Ndërlidhjet

logo-print

PRIORITETET E TREPÇËS- RIFILLIMI I PRODHIMIT DHE PRIVATIZIMI


Albana Isufi, Mitrovicë

Përfaqësues shqiptarë, serbë dhe ndërkombëtarë janë pajtuar që të vazhdojnë ta mbrojnë Trepçën nga ankesat dhe kërkesat e kreditorëve te huaj, të cilët pretendojnë se janë aksionarë të sektorëve të ndryshëm të kompleksit Trepça.

Bordi i sapoformuar këshillëdhënës i Trepçës është takuar sot për herë të parë në Mitrovicë.
Ky bord tani e tutje do të jetë pikë referuese për partnerët kryesorë, për të gjitha çështjet që lidhen me mbrojtjen dhe rivitalizimin e Trepçës.

Kryeministri Agim Çeku tha se anëtarët e bordit janë pajtuar me tre parime kryesore.
”Në radhë të parë të shohim se si ta mbrojmë Trepçën nga kërkesat dhe ankesat e kreditorëve, në radhë të dytë të shohim se si të fillojë prodhimi në komponentë të ndryshëm të Trepçës, dhe e treta ta përgatisim një strategji të qëndrueshme, transparente për riorganizimin e Trepçës apo edhe për privatizimin e saj”, tha Çeku.

Administrata ndërkombëtare i ka shpallur një moratorium të gjitha ankesave të mundshme të kreditorëve në Odën Speciale të Gjykatës Supreme të Kosovës. Kryeadministratori i Kosovës Joachim Ruecker, thotë se bordi këshillëdhënës i sapoformuar do të mbrojë parimet rreth Trepçës, por do të jetë edhe një pike referuese për të gjithë punëtorët e kompleksit metalurgjik Trepça.

“Jemi të bindur se bordi i sapoformuar i Trepçës, është vendi më i mirë që çështjet e tjera të rëndësishme si mbrojtja e ambientit dhe mbrojtja e të drejtave të punëtorëve, të adresohen në mënyrë të duhur, në procesin që do të zhvillohet”, tha Ruecker pas takimit të parë të Bordit Këshillëdhënës të Trepçës.

Ndër problemet më të mëdha të Trepçës mbeten borxhet, që ky kompleks mund t’u ketë kreditorëve të huaj, të cilën gjë Kosova është e detyruar ta sqarojë me qeverinë e Serbisë.
Kryeministri Agim Çeku thotë se një gjë e tillë është diskutuar edhe në takimin për ekonomi që është mbajtur në Vjenë kohë më parë.

“Qysh sot ne kemi shumë ankesa të kreditorëve të mundshëm, të cilët thonë se kanë investuar në Trepçë gjatë kohës sa atë e ka menaxhuar Serbia. Ata kanë paditur Trepçën në Gjykatën Supreme të Kosovës. Për të pasur kohë për t’i verifikuar ato ankesa përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së ka vendosur moratorium, kështu që ne jemi duke diskutuar me Serbinë. Serbia është partneri ynë në sqarimin e këtyre borxheve. Ne duhet të shqyrtojmë sa ka borxh Kosova në përgjithësi dhe nëse është Trepça pjesë e këtij borxhi”, thotë kryeministri Çeku.

Kohë më parë zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit kanë deklaruar se e ardhmja e Trepçës do të sqarohet me emërimin e një administratori ndërkombëtar, i cili do ketë për detyrë të adresojë çështjet lidhur me borxhet, me investimet, të punësuarit dhe pronësinë e Trepçës. Ky administrator do të përgatisë kështu terrenin për privatizimin e kompleksit metalurgjik më të madh në Kosovë.

Shefi i UNMIK-ut Joachim Ruecker ka thënë se megjithatë administratori është i detyruar të konsultohet me palët e përfshira në Trepçë.
“Kjo është e vendosur në rregulloren 2005/ 48, administratori duhet t’i raportojë gjykatës, por po ashtu ai është i obliguar që të konsultohet me palët, ndërsa ky bord është pika referuese për palët e përfshira në kompleksin Trepça”, tha Ruecker.

Administratori mund të kërkojë që të anulohen transaksionet e para dhe pas konfliktit, përkatësisht nga 22 marsi i vitit 1989 deri në marrjen e vendimit për vënien e Trepçës nën administrimin e AKM-së. Këtë do ta bëjë nëse gjen dëshmi se me këto transaksione është dëmtuar Trepça, punonjësit apo kreditorët e saj.

Por, sido që të jetë, shpëtimi i Trepçës sipas shefit të UNMIK-ut Joachim Ruecker është privatizimi i saj.
“Mendoj se e ardhmja e Trepçës nuk do jetë si në të kaluarën, dhe dihet se ristrukturimi nuk do jetë si më parë. Ristrukturimi dhe rivitalizimi në kushtet e sotme do të diskutohet me administratorin, e më pas edhe privatizimi, sepse kjo është dera që do t’u hapet investitorëve, investime të cilat janë shumë të nevojshme për Trepçën. Siç u prezantua në bord, duhen rreth 120 milionë euro investime, e ndoshta edhe më shumë. Pra, nuk ka rrugë tjetër përveç privatizimit dhe për këtë ka pasur pajtueshmëri të plotë në bord.”, tha Ruecker.

Bordi Këshillëdhënës përbëhet nga 10 anëtarë, 5 anëtarë shqiptarë nga qeveria, AKM-ja dhe përfaqësues të Trepçës, 2 përfaqësues të UNMIK-ut, dhe 3 përfaqësues serbë.

XS
SM
MD
LG