Ndërlidhjet

SURROI:"SYNOJM TË BËHEMI SHEMBULL PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES SË PAKICAVE"


Veton SURROI, kryetar i ORA dhe anëtar i ekipit negociues

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Surroi, cilat janë parimet themelore mbi të drejtat e komuniteteve pakicë që do t’i përfaqësoni në takim me delegacionin e Serbisë dhe me zyrën e zotit Ahtisari?

VETON SURROI
Janë disa parime të mbrojtjes të komuniteteve që gjenden në pakicë numerike, është mbrojtja përmes përfaqësimit në institucione, është mbrojtja nëpërmjet gjyqësorit, gjegjësisht dhomës së veçantë kushtetuese, është ligji kushtetues për komunitetet pakicë, që propozohet të miratohet në të ardhmen, është çështja e definimit të interesit vital të komunitetit që nënkupton se asnjë ligj që ka të bëjë me interes vital të komuniteteve nuk mund të ndryshohet në të ardhmen pos më shumicën e anëtarëev të Kuvendit dhe me shumicën e anëtarëve të komunitetit pakicë. Pra janë instrumentet më të mira të praktikës ndërkombëtare, të cilat jemi përpjekur t’i aplikojmë në rastin tonë. Në disa çështje i kemi tejkaluar edhe këto kërkesa ndëkrombëtare me qëllim, pasi mendojmë se mund të bëjmë një përparim më të dukshëm dhe se duhet të jemi shembull i zgjidhjes së çështjes së komuniteteve pakicë në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, cila është çështja më e mprehtë që ka penguar arritjen e një marrëveshjej deri tash me zyrën e zotit Ahtisari lidhur me çështjen e pakicave?

VETON SURROI
Problem real objektiv është mospjesëmarrja e Beogradit në këtë proces. Do të thotë, Beogradi ka zgjedhur të mos bisedojë për çështjet e komuniteteve pakicë, duke vlerësuar se qytetarët serbë të Kosovës nuk janë komunitet pakicë. Dhe, duke bllokuar ose duke u përpjekur për ta bllokuar këtë proces natyrisht ka ndikuar që edhe zyra e zotit Ahtisari të përgjigjet, të gjejë, të përpiqet të gjejë përgjigje për çështje të komuniteteve, por duke pretenduar që të adresojë edhe nevojat e komunitetit serb. Ne kemi dallime, në disa raste edhe konceptuale, kur është fjala për përfaqësimin në parlament, kur është fjala në qeverisje. Ne mendojmë se zgjidhjet e deritashme të kornizës kushtetuese nuk mund të miratohen me automatizëm, sepse ato kanë qenë të një natyre krejt tjetër. Neve na duhet një kushtetutë bashkëkohore dhe jo kornizë çfarë e kemi sot.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Surroi, në takimin e fundit me përfaqësues të Luginës së Preshevës është ripërmendur një lloj paralelizimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi me ato të serbëve në Kosovë. A shtrohet kjo çështje në bisedime?

VETON SURROI
Ne e kemi shtruar disa herë dhe së fundi e kam shtruar në takimin me komisionerin për pakica, me zotin Ekeus, se ne mendojmë që Beogradi mund ta ndihmojë këtë proces të gjetjes së zgjidhjes për komunitetet pakicë, nëse fillon t’i aplikojë këto çështje brenda Serbisë. Konkretisht, të gjitha kërkesat e Beogradit që kanë të bëjnë me komunitetet pakicë, do të ishin shumë më të pranueshme, poqese ato do të ishin aplikuar më parë në Luginën e Preshevës me shqiptarët. Ekspertët ndërkombëtarë na kanë thënë se zgjidhjet tona janë inovative, janë të një natyre që me të vërtetë u drejtohen nevojave të komuniteteve. Do të ishte mirë të kemi një garë rajonale, jo kush po i shtyp më shumë komunitetet, por kush po i ndihmon më shumë komunitetet pakicë dhe këtë sfidë po ia ofrojmë Beogradit, d.m.th. në këtë garë për të krijuar një shoqëri më të mirë të fillojë duke i miratuar nevojat dhe kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Surroi, sa kanë ndikuar, në fakt a kanë ndikuar diskutimet në Kuvendin e Kosovës, mbi ekipin negociues të Kosovës në çështjet si decentralizimi?

VETON SURROI
Natyrisht që kanë ndikuar, domosdo kanë ndikuar. Ato tregojnë për disa probleme serioze, disa prej të cilave në procesin negociator, por disa prej të cilave janë pjesë e jetës së brendshme politike, qoftë ndërmjet partive, qoftë brenda partive politike. Më ka habitur më së shumti një debat në të cilin anëtarët e partive të cilat deri më tash kanë udhëhequr proceset e ndryshme politike, qeverisëse etj., ngrihen në pozita të opozitës, me qëndrime të opozitës, duke kritikuar ekipin negociues, por jo edhe komunikimin e brendshëm partiak. Më habit mungesa pothuajse totale e komunikimit e cila ekziston në disa prej partive politike. Mendoj se ky proces duhet të jetë pjesë e një komunikimi shumë më të madh, jo vetëm e ekipit negociator me qytetarët e Kosovës, por i anëtarëve të ekipit negociator dhe i grupeve punuese me partitë e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Surroi, meqë ende nuk ka një marrëveshje për çështje të ashtuquajura teknike, si e shihni ju ecurinë e vetë procesit për definimin e statusit dhe vetë fundin e këtij viti?

VETON SURROI
Unë mendoj se mungesa e progresit në çështje teknike e ka vën në sprovë edhe vetë zotin Ahtisari, i cili me apo pa marrëveshje duhet të japë përgjigje ose duhet të japë ashtu siç ka premtuar një propozim-projekt i cili pastaj duhet të shqyrtohet nga grupi i Kontaktit, Këshilli i Sigurimit dhe natyrisht nga palët.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe vendorë nuk e kanë përjashtuar mundësinë e lëvizjeve destabilizuese në veri. Sa i shihni ju si reale këto shqetësime dhe a ka mekanizma për t’i parandaluar?

VETON SURROI
Stabiliteti në veri nuk është stabilitet demokratik, është stabilitet në masë të madhe i dhunës, i kontrolluar nga forca jodemokratike, nga banda të armatosura, të cilat janë të kontrolluara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë në disa aspekte. Kështu që, marrë parasysh nga ky aspekt nuk mund të flasim për stabilitet në veri, por për një jostabilitet kontinuel, të përhershëm.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG