i dyshuar për përfshirje në këtë incident, dhe nuk pranoi të japë asnjë detaj tjetër:

"Tash për tash, ura është e mbyllur për komunikacionin dhe përpjekjet janë që ura të ri-hapet, por pasi që të ri-konsolidohet gjendja e sigurisë në qytet”, tha Sing, duke shtuar se nuk mund ta paragjykonte se sa kohë do të nemiten për këtë.

Sidoqoftë, Sing tha se vlerësimet e përgjithshme të situatës së sigurisë në Kosovë janë se ajo është e qetë, kurse me rastet e tilla të incidenteve, tha ai, merren organet kompetente.





XS
SM
MD
LG