Ndërlidhjet

S.PETROVIQ: OFROJMË OPSION QYTETAR ME ORIENTIM EVROPIAN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Politika realiste, alternativa qytetare, kushtet më të mira për serbët e Kosovës, multietniciteti dhe kompromisi janë parimet themelore të partisë më të re politike të serbëve të Kosovës, Partia e Pavarur Liberale.

Disa muaj pasi është regjistruar nga OSBE-ja, kjo parti ka mbajtur dje në fshatin Llaplesellë në afërsi të Prishtinës, Kuvendin e saj të parë zgjedhor, në të cilën i është konfirmuar mbështetja zotit Slobodan Petroviq për kryetar partie dhe janë zgjedhur strukturat e tjera partiake.

Ne jemi parti e serbëve të Kosovës me orientim evropian dhe duam të bëjmë politikë realiste, tha për radion Evropa e Lirë, kryetari i kësaj partie, Slobodan Petroviq:
"Partia e Pavarur Liberale promovon multietnicitetin përmes opsionit qytetar," tha Petroviq, sipas të cilit, kjo parti ofron për herë të parë alternativën qytetare të orientimit evropian.

Petroviq tha se udhëheqja e kësaj partie është e vetëdijshme se nuk ka shumë hapësirë për të ndikuar mbi statusin e Kosovës, prandaj politika realiste do të jetë orientim i kësaj partie, duke mos lënë anash as përpjekjet për organizim për të ndikuar në çështje të rëndësishme.

Selia e përkohshme e kësaj partie është në Graçanicë dhe sipas zotit Petrovioq më e rëndësishmja është që të jenë sa më afër votuesve:

"Ne jemi këtu dhe nuk jemi njerëz që rrimë larg anëtarësisë sonë, përkatësisht votuesve të ardhshëm dhe kjo është ajo risia, pasi serbët në Kosovë deri tash nuk kanë pasur mjaft mundësi zgjedhjeje," tha Petroviq, duke precizuar se përfaqësuesit e deritashëm politikë të serbëve të Kosovës ishin përfaqësues të partive politike me qendër në Beograd. Nëse doni t’i përfaqësoni njerëzit që jetojnë në Kosovës, atëherë duhet ta dëgjoni zërin e tyre dhe ta ndërtoni politikën në bazë të kërkesave dhe nevojave të tyre tha Petroviq.

Ai planifikon që me partinë e tij të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare të Kosovës dhe me këtë të hyjë në jetën politike të Kosovës. Petroviq thotë se vetëm përmes pjesëmarrjes në institucione mund të ndikohet për të përmirësuar kushtet e jetës për bashkësinë serbe dhe për kthimin e të zhvendosurve:

"Nëse i kemi hyrë kësaj pune, atëherë duhet të jemi të vetëdijshëm se duhet të bëjmë diçka është kundër vullnetit tonë në dobi të interesit të përgjithshëm, kështu që orientimi ynë është pjesëmarrja në zgjedhje dhe lufta përmes institucioneve," tha Petroviq, sipas të cilit pikërisht gara zgjedhore dëshmon se sa njerëzit e mbështetin një program të caktuar politik.

Zoti Petroviq tha se Partia e Pavarur Liberale nuk angazhohet për Kosovën e pavarur. Ai mbështet Prishtinën edhe Beogradin në përpjekjet për arritjen e kompromisit, por mendon se zgjidhjen do ta nxjerrë Këshilli i Sigurimit:

"Ne e dimë se nuk kemi ndonjë ndikim për marrjen e vendimit mbi statusin, por njëkohësisht është po aq e rëndësishme se pas statusit dielli sërish do të nxehë dhe ne duhet të jetojmë, por realiteti është tjetër dhe ne jemi të gatshëm për atë realitet," tha Petroviq.

Ai tha se partia e tij dëshiron t’i kontribuojë shoqërisë kosovare, prandaj thekson se ka ardhur koha që të përcaktohet se kush ka legjitimitet për ta përfaqësuar bashkësinë serbe.



XS
SM
MD
LG