Ndërlidhjet

KUVENDI I KOSOVËS DISKUTON PROCESIN NEGOCIATOR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Delegacioni i Kosovës për statusin është zotuar sot para Kuvendit të Kosovës se nuk do të bëjë asnjë marrëveshje në dëm të pavarësisë dhe tërësisë territoriale të Kosovës.
Debati i filluar në Kuvendin e Kosovës të premten e kaluar lidhur me procesin negociues, ka vazhduar punimet sot, ku deputetët kanë shprehur shumë shqetësime lidhur me decentralizimin, zgjidhjen e çështjes së Mitrovicës dhe krijimit të zonave të mbrojtura, që do të hyjnë në kuadër të pronës së Kishës Ortodokse.

Sidoqoftë, në mbyllje të kësaj seance, anëtarët e ekipit negociues e siguruan Kuvendin se nuk do të ketë marrëveshje në dëm të pavarësisë, e as zgjidhje që shpie kah copëtimi i Kosovës.
Kryeparlamentari Kolë Berisha, njëherësh anëtar i delegacionit, tha se decentralizimi nuk do të zbatohet pa marrëveshjen për statusin e Kosovës dhe se ai do të bazohet dhe mbi parimet e përcaktuara në dokumentin e Prishtinës.

“Grupi i unitetit nuk e ka shitur e as nuk do të shesë asnjë pëllëmbë të kësaj toke. Nuk kemi nënshkruar asgjë, nuk kemi vulosur asgjë, nuk kemi bërë kurrfarë pazaresh, e as që mund ta bëjmë një gjë të tillë”, u shpreh Berisha.

Gjatë punimeve të seancës, deputetët shprehën shqetësime të shumta për procesin e negociatave, si dhe akuzuan delegacionin për mungesë të transparencës.
Deputeti i AAK-së, Bajram Kosumi shprehu dyshime se oferta e delegacionit të Prishtinës mund të zgjidhë problemin e Mitrovicës.

“Është e kotë fjalia në tektet e dokumenteve të delegacionit të Kosovës ku thuhet se bordi pas 3 vjetësh do ta ri-bashkojë qytetin. Ndarja e qytetit në dy komuna me lumin Ibër në kufi, me ndonjë përjashtim të vogël, e legjitimon për një kohë të gjatë ndarjen etnike të Mitrovicës”, tha Kosumi.

Rrjedha e negociatave, mund të shpie kah “bosnizimi” i Kosovës, ka thënë deputeti i PDK-së, Ramë Buja, sipas të cilit të gjitha opsionet e deritashme për komunat e reja, sjellin si opsion formulën e Bosnjës.

“Kisha thirrur vëllazërisht edhe shoqërisht te grupi i unitetit se “bosnizimi” i Kosovës ka mundësi të ndodhë dhe po ju them se Bosnja nuk është zgjidhur, ajo ka mbetur e varur, akoma pa u zgjidhur dhe barrë për komunitetin ndërkombëtar dhe për ta dhe s’duam të jemi Bosnjë e dytë”, theksoi Buja.

Debati është përmbyllur me nga një paraqitje para deputetëve të secilit prej anëtarëve të ekipit negociues. Ndërsa kishte dhe nisma që Kuvendi të miratonte një rezolutë apo rekomandime për ekipin e unitetit, kjo nuk ka ndodhur, pasi që u vlerësua se ekipi negociues funksionon pikërisht në bazë të miratimit nga Kuvendi i Kosovës, që mbështetet dhe mbi bazat e Rezolutës së 17 nëntorit të vitit 2005, e cila ri-konfirmon respektimin e vullnetit të popullit të Kosovës për pavarësi dhe shtet sovran.



XS
SM
MD
LG