Ndërlidhjet

MUAJI I KULTURËS KOMBËTARE ËSHTË NJË NISMË E MIRË, VLERËSOJNË AKTORËT


Bekim Bislimi, Prishtinë

Aktivitetet kulturore të muajit të kulturës kombëtare Kosovë- Shqipëri, të cilat paralelisht janë duke u mbajtur në të dyja vendet që nga një shtatori, kanë bashkuar artistët e dy vendeve në projekte të përbashkëta.

Aktori Mirush Kabashi nga Tirana thotë se iniciativa e dy ministrave të Kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës për mbajtjen e muajit të kulturës shqiptare është domethënëse dhe nxitëse edhe për artistët që bartin mesazhet e unifikimit kulturor gjithëshqiptar.

"Edhe ne si kolegë të vjetër dhe natyrisht edhe recitues njëkohësisht në dhjetra dhjetra për të mos thënë në qindra aktivitete, së bashku të japim kontributin tonë modest, sepse vërtet kemi të bëjmë me një popull me një strukturë mendore, me idole të përbashkëta dhe me histori dhe me fate të njëjta", thotë Mirush Kabashi.

Ngjashëm thotë dhe aktori Çun Lajqi, aktor nga Prishtina.
"Si zgjedhje dhe si formë është e qëlluar. Duhet të ndodhte kjo edhe më herët, ky shkëmbim kulturor në dy krahë", tha zoti Lajqi.

Aktori Mirush Kabashi thekson se bashkëpunimi kulturor në mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë ka ekzistuar edhe më parë, por bashkëpunimi i tashëm është organizuar në mënyrë më të mirë, ndonëse siç thotë ai paksa me vonesë.

" Por tashmë është institucionalizuar ky bashkëpunim dhe patjetër që do të ketë frute jashtëzakonisht të mëdha. Kjo vërtet është e vonuar por nuk ka gjë. Prap se prapë është e kapur në kohë dhe vitin tjetër ajo do të ketë jo vetëm njojtje por edhe vlera të marra nga njëri tjetri, që do të kenë si rezultante jo vetëm integrimin, por dhe përparimin e vlerave sipas specifikave të arteve të ndryshme", tha zoti Kabashi.

Ndërkaq aktori Çun Lajqi thotë se shpreson se bashkëpunimi kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës do të jetë i njëmendtë dhe thelbësor dhe jo vetëm protokollar.

"Shkëmbjemë vërtet vlera por jo të bëjmë vetëm protokolle dhe të bëjmë miqësi dhe atëhere në bazë të familjarizmave të shkohet në Tiranë apo të vihet në Prishtinë", thotë zoti Lajqi.

Investimet për teatrin në të dy vendet sipas aktorëve kanë specifikat e veta. Aktori Kabashi thekson se në këtë drejtim tashmë në Shqipëri ekzistojnë nismat pozitive.
"Që nga vjet ka filluar dhe do të institucionalizohet dhe festivali i dramës shqipe", thotë Mirush Kabashi.

Ndërkaq aktori Çun Lajqi thekson se në Kosovë investimet e qeverisë për zhvillimin e teatrove por edhe të kulturës në përgjithësi mungojnë.
"S'kanë faj që nuk investojnë në përgjithësi sepse ne akoma jemi të limituar në buxhet, e kemi më pak të vështirë këtu. Këta pushtetarët tonë nuk mund të akuzohen shumë, së paku kështu mendoj unë sepse dikush tjetër e cakton buxhetin tonë akoma. Por është dhe një faj i joni, i vetë neve që përpiqemi të bëjmë kulturë, edhe ne jemi shumë të pakujdesshëm me një arsyetim, se secili prej nesh, në çdo shtëpi tonën, apo në çdo fshatin tonë apo në çdo qytet tonin mundohemi të bëjmë nga një festival, që është shumë gabim për mendimin tim", thotë artisti Lajqi.



XS
SM
MD
LG