Ndërlidhjet

KRYESIA E LDK-SË PROPOZON FATMIR SEJDIUN NË POSTIN E KRYETARIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës me shumicë votash ka propozuar sot Fatmir Sejdiun, kandidatin e saj për kryetar të partisë.

Vendimi i marrë me shumicë votash që presidenti aktual i Kosovës, Fatmir Sejdiu të jetë dhe kandidati i kryesisë së LDK-së dhe për kryetar partie, ka hasur dhe në kundërshtime të disa prej anëtarëve të po kësaj kryesie. Mirëpo, sipas nënkryetarit të parë të LDK-së, Eqrem Kryeziut, kryesia ka legjitimitet që të dalë me propozim para Kuvendit Zgjedhor lidhur me postin e kryetarit të LDK-së:

“Në mbledhjen që sapo mbaroi, kryesia ka marrë vendim besojmë shumë të rëndësishëm, që të japë kandidatin e vet për kryetarin e mundshëm të LDK-së. Kryetari i mundshëm do të thotë se vetëm Kuvendi mund t’i përfillë këto procedura që ne sot i kemi miratuar, por kjo do të thotë se e ka rekomandimin e kryesisë së LDK-së që t’i përfillë këto procedura dhe ai njeri është Fatmir Sejdiu. Kryesia e LDK-së është organi më legjitim që duhet të japë propozimimin”, tha Kryeziu.

Ndryshe nga Eqrem Kryeziu mendon anëtari i kryesisë së LDK-së, Adem Salihaj. Ai tha se shumica e anëtarëve të kryesisë së LDK-së e kanë imponuar këtë kandidaturë duke bërë shkelje të statutit të LDK-së:

“Ishte një mbledhje mjaft e vështirë me tensione dhe një grup i kryesisë ka arritur ta imponojë një kandidat të caktuar përkundër dispozitave të statutit që nuk lejojnë që kryesia e LDK-së ta përcaktoj ose të marrë vendim për një kandidat për kryetar të LDK-së. Statuti në mënyrë shumë të qartë thotë se kandidatët për kryetar të LDK-së propozohen në Kuvend të LDK-së dhe për mënyrën e votimit vendos Kuvendi”, tha Salihaj.

Sidoqoftë, Adem Salihaj tha se vendimi i kryesisë së LDK-së do të vazhdojë të vlerësohet në kuadër të degëve dhe organeve të tjera, duke mos precizuar nëse pjesa që quhet e pakënaqur në LDK me kandidaturën e Sejdiut, të ndërmarrë ndonjë veprim tjetër:

“Vendimi i kryesisë është jo statutar dhe jo obligues, do të thotë nuk e obligon askënd që t’i përmbahet këtij vendimi. Do ta shohim dega mund të diskutojë dhe të marrë një qëndrim të caktuar, por statuti është shumë i qartë dhe i përcakton shumë qartë procedurat e kandidimit dhe zgjedhjes së kryetarit të LDK-së”, theksoi Salihaj.

Mendim të ngjashëm me Adem Salihajn ka shprehur dhe zëdhënësi i LDK-së, Lulëzim Zeneli. Ndërkaq tre nënkryetarët aktualë të LDK-së, Eqrem Kryeziu, Kolë Berisha dhe Naim Jerliu u kanë thënë mediave se kryesia e LDK-së me kandidaturën e Fatmir Sejdiut po hyn në garën zgjedhore të partisë që do të zgjasë afërsisht tre muaj, pas kandidaturës tashmë publike për kryetar të LDK-së të shpallur nga Nexhat Daci. Eqrem Kryeziu tha se kryesia do t’i kërkojë presidentit aktual të Kosovës, Fatmir Sejdiu që të pranojë këtë kandidaturë e cila më pas do t’i paraqitet Kuvendit Zgjedhor:

“Ne ishim në një lloj apo para një akti të kryer, pasi që zoti Daci ka tetë muaj që bën fushatën krejt legjitime, të mos keqkuptohemi, kurse kryesia nuk e kishte kandidatin e vet. Ne kemi qenë në një presion krejt legjitim që edhe kryesia të dalë me një kandidat të vet të mundshëm, po them gjithnjë të mundshëm”, pohoi Eqrem Kryeziu.

Lidhur me pengesat e mundshme ligjore – kushtetuese që Fatmir Sejdiu të bëhet edhe kryetar partie, pasi që ai ka dhe postin e presidentit të Kosovës, Eqrem Kryeziu tha se Sejdiut, Korniza Kushtetuese ia pamundëson ushtrimin e dy posteve, por jo edhe zgjedhjen e tij për kryetar të partisë. Zyrtarë të LDK-së thonë se në rast se Sejdiu zgjidhet kryetar i LDK-së, ai më pas do t’i dorëzonte kompetencat nënkryetarit të parë të partisë për të drejtuar LDK-në, përderisa të jetë edhe president i Kosovës.

Në anën tjetër kandidati Nexhat Daci nuk është anëtar i kryesisë së LDK-së, kështu që kandidatura e tij zyrtare pritet të bëhet gjatë Kuvendit Zgjedhor. Të enjten më 7 shtator, fillon procesi zgjedhor në LDK, i cili thuhet se do të zgjasë deri në javën e parë të dhjetorit, kur edhe pritet të mbahet Kuvendi Zgjedhor, nga i cili do të dalin strukturat e reja udhëheqëse të kësaj partie.



XS
SM
MD
LG