Ndërlidhjet

logo-print

RIHAPET URA MBI LUMIN IBËR


Albana Isufi, Mitrovicë

Pas 12 ditë mbylljeje, është rihapur sot për qarkullim ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Policia rajonale e UNMIK-ut në Mitrovicë ka njoftuar se ura është rihapur pjesërisht mëngjesin e sotëm.

”Ura mbi lumin Ibër është hapur në orën 7 të mëngjesit. Ura është përforcuar me forca të SHPK-së dhe të policisë ndërkombëtare, të cilët do të sigurojnë se është duke u ofruar siguria gjatë kalimit të urës”, tha zëdhënësi i policisë rajonale të Mitrovicës, Larry Miller.

Mirëpo, urën nuk do të mund ta kalojnë të gjithë. Nëpër të lejohet vetëm qarkullimi i automjeteve të organizatave ndërkombëtare.
“Tash për tash vetëm automjeteve të organizatave qeveritare, të UNMIK-ut, KFOR-it, të OSBE-së, të Bashkimit Evropian, qytetarëve që punojnë për organizatat ndërkombëtare do t’u lejohet qarkullimi përmes urës së lumit Ibër. Ndërkombëtarët dhe serbët, që punojnë për organizata ndërkombëtare do t’u lejohet kalimi i urës në këmbë, ndërsa shqiptarëve do t’u mundësohet qarkullimi vetëm me automjete zyrtare”, tha Miller.

Mbi urën e lumit Ibër, e cila e ndan Mitrovicën në pjesë jugore të banuar me shumicë shqiptare dhe në atë të veriut të banuar me serbë, janë hequr edhe barrikadat e vendosura kohë më parë. Policia ndërkombëtare dhe ajo e SHPK-së janë duke kryer kontrollime në hyrje-daljet e urës.

Zyrtarët e policisë kanë thënë se vendimi për rihapjen e urës është marrë në bashkëpunim me policinë dhe udhëheqjen lokale.
Ndërkohë, ende nuk dihet se kur do të hapet ura për qarkullimin e veturave civile dhe të këmbësorëve.

Ura mbi lumin Ibër qe mbyllur për qarkullimin e automjeteve dhe të këmbësorëve më 26 gusht, pas incidentit me granatë dorë në një lokal serb në veri të qytetit me ç’rast u lënduan 9 persona.


XS
SM
MD
LG