Ndërlidhjet

NË KUVENDIN E KOSOVËS U DISKUTUA PËR ECURINË E NEGOCIATAVE PËR STATUS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Ekipi negociues për statusin në përbërje të plotë, ka raportuar sot para Kuvendit të Kosovës lidhur me rrjedhat e bisedimeve dhe dokumenteve të prezantuara tani në Vjenë. Me kërkesë së Lidhjes Demokratike të Kosovës nga anëtarët e delegacionit është kërkuar sqarim për ecurinë e bisedimeve, sidomos në lidhje me decentralizimin.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Alush Gashi, tha se Lidhja Demokratike e mbështet ekipin e unitetit, por nga ky ekip kërkon që të mos pranojë asnjë zgjidhje të imponuar për decentralizimin dhe ndarjen e kufijve të komunave mbi bazën e vijave etnike.

"Rikonfirmojmë përcaktimin se organizimi eventual i pushtetit lokal në vija etnike nuk është qëndrim i Lidhjes Demokratike të Kosovës", tha zoti Gashi.

Duke iu përgjigjur këtij shqetësimi të LDK-së dhe duke prezantuar rrjedhën e negociatave, presidenti i Kosovës dhe shefi i ekipit negociues Fatmir Sejdiu, tha se procesi ka për qëllim realizimin e pavarësisë së Kosovës. Përderisa Serbia synon të shtrijë sërisht regjim okupues në Kosovë, Kosova synon të qeverisë me vetveten, ka thënë presidenti Sejdiu, duke besuar se viti 2006 do të jetë viti i pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq lidhur me shqetësimet për ndarjen e komunave mbi baza të vijave etnike, Sejdiu tha se Prishtina ka ofruar formulën 5+1 për komunat serbe dhe nuk e ndryshon këtë pozicion.
"Duke patur parasysh kriteret e miratuara për formimin e komunave të reja, siç është numri prej 5000 banorësh, qëndrueshmëria financiare dhe përbërja etnike e komunave, delegacioni i Kosovës ka qëndrimin e vet përfundimtar për formimin e 5 komunave të reja dhe shtimin për disa parcela katastrale të një komune ekzistuese ku ka një shumicë të komunitetit serb. Kjo nuk paraqet atë ndarje etnike që mund të pretendohet", tha zoti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu përsëriti dhe këtë herë se për Mitrovicën pala kosovare mbetet tek qëndrimi i saj se formimi i dy komunave në qytetin e pandarë dhe vënia e tij nën administrimin ndërkombëtar, është zgjidhja më e mirë.

Në vazhdim edhe kryeministri Agim Çeku tha se puna e qeverisë në përmbushjen e standardeve e ka sjellë Kosovën në një pozitë më të fuqishme në procesin negociues.

Mirëpo me këtë konstatim të tij nuk është pajtuar anëtari tjetër i delegacionit Hashim Thaçi, i cili tha se keqqeverisja në Kosovë vetëm sa po e zbeh pozicionin e Prishtinës në procesin e negociatave.

"Të qenurit e opozitës në grupin e unitetit nuk i krijon imunitet keqqeverisjes aktuale, që është duke e varfëruar qytetarin në skajshmëri ekzistenciale dhe duke pasuruar grupe dhe individë të politikës të lidhur me krimin e organizuar. Nuk e justifikon qeverinë për shkallën e lartë të korrupsionit, nuk e justifikon qeverinë për gjendjen alarmante në shëndetësi dhe për degradimet ekstreme në arsimin kosovar. Dëmet dhe pasojat e kësaj qeverisjeje janë evidente, edhe në pozicionin aktual politik të negociimit", tha Hashim Thaçi.

Pikëpamjet e veta lidhur me negociatat dhe me kapitullin që ka të bëjë me pakicat, i ka paraqitur dhe anëtari tjetër i ekipit negociues Veton Surroi, kryetar i partisë Ora.

Më pas Kuvendi ka hapur dhe debat me deputetë, të cilët nuk i kanë fshehur shqetësimet e tyre lidhur me pjesën e bisedimeve që kanë të bëjnë me decentralizimin. Deputeti i LDK-së Sabri Hamiti tha se paraqitja e anëtarëve të ekipit negociues ishte e zbehtë, jopërmbajtësore dhe nuk ishte gjë tjetër pos mbajtjes së fjalimeve politike. Ai shprehu pakënaqësi me formën e bisedimeve për riorganizimin territorial të komunave.

"Ne pra kemi bisedime të deritashme për statusin e pakicave, me theks të veçantë për statusin e serbëve në Kosovë, por ne nuk kemi kurrfarë artikulimi të qartë për statusin e Kosovës. Ta zëmë që është thënë se statusi i ardhshëm i Kosovës është pavarësia e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur. Kjo është e vërteta lakuriqe politike deri ku kemi mbërritur tani", tha Sabri Hamiti.

Ndërkaq deputeti i partisë Ora, Nazimir Sharri tha se distancimi i deputetëve të LDK-së nga procesi i decentralizimit është i pakuptimtë, pasi ai proces udhëhiqet nga Lutfi Haziri, anëtar i LDK-së, kurse vetë ekipi negociues drejtohet nga presidenti i vendit, i cili po ashtu është anëtar i kësaj partie.

"Kjo mund të quhet hipokrizi politike, sepse kur një proces udhëhiqet nga zëvendëskryeministri, nga përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëkohësisht lahen duart nga ai proces, larja e duarve bëhet duke shkarkuar zëvendëskryeministrin, e jo duke e gjuajtur fajin kudo në hava, sikur topin", tha deputeti i Orës.

Ndërsa delegacionit i adresoheshin kritika të shumta lidhur me decentralizimin, deputetët ankoheshin po ashtu se i kanë marrë me vonesë materialet nga ekipi negociues, kështu që është propozuar, në fund edhe miratuar, që seanca e sotme të shtyhet për të martën e ardhshme, kur do të vazhdohet me diskutimet dhe në fund mbase edhe do të dëgjohen edhe përgjigjet nga anëtarët e ekipit negociues.





XS
SM
MD
LG