Ndërlidhjet

logo-print

JERLIU:"ZGJEDHJET NË LDK - DËSHMI E KOHEZIONIT"


Naim JERLIU, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

EVROPA E LIRË
Zoti Jerliu, këtë javë në Vjenë pritet të mbahet një takim për të drejtat e minoriteteve. Sa është i përgatitur grupi kosovar, pjesë e të cilit jeni ju, për këto bisedime?

NAIM JERLIU
Po, çështja e të drejtave të komuniteteve është një kaptinë e veçantë e bisedimeve në procesin e Vjenës, apo njëra nga temat boshte që tashmë janë diskutuar në këtë proces. Pala kosovare ka përgatitur, siç dihet, një dokument themelor, i cili është produkt i një procesi të gjatë do të thosha të konsultimeve me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë dhe takimeve të shumta të organizuara edhe me përfaqësues të aprtive politike të përfaqësuara në Parlamentin e Kosovës, por edhe me përfaqësues të komuniteteve pakicë në shoqërinë kosovare. Ky dokument është miratuar edhe në ekipin negociues të Kosovës dhe ka qenë po ashtu edhe pjesë e debatit që është zhvilluar në Parlament. Besoj në përgatitjen e mirë të delegacionit të Kosovës.

EVROPA E LIRË
Zoti Jerliu, cilat janë parimet kryesore mbi të cilat mbështetet platforma apo oferta kosovare për të drejtat e pakicave?

NAIM JERLIU
Dokumenti që përmenda është një dokument që konsiderohet nga pala kosovare si një vizion gjithëpërfshirës për të drejtat e komuniteteve në shtetin e pavarur të Kosovës dhe që reflekton në mënyrë të veçantë kujdesin e përkushtuar për integrimin e komuniteteve, pjesëmarrjen në shoqërinë kosovare dhe institucionet kosovare, konkretisht me përfaqësim të garantuar në parlament, me pjesëmarrje në qeverinë e Kosovës në bazë të marrëveshjes politike dhe po ashtu edhe parashikim të mekanizmave përcjellëse për mbrojtjen e interesave vitale të tyre në jetën dhe shoqërinë kosovare. Kur jemi te këto mekanizma do të duhej thënë se kjo posaçërisht gjen shprehje në proceset vendimmarrëse që kanë të bëjnë me miratimin e disa prej ligjeve specifike, përmes të të cilave në veçanti duhet të kihet kujdes për komunitetet pakicë.

EVROPA E LIRË
Çfarë janë gjasat për të përmbyllur çështjet si decentralizimi dhe të drejtat e pakicave gjatë gjysmës së parë të shtatorit, siç qe paralajmëruar më parë?

NAIM JERLIU
Mendoj se këto çështje, në një mënyrë, sa i përket palës kosovare janë të absolvuara mjaft dhe nga ana jonë janë reflektuar qëndrimet që kanë qenë rezultat i një analize gjithëpërfshirëse dhe shumëdimensionale dhe konsiderojmë se do të jenë zgjidhje që janë në funksion të një shteti të ardhshëm të Kosovës, që do të jetë funksional. Sa i përket pyetjes që shtruat, mendoj se pozicioni i palës kosovare është në përputhje me parimin e vendosur se nuk ka marrëveshje përderisa nuk ka marrëveshje të përgjithshme, që nënkupton realizimin e pavarësisë dhe sovranitetit të plotë të shtetit të Kosovës.

EVROPA E LIRË
Zoti Jerliu, mbështetur në dinamikën aktuale të diskutimeve për statusin e Kosovës, çfarë mund të pritet gjatë këtij viti në këtë proces?

NAIM JERLIU
Mendoj se është thënë vazhdimisht nga delegacioni i Kosovës dhe ekziston insistimi që ky proces të përmbyllet tani dhe të jetë pjesë e kontributit për definimin e statusit politik të Kosovës, respektivisht për pavarësim të Kosovës. Në këtë drejtim unë besoj dhe kam bindjen se edhe projeksionet e Grupit të Kontaktit dhe të misionit të Ahtisarit e kanë parasysh se do të jetë interes i veçantë i Kosovës dhe qytetarëve të saj se ky vit do të jetë vit i pavarësimit dhe njohjes ndërkombëtare të Kosovës së pavarur.


EVROPA E LIRË
Zoti Jerliu, si e shihni ju dhe partia juaj planin kosovar për Mitrovicën-qytet me dy komuna në kuptim të integrimit ose jo të qytetit?

NAIM JERLIU
Duke parë në suaza të procesit të decentralizimit, delegacioni i Kosovës e ka mbrojtur dhe e mbron qëndrimin për çështjen e Mitrovicës për të cilën është thënë se mund të organizohet si një qytet me dy komuna, i cili do të mund të udhëhiqej nga një bord administrativ i përbashkët, i cili do të jetë i obligueshëm si organ ekzekutiv i qytetit, në përbërjen e të cilit do të jenë përfaqësues nga secila komunë dhe po ashtu edhe nga një përfaqësues ndërkombëtar që do të jetë udhëheqës i përkohshëm i atij bordi administrativ.

EVROPA E LIRË
Lidhja Demokratike e Kosovës për pak ditë duhet të nis zgjedhjet e saj të para pas vdekjes së presidentit Rugova. Sa ka fuqi kjo parti për një proces të tillë, duke pasur parasysh se si partia më e madhe mban shumicën e funksioneve institucionale në Kosovë?

NAIM JERLIU
Unë jam i bindur se LDK edhe kësaj herë do të dëshmojë dhe rikonfirmojë forcën dhe fuqinë e saj politike, si forcë kryesore politike në Kosovë, do të dëshmojë, kohezionin dhe qëndrueshmërinë e saj edhe në këtë proces të ardhshëm zgjedhor dhe jam i bindur se edhe ky proces zgjedhor do të jetë demokratik, i hapur, transparent, gjithëpërfshirës, i lirë dhe i drejtë i mbështetur në praktikat më të mira të zgjedhjeve demokratike që organizohen në partitë politike moderne. Edhe gjatë këtij procesi do të gjejë shprehjen ajo qasje e qytetëruar dhe ai kohezivitet që është dëshmuar edhe në momentet e vështira pas humbjes së presidentit Rugova.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG