Ndërlidhjet

UNMIK-U DHE KFOR-I VLERËSOJNË STABILE SITUATËN NË KOSOVË


Albana Isufi, Prishtinë

Ende nuk është marrë ndonjë vendim për rihapjen e urës mbi lumin Ibër, e cila vazhdon të jetë e mbyllur për më shumë se një javë, pas sulmit të 26 gushtit me granatë dore në një lokal serb në veri të Mitrovicës, me ç’rast u lënduan 9 persona.

Zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh thotë se mekanizmat përgjegjës për sigurinë nuk kanë vendosur ende nëse është koha e duhur ose jo për të hapur urën për qarkullimin e automjeteve dhe të kalimtarëve.
“Ura mbetet e mbyllur, ende nuk kemi vendim se kur do hapet, por ajo është duke u vështruar aktivisht nga mekanizmat e sigurisë, por edhe nga liderët lokalë”, tha Singh.

Ndërkohë, zyrtarët e KFOR-it thonë se rihapjen e urës së Ibrit është duke e shqyrtuar administrata ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara.
”Ne nuk jemi të informuar për detaje të tjera rreth çështjes së Mitrovicës, por unë e di se në UNMIK po e diskutojnë këtë çështje. Ne do të shikojmë atë vendim, për të cilin supozoj se do të merret shpejt”, tha shefi për informim i KFOR-it Rainar Senger.

Ndryshe, situata e përgjithshme e sigurisë sipas zyrtarëve të UNMIK-ut në tërë Kosovën mbetet e qetë dhe stabile.
Kjo është pohuar edhe nga zyrtarët e KFOR-it.
“Vlerësimi ynë është se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe stabile”, thotë shefi për informim i KFOR-it Rainer Senger.

Zyrtarët e KFOR-it kanë pohuar se janë duke hetuar nëse në Kosovë vepron ndonjë strukturë paramilitare ushtarake, gjë për të cilën udhëheqësit serbë të Zubin Potokut kanë pohuar se kanë parë të veprojë në rajonin e tyre, përkatësisht në malin Mokra.

Por, zyrtarët e UNMIK-ut kanë pohuar se nuk janë në dijeni se një strukture e tillë paraushtarake ekziston në Kosovë.
“Situata e sigurisë mbetet e qetë dhe stabile dhe nuk ka informacione se ka struktura paralele të sigurisë”, tha zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh.

Ekzistimin e një grupi të armatosur paraushtarak e ka bërë të ditur kryetari i komunës së Zubin Potokut Sllavisha Ristiq, gjatë një takimi me admiralin amerikan Harry Ulrih të shtunën e kaluar. Ai ka thënë se një grup i veshur në të zeza kishte bërë ushtrime me armë në malin e quajtur Mokra, në afërsi të Zubin Potokut.
Admirali Ulrih ka siguruar se KFOR-i do të hetojë rastin në fjalë dhe se nuk do të lejohet veprimi i strukturave ilegale ushtarake.

XS
SM
MD
LG