Ndërlidhjet

logo-print

MINISTRAT E JASHTËM TË BE-SË DISKUTUAN DHE PËR KOSOVËN


Augustin Palokaj, Finlandë

Është qëndrim i prerë i Bashkimit Evropian se situata në Kosovë është unike dhe nuk mund të bëhet si precedencë për zgjidhjen e ndonjë problemi tjetër nëpër botë. Kështu kanë thënë sot disa diplomatë të BE-së, gjatë takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, që zhvillohet në Finlandë.

Ndonëse Kosova dhe Ballkani këtë radhë nuk janë tema specifike të raporteve të Bashkimit Evropian me Rusinë, qëndrimi i Bashkimit Evropian është se Rusia është një partner i rëndësishëm i BE-së në zgjidhjen e shumë çështjeve në botë, siç janë Lindja e Mesme, Ballkani, Irani dhe Koreja e Veriut. Po ashtu është fqinj i rëndësishëm i Bashkimit Evropian dhe është furnizues i madh i vendeve të BE-së me gaz, thanë diplomatët e BE-së. Prandaj BE-ja dëshiron që edhe në të ardhmen të mbeten raporte të mira me Rusinë.

Sa i përket Kosovës, dihet që qëndrimi i Rusisë është i njëjtë me atë të Grupit të Kontaktit sa i përket dokumentave zyrtare dhe Rusia po ashtu i ka nënshkruar dokumentet e këtij grupi, thonë diplomatët e BE-së duke thënë se diskutimet dhe pohimet dhe deklaratat personale që bëjnë disa politikanë rusë për Kosovën nuk do të komentohen.

Po ashtu sot disa diplomatë të BE-së kanë thënë se për shkak të angazhimeve që vendet e Bashkimit Evropian po i marrin në Liban dhe në Lindjen e Mesme, përfshirë edhe dërgimin e mijëra ushtarëve të tyre, kjo nuk do të ndikojë që të zvogëlohet kontributi i vendeve të BE-së në Kosovë dhe në Bosnje Hercegovinë.

Nëse do të vihet deri tek zvogëlimi i numrit eventual të ushtarëve në Kosovë dhe në Bosnje Hercegovinë, kjo mund të ndodhë vetëm për shkak se atje mund të përmirësohet situata dhe jo për shkak të angazhimeve të BE-së në Liban.

Ndryshe, në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së në Finlandë, tema kryesore janë angazhimi i BE-së në Liban, zgjidhja e problemit të Palestinës dhe raportet me Iranin, krahas raporteve të BE-së me Rusinë. Këto tema si prioritete i ka zgjedhur presidenca finlandeze e Bashkimit Evropian, e cila vazhdon të ketë kryesimin e BE-së deri në fund të këtij viti.

XS
SM
MD
LG