Ndërlidhjet

QORRAJ: NËNSHKRIMI I MARRËVESHJEVE PËR TREGTI TË LIRË ËSHTË VONUAR PËR SHKAQE POLITIKE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Kosova do të jetë anëtare e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA para zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës.

Me gjithë faktin se anëtarësimi në CEFTA është i kushtëzuar me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me 80 përqind të vendeve të rajonit, Gazmend Qorraj, Koordinator i Paktit të Stabilitetit për Kosovën, thotë se në këtë aspekt janë të rëndësishme edhe negociatat për zgjidhjen e statusit.
“Besoj se po, tashmë do të jenë shumë të rëndësishme edhe negociatat që do të jenë më 13, 14 dhe 15 shtator, ato do të jenë shumë të rëndësishme, pasi në një mënyrë ne do të dimë se deri ku ka mbërritur procesi. Është edhe qëllimi, edhe ideja e vendeve të tjera që në një mënyrë të konkludohen këto negociata dhe ta kemi një konkluzë të përgjithshme dhe përfundimtare,” tha zoti Qorraj.

Zoti Qorraj, ndërkaq tha se vonesa e deritashme e nënshkrimeve për tregti të lirë me vende të ndryshme të rajonit është kushtëzuar nga rrethanat politike. Por siç thotë ai, gjatë dy raundeve të negociatave që janë mbajtur në Bruksel me përfaqësues të CEFTA-s, delegacioni kosovar ka arritur të nënshkruajë disa draft marrëveshje.

“Ndërsa këtu te aspekti i CEFTA-s, aspekti pozitiv qëndron në faktin se këtu hyhet në marrëveshje multilaterale dhe reduktohet apo zvogëlohet ajo mundësia e hezitimit politik direkt të një vendi nga vendi tjetër. Ndërkaq tashmë detyrë e jona është të mundohemi dhe të afrojmë marrëveshjet me shumicën e vendeve, në mënyrë që të krijojmë kushte për anëtarësim të Kosovës në CEFTA", tha zoti Qorraj.

Kosova deri më tani ka nënshkruar Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Shqipërinë dhe Maqedoninë, tha Igballe Rexha Jashari, zyrtare për marrëdhënie me jashtë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

“Ndërsa janë zhvilluar negociatat dhe së shpejti pritet të nënshkruhen marrëveshje edhe me Bosnjën Hercegovinën, po thuajse se është vetëm një formalitet që pritet në shtator të përfundojë kjo. Si dhe janë duke u zhvilluar negociatat me Kroacinë” tha zonja Rexha Jashari.

Zoti Qorraj, ndërkaq tha se me anëtarësimin e Kosovës në CEFTA, Kosova do të përfitojë si në aspektin politik, po ashtu edhe atë ekonomik.
“Prandaj është shumë pozitive për Kosovën që edhe pa zgjidhjen e statusit, shpresojmë që të jetë pjesë e këtij mekanizimi të CEFTA-s. Do të thotë në një mënyrë Kosova e plotëson një standard evropian dhe është më afër Bashkimit Evropian me aderimin e saj në këtë mekanizëm,” tha zoti Qorraj.

Ndërsa në aspektin ekonomik kjo marrëveshje është e dobishme për shkak të promovimit të investimeve, tha zoti Qorraj, sipas të cilit, prodhuesit kosovarë do të kenë mundësinë pastaj të dalin në tregun e jashtëm dhe të ngrenë cilësinë e prodhimeve të tyre.

“Ne duhet të shikojmë si vend apo si Kosovë, që gjithmonë nëse dëshirojmë t'i mbrojmë prodhuesit, t'i mbrojmë ata prodhues që janë efikasë. Ndërsa aty ku nuk kemi prodhime efikase, po efikasitet në treg, duhet shikuar që atë ta kompensojmë nga prodhues të tjerë”, tha zoti Qorraj.
XS
SM
MD
LG