Ndërlidhjet

PARLAMENTI EVROPIAN: STATUSI I KOSOVËS TË ZGJIDHET BRENDA VITIT


Augustin Palokaj, Bruksel

Në një debat në seancën parlamentare të Parlamentit Evropian kushtuar statusit të ardhshëm të Kosovës, shumica e deputetëve kanë mbështetur idenë që statusi i Kosovës të zgjidhet deri në fund të këtij viti.

Shumë deputetë të këtij parlamenti janë shprehur se askush nuk do të ketë kurrfarë dobie në rast se zhagitet ky proces. Deputetët e parlamentit Evropian kanë thënë se është e qartë se Prishtina dhe Beogradi nuk do të ndryshojnë qëndrimet e tyre sa i përket statusit të Kosovës dhe të gjithë, me përjashtim të vetëm dy deputetëve, kanë thënë se është e paevitueshme që Kosova të ketë pavarësi.
Prandaj ata janë angazhuar që BE-ja të thotë qartë se Kosova do të ketë statusin e shtetit. Shumë deputetë mbështetën gjithashtu punën e të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin Marti Ahtisari.

Gjatë debatit është folur edhe për rolin e ardhshëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, për çka para deputetëve të Parlamentit Evropian ka folur komisioneri i zgjerimit Oli Rehn. Ai ka thënë se Kosova ka perspektivë evropiane ndërsa BE-ja do të ketë rolin kyç në realizimin e kësaj perspektive.

Oli Rehn ka thënë se presidenti Ahtisari ka nevojë për mbështetje të fuqishme të BE-së, në mënyrë që të jetë në gjendje të paraqesë një pako gjithëpërfshirëse për statusin e Kosovës dhe më pas në bazë të saj, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të vendoste për statusin.

Rehn është shprehur se BE-ja nuk ka për qëllim të zëvendësojë UNMIK-un me ndonjë EUMIK, por do të marrë përsipër udhëheqjen e misionit të fiksuar civil ndërkombëtar, i cili do të kishte si detyrë kryesore vëzhgimin e zbatimit të zgjidhjes për statusin e Kosovës.

Sipas komisionerit Rehn, kompetencat e shumta administrative që tani i ka UNMIK-u, do të barteshin në duart e autoriteteve të Kosovës, të cilat edhe do të merrnin mbi vete përgjegjësinë e plotë për udhëheqjen e vendit.

Deputeti nga Finlanda, Aleksandër Shtup është shprehur se këtë vit gjithsesi duhet të gjendet zgjidhja dhe ai ka thënë se nuk sheh zgjidhje tjetër pos pavarësisë.

Deputeti nga Sllovenia, Jelko Kacin ka thënë se dikush duhet ta njoftojë Beogradin se Kosova tashmë është e pavarur. Kacin është shprehur se edeh BE-ja duhet sa më parë të njohë shtetin e Kosovës, sepse në BE mund të integrohen vetëm shtetet. Nëse nuk e njohim shtetësinë e Kosovës dhe vazhdojmë të flasim për perspektivën e saj evropiane, atëhere ne në fakt e gënjejmë opinionin, ka thënë deputeti Kacin.
Deputeti nga Hungaria, Istvan Ivanji ka thënë se bashkësia ndërkombëtare ka gabuar që nuk e ka zgjidhur më herët statusin e Kosovës, prandaj nuk duhet të presë më dhe rajonit duhet t'i japë pavarësi. Ai ka thënë se interesimi i Beogradit për pakicën serbe në Kosovë mund të jetë i sinqertë, vetëm nëse Beogradi në të njëjtën mënyrë siguron të drejtat e pakicave shqiptare, hungareze dhe kroate në Serbi.
Në favor të pavarësisë së Kosovës janë shprehur edhe deputeti socialist austriak Hans Svoboda, kolegu i tij nga Hollanda, Virsma dhe deputeti i të gjelbërve, Langedajt, sikur edhe shumë folës të tjerë.
Duke folur në emër të presidencës finlandeze të BE-së, Ministrja Evropiane e Finlandës Paola Lehtomaki, ka thënë se presidenca e BE-së i jep mbështetje të plotë Marti Ahtisarit, dhe ka premtuar se do të bëjë çmos që të gjenden edhe mjetet financiare për misionin e ardhshëm të BE-së në Kosovë.

Edhe komisioneri i zgjerimit Oli Rehn ka kërkuar nga parlamentarët evropianë që të sigurojnë mjete për këtë mision, sepse, siç është shprehur ai, stabilizimi i Kosovës e ka çmimin e vet,por ka shtuar se më mirë të investojmë në stabilizimin dhe zhvillimin ekonomik të Ballkanit, sesa të shpenzojmë më vonë në dërgimin e ushtarëve atje.

Po sot në Parlamentin Evropian është duke u mbështetur fuqishëm edhe Marrëveshja për Asociim Stabilizim me Shqipërinë, duke u quajtur si hap kyç drejt integrimit të plotë të Shqipërisë me anëtarësi në BE. Shqipërisë i është bërë ftesë që të bëjë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, lirisë së mediave dhe ligjit zgjedhor.

Kritikë e madhe i është dërguar Shqipërisë për atë që është quajtur kulturë alarmante politike dhe është kërkuar që partitë politike atje të ndërtojnë një minimum konsensusi për të ardhmen e vendit dhe integrimet evropiane.

XS
SM
MD
LG