Ndërlidhjet

REUTER:"SHBA-të TË VENDOSURA PËR PAVARËSINË E KOSOVËS"


Jans REUTER, ekspert gjerman për Ballkanin

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Reuters, si ekspert që njeh mirë Kosovën dhe rajonin për një kohë të gjatë, si i shihni bisedimet Prishtinë-Beograd?

JANS REUTER
Këto nuk janë bisedime normale mes dy partnerëve nga të cilët mund të presim zgjidhjen e problemeve. Këto bisedime janë më shumë teatër apo farsë pasi çdo anëtar i secilit delegacion e di se ata nuk mund të arrijnë asnjë zgjidhje. Edhe bashkësia ndërkombëtare është e ndërgjegjshme se bisedimet mes kosovarëve dhe serbëve në Vjenë asnjëherë nuk do arrijnë një zgjidhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke pasur parasysh ato që thatë dhe faktin se Grupi i Kontaktit thotë se kërkon të gjejë zgjidhjen për statusin deri në fund të vitit a është i mundshëm respektimi i këtij afati kohor?

JANS REUTER
Nuk jam shumë i sigurt se do ta kemi zgjidhjen deri në fund të vitit, por në parim është e mundshme pasi vendimet nuk do merren nga kosovarët apo serbët, por para së gjithash nga Shtetet e Bashkuara, më pas dhe nga Bashkimi Evropian dhe në rradhë të tretë nga Rusia dhe Kina që kanë veton në Këshillin e Sigurimit.
Rusia dhe Kina do vënë disa kushte dhe do të synojnë të përfitojnë diçka politikisht, por në thelb nuk do të kundërshtojnë zgjidhjen e ofruar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se nuk besoni që zgjidhja mund të arrihet deri në fund të vitit. Cilat janë pengesat për një gjë të tillë?

JANS REUTER
Së pari duhet ndërtuar konsensusi mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara e më pas dikush duhet të bisedojë dhe me Rusinë e Kinën. Ndoshta këto hapa mund të realizohen deri në fund të vitit, por ndoshta mund të duhen edhe një apo dy muaj nga viti i ardhshëm.
Kryesorja është se zgjidhja do jetë e mundshme pasi kosovarët dhe serbët nuk kanë mundësi të vënë veton për gjëra të pjesshme apo për zgjidhjen në tërësi të problemit. Të dyja palët duhet të pranojnë çfarë bashkësia ndërkombëtare do të vendosë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Theksuat se bashkësia ndërkombëtare duhet të arrijë së pari një konsensus të brendshëm. Nga ana tjetër kryendërmjetësuesi Marti Ahtisari së fundi deklaroi se pa një marrëveshje mes vendeve të Grupit të Kontaktit atij nuk i mbetet shumë për të bërë. Cilat janë çështjet që vendet e Grupit të Kontaktit nuk po merren vesh apo përmendët konsensusin e nevojshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian?

JANS REUTER
Dallimet qëndrojn në faktin se Shtetet e Bashkuara në mënyrë të vendosur janë për pavarësinë e Kosovës. Natyrisht kjo duhet të jetë një zgjidhje që do përfshijë mbrojtjen e pakicave dhe praninë ndërkombëtare. Nuk do kemi pavarësi reale, por pavarësi të kontrolluar në mënyrë strikte nga bashkësia ndërkombëtare.
Do jetë pavarësi e kushtëzuar dhe kur vendet e GK-së i diskutojnë këto çështje së pari kemi Federatën Ruse që nuk do jetë e kënaqur nga pavarësia e Kosovës. Kjo lidhet me faktin se disa pjesë të Federatës aktuale ruse ndoshta duan të ndjekin shembullin e Kosovës.
Është fakt se edhe midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Bashkimit Evropian ka dallime lidhur me afatet kohore dhe detaje të tjera. Por, në thelb nuk ka kontradikta që do ishin të rrezikshme për gjithë procesin e ndërtimit të konsensusit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka analistë që thonë se ndarja e Kosovës duhet të jetë opcion në tryezën e bisedimeve, derisa të tjerë i druhen efektit domino të këtij opcioni, duke pasur parasysh Luginën e Preshevës, Maqedoninë, Bosnjën. Cili është qëndrimi juaj?

