Ndërlidhjet

logo-print

UNOSEK-U PRET KONFIRMIM PËR TAKIMET E RADHËS NË VJENË


Albana Isufi, Prishtinë

Decentralizimi, mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe të drejtat e komuniteteve janë tre çështjet që do të diskutohen në takimet e ardhshme mes Prishtinës dhe Beogradit, që pritet të mbahen në Vjenë më 7 dhe 8 shtator.

Zyra në Vjenë e të dërguarit të OKB-së për statusin e Kosovës, konsideron se decentralizmi edhe më tej mbetet çështja në të cilën vështirë se mund të shënohet ndonjë progres.

“Ne kemi vështirësi në procesin e decentralizimit, veçanërisht sa u përket komunave, numrit dhe kompetencave te tyre. Po ashtu kemi edhe problemin e Mitrovicës. Të premten e kaluar zoti Ahtisari ka thënë se Mitrovica është ndër çështjet më të vështira dhe ështe ende një çështje e hapur. Pra, në diskutimet për decentralizimin dhe kompetencat e komunave nuk mund të themi se është arritur progres”, i tha radios Evropa e Lirë, Remi Durlo, zëdhënës i zyrës së të dërguarit të OKB-së për statusin.

Zëdhënësi i ekipit negociues të Kosovës, Skënder Hyseni thotë se janë edhe 3 deri në 4 çështje që ende kanë mbetur të hapura në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit, bisedime këto, të cilat po ndërmjetësohen nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin, Marti Ahtisari.

”Ka 3-4 çështje të hapura që kanë mbetur. Besoj se janë përafruar qëndrimet mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Ahtisarit. Besoj se takimet e ardhshme do të shkojnë mirë, do të sqarohen disa detaje rreth çështjeve të hapura. Tash ne kemi dhënë përgjigje në të gjitha çështjet edhe me shkrim, ndërsa më 7 dhe 8 do t’i elaborojmë më hollësisht këto detaje”, tha zoti Hyseni.

Remi Durlot nga zyra e Ahtisarit pret që edhe Prishtina dhe Beogradi t’i përgjigjen pozitivisht ftesave për takimet e radhës. Zëdhënësi i ekipit negociues të Kosovës Skënder Hyseni thotë se Kosova është e gatshme të marrë pjesë në këto takime.

”Përgjigja pritet të jepet nesër, natyrisht kjo do të konfirmohet nga ekipi negociator, por absolutisht Kosova është e gatshme dhe e përgatitur që të shkojë atje”, tha zoti Hyseni.

Ndërkohë, ekspertët e zyrës së Marti Ahtisarit janë duke qëndruar edhe më tej në Beograd, për t’i njoftuar anëtarët e ekipit negociues serb me ndryshimet e fundit, që ka pësuar dokumenti mbi parimet e decentralizimit.

“Para se ekspertët tanë të shkonin në Prishtinë në javën e kaluar, ne kemi dërguar një dokument mbi parimet e decentralizimit në Prishtinë dhe ky është diskutuar në Prishtinë, sikurse edhe çështjet e tjera. Ne e kemi përgatitur dokumentin duke u bazuar në pozicionin e fundit të Prishtinës dhe kemi amendamentuar lehtazi ketë dokument, i cili edhe më tej mund të adresohet. Të njëjtin dokument kemi dërguar në Beograd, kështu që ekspertët janë duke diskutuar ndryshimet e fundit në dokumentin e decentralizimit me Beogradin”, tha Durlot.

Ende nuk dihet se kur i dërguari i OKB-së Marti Ahtisari do të paraqesë pakon e propozimeve për statusin e Kosovës në Këshillin e Sigurimit, edhe pse më parë qe thënë se kjo do të ndodhë në mesin e shtatorit. Remi Durlot e mohon këtë.

“Në mesin e shtatorit ai do të udhëtojë për në Nju Jork ku do ketë takime me drejtorët politikë apo ministrat e jashtëm të vendeve të Grupit të Kontaktit. Ai ndoshta edhe do të flasë para Këshillit të Sigurimit, por do jetë e njëjta paraqitje sikurse e marsit apo e korrikut. Do jetë prezantim me dyer të mbyllura rreth asaj se ku jemi ne, por jo rreth propozimeve për zgjidhjen përfundimtare, pasi që jemi shumë larg nga ajo”, tha Durlot, duke shtuar se nuk indikacione se takimi i ardhshëm në Vjenë do të jetë i fundit, para se Ahtisari të paraqesë sugjerimet për statusin përfundimtar.

XS
SM
MD
LG