JANS REUTER
Mendoj se ndarja e Kosovës asnjëherë nuk mund të jetë zgjidhje, ashtu siç së fundi e ka theksuar dhe shefi i ri i UNMIK-ut, gjermani Ryker. Personalisht mendoj se nëse do ketë ndonjë ndarje të Kosovës atëherë do të na duhet të krijojmë një kufi që do të gjasojë shumë me kufijtë e vendosur mes dy pjesëve të Gjermansë gjatë Luftës së Ftohtë. Një gjë e tillë nuk do të ndodhë në Evropën e sotme.
Nga ana tjetër kosovarët në asnjë mënyrë nuk do të pranonin një kufi të tillë dhe me çdo mënyrë do përpiqeshin ta shkatërronin, çfarë do të thotë një valë e re tensionesh dhe dhune.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët se as kosovarët dhe as serbët nuk do të vendosin për statusin, por nga ana tjetër Beogradi ka deklaruar se nuk ka asnjë politikan serbë që do të pranonte pavarësinë e Kosovës. Cili është komenti juaj?

JANS REUTER
Është e qartë se asnjë politikan serbë nuk do dojë ta hedhë firmën në ndonjë marrëveshje që do t'i jepte Kosovës pavarësinë, pasi do të cilësohej si tradhëtar.
Në këtë kuptim asnjë nuk është i përgatitur për një gjë të tillë.
Nga ana tjetër nëse flet privatisht me politikanët serbë ata e pranojnë se pavarësia e Kosovës është zgjidhja e vetme e mundshme. Ata nuk janë të gatshëm ta thonë publikisht, por janë të përgatitur ta pranojnë një zgjidhje të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke iu rikthyer Grupit të Kontaktit dhe Gjermanisë si pjesë e tij, Berlini e ka bërë të qartë se nuk është dakord me krijimin e ushtrisë së Kosovës menjëherë pas statusit. Ku është burimi i qëndrimit gjerman dhe a është Gjermania kundër ulëses së Kosovës në Kombet e Bashkuara nëse zgjidhja do jetë pavarësi e kushtëzuar?

JANS REUTER
Kjo është një çështje e të ardhmes së largët. Për të ardhmen e afërt mund të thuhet se Kosovës pas dhënjes së pavarësisë nuk duhet t'i lejohet një ushtri e saj. Kjo lidhet me faktin se nëse qeveria e Kosovës do ketë një ushtri të fortë mund t'i kërkojë bashkësisë ndërkombëtare që të largojë praninë ushtarake nga Kosova, çfarë mund të jetë burim konflikti.
Kosova duhet të ketë ushtrinë e saj në përfundim të marrjes së pavarësisë së plotë, një proces që mund të zgjasë 8 apo 10 vjetë. Është e pamundur dhe do ishte jo produktive që një vit pas pavarësisë t'i lejohet Kosovës krijimi i ushtrisë së saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Reuters, dhe krejt ne fund a ka ndonjë shqetësim apo mendim që do ta theksonit?

JANS REUTER
Problemi kyç do jetë ai i serbëve të Kosovës që kanë jetuar në Kosovë për shekuj. Të gjitha zgjidhjet që janë diskutuar deri tash flasin për një Kosovë shumëetnike dhe dhënjen e të gjitha të drejtave për pakicat. Unë dyshoj që këto janë realiste.
Në një Kosovë të pavarur me qeveri shqiptare dhe me 90% të popullsisë gjithashtu shqiptare shumë serbë nuk do duan të jetojnë. Ata do shesin tokat e tyre dhe do shkojnë në Serbi. Në këto kushte bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e përgatitur t'ju mundësojë këtyre njerëzve që t'i shesin pronat e tyre me çmime të arsyeshme në mënyrë që të kenë mundësi të fillojnë jetën në Serbi.
Le të jemi realistë, është e bukur të kemi një shoqëri shumëetnike në Kosovë, por realiteti duket ndryshe.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG